Gjiknuri: Shqipëria mbështet projektin e gazsjellësit TAP

Aktualitet

gjiknuriNë Tiranë u mblodhën të martën përfaqësues të kompanive SOCAR, Shell, British Petroleum, WBIF, TAP AG, KESH, Albpetrol, ECS, DG Energy, EBRD për të diskutuar për studimin e fizibilitetit të masterplanit të gazit në Shqipëri. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri ftoi kompanitë të investojnë në Shqipëri. Ne synojmë, tha ai, që Shqipëria të kthehet në një nyjë lidhëse, në një hallkë për gazsjellësa të tjerë të mundshëm, që Shqipëria të jetë pjesë e intekonektorëve europiane në mënyrë që të ketë mundësi furnizimi të vazhdueshëm. “Qeveria e mbështet realizimin e projektit të gazsjellësit TAP, pjesë e korridorit jugor të gazit”, deklaroi Gjiknuri.

Qeveria, theksoi ministri, ka miratuar edhe kalimin e tokave shtetërore nga ku kalon tubacioni duke mundësuar tanimë nisjen e fazës së punimeve në terren për ndërtimin e rrugëve të aksesit. Në këtë linjë, Ministri insistoi se është me rëndësi të madhe që kompanitë vendase të mund të bëhen pjesë direkte e fazës së ndërtimit të rrugëve të aksesit në Shqipëri, por edhe në çdo fazë tjetër të projektit si nënkontraktorë. Një hap ky, që sipas tij, do të mund të ndikonte edhe më shumë në rritjen e përfitimeve për ekonominë tonë.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Qeveria shqiptare e sheh projektin TAP si një mundësi për diversifikimin e burimeve energjetike në vend dhe ndihmë për konsolidimin e sigurisë së furnizimit”, u shpreh Ministri Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri informoi edhe për bazën ligjore që po përgatit Shqipëria si për sektorin energjitik edhe atë të gazit. Shqipëria, tha ai, ka gati ligjin europian për gazin dhe menjëherë sapo në Parlament të kalojë ligji për sektorin e energjisë, do të pasohet nga ligji për gazin. “Shqipëria është duke ecur në drejtimin e legjislacionit europian. Këto ditë po diskutojmë në parlament ligjin për sektorin e energjisë elektrike, që është implementimi i paketës së tretë të energjisë. Të njëjtën gjë do bëjmë edhe me gazin. Projektligji është përgatitur edhe me mbështetjen e komunitetit të energjisë. Pasi të kalojë ligji për sektorin e energjisë elektrike do të pasohet nga ligji për gazin, kështu që baza ligjore e nevojshme do të jetë në vend, por kjo nuk është e mjaftueshme, sepse unë nuk besoj shumë se zhvillimi do të vijë nga paketa ligjore, por nga zhvillimi direkt në terren”, theksoi ai.

Na duhet një industri gazi e zhvilluar, vijoi Gjiknuri, që të jetë pjesë e portofolit energjitik.

Ndërkohë përfaqësuesi i kompanisë Socar, Murat Hey Darov, tha se projekti i gazsjellësit TAP mundëson një rrugë të re përsa i takon gazifikimit të Shqipërisë. Azerbajxhani, tha ai ka dhënë prej vitesh kontribut në këtë drejtim dhe ne do të zgjerojmë bashkëpunimin. Sipas tij, një nga objektivat tona është të ndihmojmë qeverinë shqiptare të hartojë masterplanin e gazit. Për këtë, informoi ai, është nënshkruar edhe një memorandum mirëkuptimi midis dy qeverive, asaj azere dhe shqiptare, për të kontribuar në masterplanin e gazit. Tryeza e sotme synon të optimizojmë punën tonë, të shmangim detyrimet e kota dhe të ecim me hapa paralel. “Synojmë të arrijmë në propozime dhe konkluzione, të konsolidojmë formatet në një rrjedhë të vetme dhe të kemi një proces të përkushtuar, të kemi zgjidhje praktike “, deklaroi Darov.

Sipas Darov, hapat konkret janë studimi i fizibilitetit, hartimi i masterplanit dhe zhvillimi i infrastrukturës. Për të arritur këtu, vijoi Darov, duhet të kuptojmë cilat janë kushtet, pritshmëritë, ofertat dhe kërkesat.

“Kur flasim për objektivat e korridorit jugor të gazit duhet të marrim në konsideratë eksportin si mundësi për të kontribuar në zhvillimin e vendeve. Zbatimi i projektit përbën një vlerë për hapjen e vendeve të punës, ndërtimin e infrastrukturës së re”, deklaroi Darov.

ME TE LEXUARAT