Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Rama shpërndan tapi, jep 600 legalizime në “Don Bosko”

rama-permbytjetBanorët e apartamenteve të kullave Haëai në Tiranë, morën sot në dorëzim lejet e legalizimit, pas dy dekadave pritje. 600 leje legalizimi u shpërndanë sot për dy prej kullave në zonën Don Bosko. Ndërkohë që janë 1520 familje që përfitojnë, më të njëjtën procedurë legalizimi që është ndjekur për 14 kulla në Tiranë dhe për 4 në Durrës.

Kryeministri Rama së bashku me Ministren e Turizmit Eglantina Gjermeni, Drejtorin e Përgjithshëm te ALUIZNI-t Artan Lame ishin sot me banorët e lagjes “Don Bosko” për t’u dorëzuar personalisht lejet e legalizimit.

Drejtori i ALUIZNIT Artan Lame, shpjegoi se në procesin e legalizimit të këtyre ndërtimeve hasën në një kaos të vërtetë dokumentacioni, me mungesa dhe kontrata të parregullta. “Na u desh të bënim disa akte ligjore dhe nënligjore për ta bërë të mundur procesi dhe për ta futur në rrugën e zgjidhjes. Një pjesë e tyre ishin pa asnjë dokument, disa objekte prej tyre, për pjesën më të madhe nuk ekzistonin fare projektet e ndërtimit. Të gjithë banorët kishin lidhur kontrata, por në një pjesë prej tyre kontratat ishin o të paplota, o të papërfunduara.”

Kryeministri iu dorëzoi vetë lejet qytetarëve të pranishëm. Shumë prej tyre i morën ato, në emër të familjarëve të tyre emigrantë, duke ju përcjellë atyre prej së largu, gëzimin e një ëndrre të plotësuar. “ Kjo është shtëpia e vëllait. U bënë 8 vite që pres t’i çoj një lajm të mirë vëllait që kam në Angli. Atij i them nga kjo sallë- se ëndrra jote u bë realitet”, – u shpreh Zemrie Heta, – duke falënderuar me mirënjohje te gjithë punonjësit, dhe drejtuesit e ALUIZNIT ”.

Sokol Alushani, ndërsa mori në dorëzim lejen e shumë pritur u shpreh se kjo gjë ia shtonte më shumë besimin në të ardhmen. “Fakti që po bëhen realitet këto, na bind që në të ardhmen do të jemi më mirë akoma”

Ndërkohë që kryeministri sqaroi për banorët se tashmë ata kanë në zotërim prona të vërteta, të cilat mund t’i përdorin për të zhvilluar edhe më shumë ekonominë e tyre. “Është e rëndësishme të theksohet për procesin. Për ju që jetoni në pallate nuk ka qenë asnjëherë problem që “do ma prishin, s’do ma prishin”. Kjo leje duhet për një arsye tjetër. Në momentin kur apartamenti apo njësia e shërbimit hipotekohet, pra bëhet pasuri e patundshme, nga ai moment, ti, familja jote ke mundësi që të shkosh në bankë dhe të kërkosh një kredi për të hapur një biznes të vogël, për të mbështetur studimet e fëmijës, për të blerë një makinë, për t’u bashkuar me dikë tjetër, atje nga zona ku ke ardhur, për të marrë pjesë si aksionerë në një fermë, etj. Pra, ky titull pronësie bën që shtëpia, nga një vend për të futur kokën ,që nuk figuron asgjëkund, kthehet në një pasuri që përdoret si kolateral në një bankë. E kjo është një vlerë e shtuar për çdo familje sepse nga momenti që familja disponon këtë pasuri të patundshme nuk është më pa asnjë gjë, por ka këto para që ka investuar, të kthyera në vlerën e kësaj letre, por kjo është një gjë me rëndësi të madhe për ekonominë kombëtare, sepse të gjithë ata që jetojnë në shtëpi të palegalizuara, faktikisht, gjithçka që kanë pasur e kanë kthyer në tulla dhe në llaç dhe janë në përgjithësi të varfër ose me vështirësi shumë të mëdha. Nga momenti që hipotekojnë pasurinë e tyre, ata kanë një pasuri. E me këtë pasuri mendojnë dhe zgjedhin vetë se çfarë do të bëjnë”.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet