G7, Obama dhe Merkel: Sanksionet ndaj Rusisë mbeten në fuqi

Bota

g-7Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel janë pajtuar që sanksionet ekonomike kundër Rusisë duhet të mbesin në fuqi deri në “zbatimin e plotë” të marrëveshjes së armëpushimit Minsk II.

Kështu njofton Shtëpia e Bardhë, duke shtuar se sanksionet do mbesin në fuqi, derisa Rusia të respektojë plotësisht sovranitetin e Ukrainës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Obama dhe Merkel janë takuar më 7 qershor, para fillimit të punimeve të samitit të 7 vendeve më të industrializuara (G7).

Duke folur në samitin e G7-tës, Merkel tha se Moska duhet të qëndrojë jashtë G7-tës “komunitetit të vlerave”, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

Samiti dy ditorë pritet të prodhojë një deklaratë të përbashkët të të gjithë pjesëmarrësve mbi çështjen e Ukrainës.

“Sanksionet mund të hiqen vetëm nëse kushtet në të cilat ato ishin imponuar që të vendosen nuk do të jenë më prezente dhe problemet të jenë zgjidhur”, ka thënë Merkel për televizionin publik gjerman.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj evropianë kanë vendosur një sërë sanksionesh ekonomike kundër Rusisë, pas aneksimit të gadishullit të Krimesë në Ukrainë vitin e kaluar.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha se në takimin në mes Obamas dhe Merkel, i cili ka zgjatur 45 minuta është biseduar për çështjen e Rusisë dhe Ukrainës.

Presidenti Obama është takuar edhe me kryeministrin britanik David Cameron dhe ka deklaruar se mund të ketë një zgjidhje “paqësore dhe diplomatike” për çështjen e Ukrainës.

“Por kjo do të kërkojë që Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe partneriteti transatlantik, si edhe e gjithë bota, të qëndrojnë vigjilentë dhe të fokusuar në rëndësinë e mbështetjes së parimit të sovraniteti dhe integritetit territorial”, ka thënë Obama.

Marrëveshja e armëpushimit e Minks-ut e arritur në muajin shkurt, që prej fillimit ka qenë e brishtë, pasi që në lindje të Ukrainës ka pasur luftime sporadike.

Kievi dhe Perëndimi e kanë akuzuar Rusinë se po furnizon me armë dhe trupa separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës, akuza këto që Rusia i ka hedhur poshtë.

Në grupin G7 bëjnë pjesë Gjermania, Britani, Franca, Italia, Japonia, Kandaja dhe Shtetet e Bashkuara. Më parë ky grup njihej si G8, ku bënte pjesë edhe Rusia, por pas aneksimit të Krimesë ajo u përjashtua.

Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk ka thënë se Rusia mund të kthehet në grupin e vendeve më të industrializouara, por se sipas tij, ajo duhet të ndërrojë politikën e jashtme.

ME TE LEXUARAT