Dergohet ne gjyq xhihadisti i penduar me prejardhje nga Kosova

Kosovë&Rajon

isisPara një gjyqi në Düsseldorf ka filluar procesi kundër Nezet S. për shkak të pjesëmarrjes së tij në luftën e Sirisë në anën e organizatës terroriste “Shteti Islamik”.

Nezet S. është 22-vjeçar, i rritur në Mühlheim afër Düsseldorfit dhe me origjinë nga Kosova.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Në rrethin e tij social në Gjermani atë e kanë quajtur “Selafisti nga Mühlheimi”, duke iu referuar fanatizmit fetar që propagandohet sidomos nga Arabia Saudite.

Që nga e mërkura, Nezet S. gjendet para gjyqit në Düsseldorf, i akuzuar se ka kryer vepra që rrezikojnë shtetin gjerman. Dhe këto vepra ai dyshohet t’i ketë kryer në Siri, si luftëtar i “Shtetit Islamik”.

Portali “Der Westen” shkruan se para trupit gjykues ky kosovar la përshtypjen e një të riu naiv dhe absolutisht të paditur. Ai tha se kishte dëgjuar se në “Shtetin Islamik” do të mund të flinte sa të donte, do të kishte femra sa t’i donte zemra dhe do të kishte mundësi të shijonte natyrën e bukur, transmeton Dialogplus.ch.

“Kam dashur të kem shumë femra”, tha Nezet S., por edhe të “kryejë obligimin tim” dhe “t’u ndihmojë vëllezërve”. Me paratë e kursyera ai kishte blerë një biletë avioni dhe kishte shkuar para një viti në Turqi.

Nezet S. s’kishte dashur të shkonte në shkollë pasi kreu klasën e 9-të. Ai ra në sy të autoriteteve me vjedhje, lëndime trupore dhe si shpërndarës i Kuranëve. Ai nisi të bart veshje arabe dhe lëshoi mjekrën – ndonëse para gjyqit u ankua: “Nuk e kam leshin e fytyrës të mirë”.

Mes tjerash ai braktisi shkollën edhe për shkak të agjitacionit.

Brenda një viti, prej një fëmije që s’dinte asnjë lutje të fesë islame, ai u bë radikal dhe nisi të shoqërohej me shpërndarës Kurani nga qyteti i Essenit.

Ata e mësuan Nezet S. si të lutej pesë herë në ditë, si të bënte gjithçka për Allahun, si të kërkonte ndjesë për deliktet e kryera dhe si t’u dilte në ndihmë “vëllezërve në Siri”.

Këtë e thotë Nezet S, i cili nuk di aq as për vendlindjen e prindërve të tij – e lëre më për Sirinë.

Para trupit gjykues ai përmendi pesë shtyllat e fesë islame, por nuk qe në gjendje t’i numërojë.

Ai pranoi se nuk dinte gjë për Sheriatin, të drejtën islame, dhe shtoi: “Më kanë thënë se është ligj i Zotit t’ia heqësh qafën të tjerëve”.

Një ndërmjetësues i kishte folur me entuziazëm Nezet S. për Sirinë dhe i kishte dhënë këshilla si të gjejë hotelin, një numër telefoni, autobusin për të kaluar kufirin.

Sapo kishte arritur në zonën e luftës, ai kishte dëgjuar përleshjet. Ditën tjetër kishte parë tanke, vrima nga armët, gjurmë gjaku. Nezet S. shumë shpejt u pendua për udhëtimin e tij në Siri.

“Do të kisha vdekur atje me 21 vjet dhe s’do të kisha parë më kurrë familjen time”, tha ai.

Kosovari nga Gjermania qëndroi në parajsën e rrejshme të “Kalifatit” vetëm 16 ditë, pastaj u largua me autobus. Diku u takua me prindërit e tij dhe u kthye në Mühlheim. Avokati thotë se klienti i tij ka ndryshuar dhe e ka kuptuar se nuk duhet t’u hiqet koka njerëzve.

Prokurori i rastit dyshon në versionin e rrëfyer nge Nezet S. Pas kthimit në Gjermani, policia e kishte vëzhguar një muaj xhihadistin e penduar para se ta arrestonte.

Portali “Der Westen” bën me dije se policia ka edhe disa incizime ku Nezet S. shihet me uniformë, me armë dhe me flamurin e zi të “Shtetit Islamik”. Procesi pritet të vazhdojë deri në shtator. (express)

ME TE LEXUARAT