“Blloku” VAN kërkon 40 milionë euro për ndaljen e emigrimit

Kosovë&Rajon

bllokuuPartitë opozitare kanë kërkuar themelimin e Fondit për parandalimin e ikjes së qytetarëve të Kosovës, duke ndarë 40 milionë euro.

Me këto mjete, sipas VV, AAK dhe NISMA, do të krijoheshin kushte për hapjen e vendeve të reja të punës dhe kthimin e shpresë te qytetarët

Partitë opozitare, AAK-ja, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma, kanë kërkuar që prej nesër (e hënë) të fillojë zbatimi i Rezolutës për migrim.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Gjatë një konference për medie, përfaqësuesit e këtyre partive i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta themelojë fondin për ndaljen e migrimit.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se shpërngulja e qytetarëve nga Kosova, gjendja e rëndë ekonomike, shkalla e lartë e papunësisë dhe shkalla e lartë e varfërisë, janë pasojë e qeverisjes së keqe.

“Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të krijuar në Kosovë, AAK-ja, Vetëvendosje! dhe Nisma për Kosovën kërkojnë që prej nesër (e hënë) të fillojë zbatimi i Rezolutës së miratuar më shumicë votash në Kuvend dhe urgjentisht të themelohet fondi për parandalimin e migrimit, sepse me masa policore nuk mund të ndalet shpërngulja”, ka deklaruar Kadrijaj, raporton epoka e re.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Smajl Kurteshi, ka kërkuar nga Qeveria që të krijojë kushte për një jetë normale në mënyrë që qytetarët të mos e braktisin vendin.

“Këtë gjendje të rëndë dhe të pa shpresë për qytetarët e sollën qeveritë që prioritet i patën bisedimet me Serbinë dhe synim pasurimin e tyre të paligjshëm. Nëse Qeveria dëshiron të ndal shpërnguljen duhet ta vë në jetë Rezolutën, t’i ndaj 30-40 milionë euro për të hapur vende të punës ku përparësi do të kishin familjet, të cilat nuk kanë asnjë të punësuar”, ka deklaruar Kurteshi.

Ndërkohë, shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shpërngulen, por të bashkohen për ta ndryshuar gjendjen në vend.

“Kjo shpërngulje po ndodhë para syve të qeveritarëve tanë, pjesë e këtyre shpërnguljeve janë edhe bizneset, të cilat do ta rendojnë edhe më shumë gjendjen ekonomike në vend. Shpërngulja ka ardhur si rezultat i keqqeverisjes dhe koalicionit qeverisës. Shteti nuk ka qenë në shërbim të qytetarëve, por në shërbim të militantëve partiakë. Prandaj, Nisma për Kosovën i fton qytetarët që të mos shpërngulen, por të bashkohen për ta ndryshuar gjendjen”, është shprehur Bajrami.

ME TE LEXUARAT