Kryeministri serb i gatshëm të shkojë në Srebrenicë

Bota

vucicKryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të shkojë në Srebrenicë më 11 korrik për të marrë pjesë në përkujtimin e masakrës në atë qytet në vitin 1995. Ai tha se ishte vendim i njëzëshëm i qeverisë së tij që ai të marrë pjesë. Vendimi u shpall pak pasi që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shtyu për të mërkurën debatin për një projekt rezolutë mbi Srebrenicën.

“Sonte qeveria vendosi njëzëri që, nëse krijohen kushtet, unë do të përfaqësojë Serbinë në Srebrenicë më 11 korrik”, tha kryeministri serb.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shtyu për të mërkurën votimin e rezolutës që e cilëson masakrën e Srebrenicës si gjenocid, ndërsa Britania e Madhe si hartuese e saj dhe Shtetet e Bashkuara po përpiqen të bindin Rusinë që të mos vërë veto.

Pjesëmarrja e kryeministrit serb në ceremoninë e 11 korrikut në lindje të Bosnjës, shihet si një hap drejt ripajtimit në hapësirat e ish Jugosllavisë pas luftërave të viteve të 90-ta që lanë pas vetes rreth 135 mijë të vrarë.

“Kur po flisja për kushtet, po mendoja për qëndrimin e Qamil Durakoviçit, (kryetari i Srebrenicës), nënat e viktimave dhe anëtarin mysliman të presidencës boshnjake”, tha ai.

Zoti Durakoviç dhe përfaqësues të tjerë boshnjak kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e kryeministrit serb, posaçërisht pas arrestimit në Zvicër të komandantit të luftës në Srebrenicë Naser Oriç, në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia nën akuzat për krime lufte.

Ish presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, mori pjesë në pesëmbëdhjetë vjetorin e masakrës në Srebrenicë në vitin 2010, por kryeministri Vuçiç, një ish nacionalist, është më i afërt me ideologjinë e Serbisë së madhe që ishte shkaktarja kryesore e gjakderdhjeve.

Më 11 korrik të vitit 1995, trupat e serbëve të Bosnjës, pushtuan Srebrenicën, një qytet që ishte shpallur “zonë e sigurt” nga Kombet e Bashkuara, duke ekzekutuar rreth tetë mijë mysliman boshnjak.

Në vitin 2010, Serbia e pranoi se në Srebrenicë ka ndodhur “një krim i rëndë” dhe e dënoi masakrën në kuadër të përpjekje për t’u afruar me perëndimin, por nuk e cilësoi atë si gjenocid.

Kryeministri serb tha se ka marrë garanci që rezoluta për Srebrenicën që ai e cilësoi si “poshtëruese” për Serbinë dhe Republikën Serbe në Bosnjë, nuk do të miratohet “në formën aktuale”. Ai falënderoi Rusinë, Kinën, Venezuelën e Angolën për qëndrimin kundër rezolutës.

“Më duhet të them se partnerët rus nuk kërkuan asgjë në këmbim”, tha ai.

Serbia është vënë në mes të synimeve për integrimet në Bashkimin Evropian dhe lidhjeve emocionale e kulturore me Moskën, posaçërisht për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës perëndimore.

Për shkak të kësaj qasjeje ajo ka refuzuar të mbështesë sanksionet evropiane ndaj Rusisë për shkak të Ukrainës.

ME TE LEXUARAT