Këshilli i Sigurimit i OKB, sot seancë për Kosovën

Kosovë&Rajon

okbKëshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të shqyrtojë sot në një seancë të paraditës raportin mbi zhvillimet tremujore në Kosovë të Sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon.

Ban Ki-moon, pasi shpreh shqetësimin për vonesën e krijimit të Gjykatës Speciale, thotë se kjo ‘minon imazhin e Kosovës për të vendosur një shembull drejtësie dhe llogaridhënie’.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Është ky raporti i tretë me radhë gjatë këtij viti dhe i 65 me radhë që nga miratimi i Rezolutës 1244 në qershor 1999, e cila e obligon Sekretarin e Përgjithshëm t’i raportojë Këshillit të Sigurimit çdo tre muaj mbi zhvillimet në Kosovë.

Në disa seanca në dy vjetët e fundit, Britania e Madhe, SHBA dhe vende të tjera perëndimore janë angazhuar për rrallime të raportimeve, të shumtën dy herë në vit, me arsyetimin se normaliteti i zhvillimeve në Kosovë nuk kërkonte raportime dhe takime më të shpeshta.

Megjithatë paralajmërimi i bllokimit nga ana e Rusisë i rrallimit të raportimeve, duke e konsideruar si një skenar të zbehjes së rolit të OKB dhe Rezolutës 1244 e bën këtë pothuajse të pamundur.

Seancat për Kosovën janë shndërruar në një mbledhje ku i dërguari i Sekretarit të Përgjithshëm lexon një raport ‘përmbajtësor’ për të arsyetuar qëndrimin e UNMIK-ut në Kosovë; Serbia në anën tjetër ‘hedhë gurë e dru’ duke e trajtuar edhe incidentin më banal me prapavijë politike dhe etnike; ndërsa Kosova flet për sukseset e shtetit të ri, afirmimin ndërkombëtar dhe nevojën e pushimit të Misionit së Kombeve të Bashkuara që do të pasohej logjikisht me pranimin e Kosovës në organizatën botërore.

Vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit në diskutimet e tyre ato që e kanë njohur rreshtohen hapur në mbështetje të shtetit të Kosovës, ndërsa të tjerat thirren në Rezolutën 1244 dhe nevojën e gjetjes së një zgjidhje kompromisi.

Edhe ky raport i fundit i Sekretarit Ban është i vonuar dhe i tejkaluar (qoftë edhe si lajm), meqë çështje bosht të tij ka ‘shqetësimin për vonesën e krijimit të Gjykatës Speciale’.

Raporti përfshin periudhën e zhvillimeve nga 16 prilli deri më 15 korrik dhe u ishte dërguar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, para se të votohej miratimi i amendamentit për Gjykatën nga Kuvendi i Kosovës.

Sot Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen në nivel të ministrave të Jashtëm, ndërsa seancën dhe Këshillin për këtë muaj sipas radhës së alfabetit e kryeson anëtari afrikan me mandat rotativ, Nigeria

ME TE LEXUARAT