Veliaj: Puna e vetme e kryetarit të Bashkisëe në 4 vjet, i dha leje ndërtimi vetes

Aktualitet

veliajDuke folur për ndotjen e mjedisit në Tiranë dhe programin e tij mbi këtë çështje, kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, tha sot se nuk ka asnjë dyshim pse kryeqyteti i Shqipërisë është një nga vendet më të ndotura të Europës.“Për çdo qytetar që është çuar sot në mëngjes dhe ka lexuar faqet e para të të gjitha gazetave, nuk është habitur pse jemi këtu ku jemi. Në një qytet ku e vetmja punë që kryetari i Bashkisë ka bërë në 4 vjet, është që i ka dhënë leje vetes së vet për të ndërtuar katin e 13 aty ku ka shtëpinë në katin e 12, nuk ke çfarë pret tjetër. Një kryetar bashkie që jeton tërë kohën në Hollandë, vjen në Shqipëri si turist dhe kur vjen ka vetëm dy arsye: ose t’i japë leje ndërtimi vetes së tij duke shtuar ndotjen e duke rritur betonizimin e qytetit ose të thërrasë ‘te sheshi te sheshi’. Ne nuk na duhet një kryetar bashkie që punon vetëm për veten, nuk na duhen njerëz që qëllimin e vetëm kanë si të shtojnë katet e shtëpive apo klinikave të tyre. Ne na duhen njerëz që janë në Tiranë 24 orë në ditë dhe 7 ditë të javës, në krye të punës”, deklaroi Veliaj, duke iu referuar publikimit në media të lejes së ndërtimit të kryebashkiaku Lulzim Basha i ka dhënë vetes në 1 gusht 2014, për të shtuar edhe një kat në pallatin ku jeton.

Sipas Veliajt, qyteti që kemi sot është dëshmi e kësaj katastrofe, e faktit se zgjedhjet në 2011 u vodhën, duke thënë se qytetarët janë të parët “ndërkohë që, ja ku jemi sot pas 4 vitesh, të vetmit që ishin të parët ishte kryetari i Bashkisë, Shkëlzeni me kalë, ndërtimet te diga e Liqenit dhe të gjithë doktorët që ndërtuan klinika ku s’kalon dot asnjë ambulancë apo zjarrëfikse. Ky është realiteti i qytetit që kemi trashëguar sot”, deklaroi Veliaj.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Duke shpjeguar programin e tij për të ulur ndotjen mjedisore në Tiranë, Veliaj tha se do të reduktohet trafiku, nëpërmjet promovimit të përdorimit të mjeteve alternative të transportit dhe duke shtuar sipërfaqet e gjelbra. Ai tha se qyteti do të pastrohet rregullisht, mbeturinat do të mblidhen në orare, si dhe do të vendosen sistemet e detyrueshme të filtrimit, do të ndërtohet një impiant për përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve, por edhe ndërtimi i një impianti modern për përpunimin e ujërave të zeza.

Pikat e programit kundër ndotjes mjedisore:

- Reduktojmë trafikun, promovojmë përdorimin e mjeteve alternative të transportit dhe shtojmë sipërfaqet e gjelbra;

- Garantim i pastërtisë së rrugëve dhe hapësirave publike;

- Mbledhje e mbeturinave në oraret me më pak lëvizje;

- Vendosja e detyrueshme e sistemeve të filtrimit;

- Ndërtim i një impianti për përpunimin dhe riciklimin e mbetjeve;

- Pastrim nga mbetjet i lumenjve në territorin e Tiranës;

- Ndërtim i një impianti modern për përpunimin e ujërave të zeza.

ME TE LEXUARAT