Prishtina kërkon përgjigje zyrtare nga Shkupi për ngjarjet në Kumanovë

Kosovë&Rajon

jahjagaPresidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri, Isa Mustafa shprehin shqetësimin e tyre të thellë dhe dënojnë çfarëdo përfshirje të shtetasve të Republikës së Kosovës në incidente në Republikën e Maqedonisë që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe shteteve fqinje, duke vënë në sprovë paqen dhe sigurinë dhe duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.

Pas një takimi të sotëm, presidentja Jahjaga dhe kryeministri Mustafa bëjnë thirrje për hetim transparent dhe kredibil të ngjarjeve të fundit, duke shprehur gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës të vazhdojnë të ofrojnë ndihmën e tyre të plotë për të zbardhur këto zhvillime të fundjavës në qytetin e Kumanovës.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Mekanizmat e drejtësisë dhe sigurisë të Kosovës kanë kërkuar nga homologët e tyre maqedonas detaje lidhur me incidentet e fundjavës dhe janë në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga ta”, thuhet në deklaratën e përbashkët për media të presidentes dhe kryeministrit.

Më tej, në komunikatë thuhet se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për një Maqedoni shumetnike, stabile, të përkushtuar për të drejta të barabarta të të gjitha komuniteteve dhe zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, e orientuar fuqishëm në rrugën evropiane dhe euroatlantike, me të cilën gëzon marrëdhënie të mira ndërshtetërore.

“Presidentja Jahjaga ka zhvilluar në vazhdimësi takime me Kryeministrin Mustafa dhe krerët e mekanizmave të sigurisë për të diskutuar këto zhvillime dhe për të bashkërenduar veprimet institucionale brenda Kosovës, përfshirë ndërmarrjen e masave të sigurisë. Institucionet e Kosovës shprehin keqardhjen e tyre familjeve të viktimave dhe të lënduarve dhe bëjnë thirrje për respektim të plotë të ligjit dhe përmbajtje nga dhuna”, thuhet në komunikatë.

ME TE LEXUARAT