Demaçi: “Epopeja e UÇK-së” mos të nëpërkëmbet

Kosovë&Rajon

demVeprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi, ka thënë për “Epokën e re” se kjo epope nuk bën as të nëpërkëmbët e as të harrohet nga askush.  “Kjo epope ka obligime të mëdha sepse është e lidhur me mbi pesë mijë djelmosha e vasha tona që vdiqën me armë në duar, në vija të frontit. Po ashtu, kjo epope është e lidhur edhe me mijëra e mijëra njerëz të tjerë të cilët ishin të pafajshëm, por që u vranë pabesisht e barbarisht nga çetnikët serbë. Politikanët tanë duhet ta kuptojnë se ‘Epopeja e UÇK-së’ nuk është vetëm në letër dhe në hava, por është një kujtim i cili nuk bën të nëpërkëmbet e të harrohet me do manifestime formale, kinse po bëjnë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Prekaz apo diku tjetër. Adem Jashari me shokë e kallën kryengritjen, kallën zëmrat djaloshare dhe i kallën krejt zemrat liridashëse edhe në botë. Këtu filloi kryengritja madhështore e UÇK-së, e cila na solli lirinë”, është shprehur Demaçi, duke shtuar se lufta e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari i tejkalon përmasat. “‘Epopeja e UÇK-së’ është përtej historikes. Po na i flasin do gjëra historike që nuk janë fare të tilla, ndërsa epopeja është përtej historike, sepse këtu u kall lufta të cilën nuk e kanë pritur shumë armiq tanë të cilët na kanë nënçmuar. Ka pasur edhe njerëz që e quanin veten president e kryeministër, por e mbivlerësuan Serbinë dhe e nënçmuan fuqinë e kombit dhe popullit të vet. Ata nuk patën besim dhe nuk vlerësuan se mund të fitohet lufta kundër çetnikëve të Serbisë. Prandaj, ‘Epopeja e UÇK-së’ është ngjarje historike me rëndësi të madhe, e cila i ndërroi rrjedhat e mëtutjeshme politike të Ballkanit”, ka theksuar Demaçi. Në këtë kontekst, ish-udhëheqësi i Zyrës Politike të UÇK-së, ka thënë se Gjermania me disa shtete të Evropës tashmë e kanë kuptuar se vetëm faktorizimi i shqiptarëve, çlirimi i plotë dhe bashkimi i tyre mund t’i zgjidhë problemet në Ballkan.

Më tutje, Demaçi ka thënë se falë angazhimit të populli shqiptar për liri, Kosova shpalli pavarësinë. “Nga entuziazmi i madh dhe nga mobilizimi i madh të cilin na imponuan, çetnikët dhe neofashistët e Beogradit, arritëm deri aty sa të angazhohet edhe bota mbarë për të shpëtuar një popull nga likuidimi dhe shfarosja. Me përkrahjen e Amerikës mike e shpallëm pavarësinë tonë para shtatë vjetëve. Faktikisht i mohuam të gjitha ato marrëveshje të kota, të cilat na ishin imponuar me zor nga disa miq e jarana tanë, të cilët nuk mendonin fort larg, por mundoheshin t’ia bënin qefin Serbisë”, është shprehur Demaçi, i cili është shfaqur kritik ndaj zhvillimeve politike në vend. “Ne sot jemi ende duke u palavitur me pengesat që po na imponohen nga çetnikët e Serbisë, të cilët i bënë të gjitha ato luftëra e gjakderdhje dhe përsëri u kthyen në pushtet dhe para syve të miqve tanë. Kjo nuk ka ndodhur shpesh që ata që i bëjnë luftërat dhe gjakderdhjet të sillen e pështillen e prapë të vijnë në pushtet”, ka deklaruar Demaçi, duke shtruar se Kosovën po e detyrojnë të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë, ndërsa zyrtarët e këtij shteti kanë thënë se nuk do ta njohin kurrë shtetin e Kosovës.  RTK

ME TE LEXUARAT