Krijuesi i Facebookut, Marck Zuckerberg dhe gruaja e tij Priscilla Chan do të dhurojnë 75 milionë dollarë në një spital në San Francisco.
Ai përmes rrjetit social njoftoi se çifti do t’i dhurojë të hollat në spitalin e përgjithshëm të San Franciscos, ku Chan ka punuar viteve të fundit.
“Ne besojmë se të gjithë meritojnë të kenë qasje në kujdesin shëndetësor me cilësinë më të lartë”, ka shkruar Zuckerberg në llogarinë e tij.
“Ky është spitali kryesor publik në San Francisco dhe është i rëndësishëm për komunitetin tonë. Më shumë se 70 për qind e familjeve që marrin kujdes aty janë të pasiguruar. Është i hapur për të gjithë që jetojnë, punojnë ose vizitojnë qytetin”, ka shtuar ai.
Zuckerberg ka shpjeguar se dhurimi i të hollave do t’i mundësojë spitalit rritjen e sallave të emergjencave.