Veliaj: Në 4 vjet, bashkia nuk u pagoi as sigurimet ekipit të Tiranës

Politikë

veliaj9Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, premtoi sot zgjidhjen e 310 probleme të identifikuara në Njësinë 3 që kanë të bëjnë me rrugët e shkatërruara, higjenën dhe pastrimin nga mbeturinat, objektet arsimore dhe çështjen e legalizimeve. Gjatë takimit të zhvilluar pasditen e sotme për prezantimin e programit për këtë njësi, Veliaj vuri në dukje problemet e shumta që lidhen me infrastrukturën, ku sipas tij, janë identifikuar 20 hapësira parkimi abuzive që do të çlirohen.

Sipas tij, në hartën e problematikave janë listuar 14 hapësira publike të uzurpuara, të cilat do t’i kthehen publikut një orë e më parë. “Ne e dimë kush jeni, nuk do ta keni mbështetjen e bashkisë nga 21 qershori për t’i zënë frymën njerëzve. Sapo të ketë filluar punën bashkia, Policia Bashkiake do të jetë aty bashkë me INUV për t’i liruar ato”, tha Veliaj për t’i dhënë zgjidhje problemeve të identifikuara për infrastrukturën. Ai shprehu shqetësimin për 12 probleme me ujësjellës – kanalizimet që kanë nevojë për ndërhyrje emergjente.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Një tjetër kategori që do të shikohet me prioritet nga kandidati Veliaj në krye të Bashkisë së Tiranës për Njësinë 3 do të jetë ndërhyrja në godinat arsimore të kësaj zone. “Kopshti Nr. 1 është i mbipopulluar, pasi nuk ka kopshte mjaftueshëm, por as çerdhe. Ndaj do ndërtojmë një kopësht të ri në zonën te Kodra e Priftit për t’i shërbyer kësaj zone, për t’u siguruar që do të kemi dy herë më shumë shërbime për kopshtet”, premtoi Veliaj. Ai tha se do të rehabilitohet shkolla 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjes” dhe shkolla e mesme “Çajupi”, si dhe hapësirat sportive të shkollës.

Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës deklaroi se janë identifikuar 40 probleme në këtë njësi, që lidhen me hapësirat argëtuese. Ne kemi identifikuar 16 hapësira të pashfrytëzuara që kanë potencial të shndërrohen në hapësira rekreative, hapësira për fëmijë, të rinjtë dhe për të moshuarit. Janë identifikuar 17 hapësira, ku ose ka kënde lojërash të amortizuara ose ka potencial për të ndërtuar kënde të reja lojërash. Janë identifikuar 6 hapësira me mungesë totale gjelbërimi”, theksoi Veliaj, duke premtuar ndërhyrjen në këto hapësira.

Ai vuri në dukje të tjera probleme si: 77 rrugë të amortizuara dhe me gropa; 26 trotuare të dëmtuara dhe të amortizuara; 42 puseta që mungojnë dhe 17 rrugë ku mungon tërësisht ndriçimi. Në total, kandidati i majtë tha se janë 176 probleme në rrugët e Njësisë 3 që kërkojnë ndërhyrje emergjente me fokus të madh në rrugët brenda lagjeve. Për çështjet e higjenës dhe pastrimit, sipas tij, janë identifikuar 4 lokalitete në kontrollin total të kafshëve të rrugëve, 12 hapësira ku në mënyrë sistematike nuk pastrohen mbeturinat dhe 12 tregje jashtë standardeve higjeno-sanitare. “Çështja e higjenës dhe pastrimit është një çështje jetike. Në rrjetet sociale u shfaq një foto e cila tregonte Bashkinë e Tiranës duke nxjerrë një gomar të ngordhur nga Liqeni Artificial. Kjo është e paimagjinueshme. Liqeni u bë sot një skenë horror”, deklaroi Veliaj.

Krahas projekteve lokale, ai tha se Njësia 3 do të mund të përfitojë nga projekti i Ministrisë së Arsimit për kthimin e shkollave në qendër komunitare dhe masterplanin e biçikletave dhe këmbësorëve. Nga ana tjetër, kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, solli në vëmendje edhe çështjen e klubit të futbollit “Tirana”, e cila siç tha ai, prej katër vitesh nuk u paguhen sigurimet. “Nuk e di a e dëgjuat mbrëmë Presidentin e Tiranës, i cili tha se në 4 vjet bashkia më ka dhënë 3.6 milionë lekë të vjetra, kur shpenzimet janë 1 milionë dollarë në vit. Si ka mundësi që djemve të këtij qyteti nuk u paguhen sigurimet shoqërore? Imagjinoni, Bashkia është shtet që punon në të zezë”, deklaroi Veliaj.

Duke prekur çështjen e gjelbërimit, ai kërkoi nga kryebashkiaku aktual Lulzim Basha që t’i anulojë që tani ato 60 lejet e ndërtimit. “Pse gënjejnë më kot njerëzit? E kanë zakon nga i pari tyre, që shkatërroi për 8 vjet Shqipërinë, dhe mendojnë se njerëzit harrojnë çfarë bënë në 8 vite kur kishin pushtetin qendror dhe në 4 vite kur shkatërruan Tiranën. Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron. Janë po të njëjtët, vishen si ‘dele’ në fushatë, ndërkohë që vetë ndërtojnë pa leje. Vishen si dele në fushatë, ndërkohë që këtej japin leje betoni”, tha Veliaj.

ME TE LEXUARAT