Veliaj: Pezullohen të gjitha lejet e ndërtimit, plan i ri zhvillimi për Tiranën

Aktualitet

veliaj-gjermeniBashkia e Tiranës Ministria e Zhvillimit Urban nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi,e cila synon hartimin e një plani të ri zhvillimor që i përgjigjet territorit aktual të Tiranës me 24 njësi të reja administrative.

Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, të cilët në fjalën e tyre vunë në dukje rëndësinë që ka për kryeqytetin pasja e një plani të mirëfilltë zhvillimor, duke qenë se Bashkia e Tiranës është zgjeruar në territorin e saj.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Duke folur gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kësaj marrëveshje, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se tashmë ka ardhur një erë e re e marrëdhënieve Bashki-Qeveri, produkt i së cilës do jetë dhe hartimi i këtij plani të ri zhvillimor.

“Bëhet fjalë për një projekt me afat. Ne parashikojmë që brenda një viti, Tirana të ketë plan zhvillimi të mirëfilltë, i cili do të jetë programi me të cilin do të zhvillojmë të gjitha pjesët e Tiranës, si ato qendrore, ashtu edhe ato të periferisë që përbëjnë 24 njësitë e Tiranës”, tha Veliaj. Sipas tij, kjo nënkupton se plani ekzistues vendor, vetëm për bashkinë e vjetër të Tiranës, nga dita e sotme nuk është më në fuqi.

“Duke qenë se ka rënë plani i vjetër i zhvillimit, pezullohen lejet e ndërtimit deri sa ne të kemi një plan afatgjatë të zhvillimit të qytetit, në bazë të këtij bashkëpunimi me Ministrinë e Zhvillimit Urban”, sqaroi Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj theksoi se gjatë kësaj periudhe do të bëhet verifikimi i ndërtimeve pa leje, shkeljet në urbanistikë apo edhe një audit të lejeve që janë dhënë nga bashkia. Sipas tij, kjo do të shërbejë për t’u siguruar që, nëse ka parregullsi, ato të trajtohen ligjërisht.

“Gjithashtu, për t’u siguruar se këto parregullsi dhe sjellja e shkeljes konstante të çdo parimi urbanistik dhe bashkëjetesës në komunitet, të mos jetë një modë që vazhdon në Bashkinë e re të Tiranës, për të vendosur një standard të ri”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se nuk bëhet fjalë për të pasur një plan se ku do ndërtohen pallatet e Tiranës. “Por, për të pasur një plan të mirëfilltë zhvillimi, se ku do të jenë parqet e reja të Tiranës, zonat e reja ekonomike të saj dhe ku do të jenë zonat me ekskluzivitet bujqësor të. Pra, kalojmë nga logjika e planeve të lejeve të ndërtimit, tek logjika e planit të zhvillimit të mirëfilltë ekonomik, ku mbahen parasysh të gjitha ato elementë që sjellin zhvillim, të gjitha industritë apo fushat e tjera të zhvillimit, si bujqësia dhe turizmi”, tha Veliaj.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermni, theksoi se ka ardhur koha e përfundimit të një kaosi në zhvillimin e territorit dhe zhvillimin urban në Shqipëri. “Tashmë, njësitë e reja vendore me hapësirat dhe mundësitë që kanë, me kapacitetet njerëzore dhe resurset që kanë, në bashkëpunim me qeverisjen qendrore, me ekspertizë të huaj dhe kombëtare do të hartojmë planet e tyre që do të shërbejnë si burim apo si bazë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social të këtyre njësive”, theksoi Gjermeni. Ajo vlerësoi se Tirana ka nevojë për një plan të zhvillimit të saj, edhe për shkak të hapësirës që ka dhe peshës specifike në zhvillimin kombëtar.

ME TE LEXUARAT