Beqaj: Standard i ri shërbimi në Qendrën Kombëtare të Traumës
Ministri i Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj mori pjesë në përurimin e pajisjes së re moderne ekzaminuese të Rezonancës Magnetike në spitalin e Traumës në Tiranë."Kjo pajisje e re dhe moderne plotëson nevojat për ekzaminime imazherike në Qendrën Kombëtare të Traumës në Shqipëri. Rezonanca Magnetike do të shërbejë për rastet e urgjencës, por edhe zgjerojmë ofertën e këtij ekzaminimi të nevojshëm në spitalet tona publike edhe për rastet e planifikuara", u shpreh ministri Beqaj.
Në këto 20 muaj qeverisje, janë investuar 1.6 milion dollarë në Spitalin e Traumës, duke rivënë në pune skanerin ekzistues, duke instaluar para disa javësh nje skaner të ri dhe tashmë rezonancën magnetike, duke fuqizuar shumë pajisjet ne reanimacion dhe duke zgjeruar bazën laboratorike.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
"Shpresoj që sezoni që sapo fillon do të ketë një shërbim më të mirë me vënien në punë këtu të rezonancës dhe nuk do të jetë më e nevojshme që paciëntët të lëvizin në spitalet e tjera publike apo jopublike", tha kreu i Shëndetësisë.
Beqaj konfirmoi angazhimin e Qeverisë dhe punën në drejtimin e duhur për të përmirësuar ndjeshëm shërbimin spitalor, qoftë në Spitalin e Traumës, në Spitalet Universitare por edhe në spitalet e tjera Rajonale.
"Ne tashmë kemi në Qendën Kombëtare të Traumës një standard të ri, më cilësor për t'ju ofruar shërbimin qytetarëve, por edhe që mjekët të ndihen më të sigurtë dhe të shprehin në mënyrën më të saktë aftësitë e tyre", tha ministri i Shëndetësisë.
Drejtori i Spitalit të Traumës vlerësoi vëmendjen e posaçme të Qeverisë për këtë Qendër Kombëtare.
"Spitali i Traumës jo vetëm që nuk kishte rezonancë më parë, por në 2013 nuk ka patur as skaner. Është një investim i madh i Qeverisë Shqiptare dhe duam të falënderojmë Ministrinë e Shëndetësisë për impenjimin që ka patur për shtimin e aparaturave për diagnostikimin sa më të madh të pacientëve. Rezonanca e kompleton spitalin me te gjitha ekzaminimet e nevojshme, urgjente dhe te planifikuara dhe do të ulim rradhët e pritjes edhe në spitalet e tjera", tha Dr. Gjovalin Bushi, drejtor i spitalit të Traumës.
I pyetur nga gazetarët për investime të tjera në këtë spital, ministri i Shëndetësisë u shpreh:
"Kanë përfunduar të gjitha procedurat që për një financim të fjetur që në vitin 2006 të Qeverisë Italiane prej 5 milion eurosh, që i ndryshon radikalisht të gjithë pajisjet e këtij spitali, gara të hapet brenda verës".
I pyetur nga gazetarët në lidhje me drejtimin e ri të FSDKSH-së pas dorëheqjes së ish-drejtorit Beci, ministri i Shëndetësisë u përgjigj: "Që nga dje, Këshilli Administrativ i Fondit ka komanduar në detyrën e drejtueses zv.ministren e Shëndetësisë, znj. Milva Ekonomi, derisa të bëhen procedurat normale deri në zgjedhjen e drejtuesit të ardhshëm".