Lajmi Fundit
Lajmi i Fundit, Lajme Shqip, Gazeta, Informacione nga Shqiperia

Vendimi i CAS, Meta: U vendos drejtësia, triumfoi sporti mbi urrejtjen

meta-lgi-grate“Vendosje të drejtësisë dhe triumf të sportit mbi politikën e urrejtjen”, e cilësoi sot kryetari i Kuvendit, Ilir Meta vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv që i dha 3 pikët Shqipërisë për ndeshjen ndaj Serbisë.
“Ky vendim jo vetëm na jep një nxitje të jashtëzakonshme, por në radhë të parë na lehtëson nga dhimbjet e jashtëzakonshme që na shkaktoi padrejtësia, dhimbje që i shkakton dhe politika dhe urrejtja kur ndërhyn në sport, në futboll e në fushën e lojës, sikurse ndodhi në ndeshjen e fundit në Beograd të Kombëtares sonë”, u shpreh Meta në një deklaratë për gazetarët.
“Me këtë rast doja të uroja gjithë ekipin kombëtar, presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka ia bëra këtë urim më parë, por po ashtu dua të uroj gjithë shqiptarët kudo ku janë pasi sot janë të lumtur, të lehtësuar e të gëzuar, jo thjesht për tre pikët, por në radhë të parë për vendosjen e drejtësisë dhe triumfin e sportit mbi politikën e urrejtjen, që shpesh përçon në vendet e në rajonin tonë “, tha kryetari i Kuvendit.

Një urim të veçantë Meta i drejtoi trajnerit De Biasi dhe FSHF-së për këmbënguljen dhe profesionalizmin me të cilën e ndoqi çështjen ne instancat e larta te sportit  europian.

“Uroj trajnerin tonë shqiptaro-italianin De Biasi, i cili e besoj se ndihet edhe më shqiptar pas këtyre tre pikëve të fituara, ndersa një urim të veçantë e kam për FSHF-në(të cilën një pjesë e jona mund ta ketë paragjykuar, përfshi ketu dhe mediat), qe me shumë qetësi, këmbëngulje, vendosmëri e profesionalizëm nuk e humbi asnjëherë besimin tek drejtësia, pavarësisht nga vendimi i  padrejtë që u mor më parë, dhe arriti të çojë provat e duhura”, tha Meta.

Leave A Reply

Your email address will not be published.