Ushtria nis deminimin e fushave të minuara

Kosovë&Rajon

kosKompania e Deminimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës filloi sot operacionet për deminim humanitar dhe pastrimin e fushëbetejave në tri lokacione të ndryshme, ku është paraparë fillimi ose edhe vazhdimi i punës për pastrimin e fushave të minuara dhe fushëbetejave.

Sipas një njoftimi nga Ministria e FSK-së, kompania e Deminimit, sipas planit operacional ka filluar punën dhe aktivitetet me tre ekipe në terren, në tri lokacione: në Zagerm të komunës së Pejës dhe në Ferizaj, do të kryhet pastrimi i fushëbetejave(BAC), ndërsa në Seqishtë të komunës së Hanit të Elezit do të kryhen operacionet e deminimit humanitar.

“Kompania e deminimit gjatë sezonit dimëror, atëherë kur kushtet atmosferike nuk lejojnë operacionet në terren, vazhdimisht, për çdo vit angazhohet në fushatë vetëdijesimi për rrezikun nga minat dhe mjetet e tjera eksplozive të pashpërthyera. Pjesëtarët e kompanisë së deminimit, kanë mbajtur ligjërata në shumë prej shkollave fillore në disa komuna; Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan, ku i kanë njohur nxënësit mbi rrezikun nga mjetet eksplozive të shpërthyera, si dhe i kanë udhëzuar për proceduarat që duhen ndjekur në rastet se i hasin ato”, thuhet në komunikatë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Gjatë vitit 2014, kompania e Deminimit me operacione të suksesshme në deminim humanitar dhe pastrim të fushëbetejave ka pastruar 375,324 metra katrorë sipërfaqe dhe ka asgjësuar 569 mjete shpërthyese të pashpërthyera.

Ndërsa ekipet për eliminimin e mjeteve të pashpërthyera në kuadër të kompanisë së Deminimit, të cilat kujdeen 24 orë gjatë 7 ditëve të javës, në Prizren dhe Pomozotin ka pranuar brenda vitit 2014, 360 thirrje për ndërhyrje si dhe kanë asgjësuar 449 mjete eksplozive të pa shpërthyera.

ME TE LEXUARAT