Reforma në energji, Banka Botërore: Jeni në rrugën e duhur

Aktualitet

gjiknuriMinistri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri priti në takim Patrizio Pagano, drejtor Ekzekutiv pranë Bankës Botërore në Washington.

Pagano shoqërohej në këtë takim edhe nga Drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë zonja Tahseen Sayed.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Gjiknuri njohu drejtuesit e Bankës Botërore me hapat dhe masat e ndërmarra nga qeveria në kuadër të reformës në sektorin e energjisë elektrike. Ai deklaroi se janë kryer një sërë veprimesh që çojnë në rritjen e likuiditetit në sektor, përmirësimin e aspektit financiar dhe nxjerrjen e tij sa më shpejt nga kriza.

Ministri Gjiknuri nënvizoi se reformat në energji kërkojnë kohën e tyre për tu ndërmarrë dhe për të patur rezultate të konsoliduara ndërsa qeveria shqiptare është e angazhuar seriozisht në këtë drejtim.

Pagano i konsideroi mjaft të rëndësishme masat e marra nga qeveria në drejtim të stabilitetit financiar të sektorit, rritjes së nivelit të arkëtimeve dhe reduktimit të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes.

Gjiknuri u shpreh se qeveria e ka një plan të gjërë tanimë për të adresuar të gjitha sfidat e sektorit me seriozitetin maksimal. Ai falenderoi edhe Bankën Botërore për mbështetjen që po i jep qeverisë në drejtim të kryerjes së këtyre reformave.

“Shoh se ka një interes në rritje për investime në të gjithë portofolin e energjisë në Shqipëri por është me shumë rëndësi që sektorit së pari ti konsolidohet disiplina financiare”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ai nënvizoi se përmes projektit të Bankës Botërore për Rimëkëmbjen Energjitike por edhe me fondet e vet kompanive KESH, OST dhe OSHEE do të mund të kryhen investime konkrete në terren të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji për qytetarët.

Drejtuesit e Bankës Botërore deklaruan se sfida e qeverisë shqiptare në sektorin energjitik është e rëndësishme dhe deri më tani po ecet në rrugën e duhur.

ME TE LEXUARAT