Lajmi Fundit
LajmiFundit, Portal me Lajme nga Shqiperia

Shqipëria dhe Zvicra do të vazhdojnë bashkëpunimin në sektorin e energjisë

Ministri-Gjiknuri-ne-Fierze-323x200Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, ambasadori i Zvicrës në Tiranë, Christoph Graf dhe Drejtori i Kooraporatës Elektroenergjetike, Agron Hetoja, vizituan ditën e shtunë hidrocentralin e Fierzës. Ata u njohën nga afër me punët tanimë të përfunduara dhe me ato në vazhdim e sipër të financuara nga Zvicra në një nga burimet më të rëndësishme të energjisë në vend.

“Falënderoj qeverinë zviceranë për ndihmën që i kanë dhënë në vazhdimësi sektorit energjetik. Disa vepra të këtij kontributi ju patët mundësinë t’i shikoni edhe ditën e sotme. Janë investimet e kryera për përmirësimin e sistemit mekanik në të gjithë hidrocentralin. Me qeverinë zviceranë kemi një program intensiv edhe në diversifikimin e burimeve të energjisë, pra tek fusha e gazit ku do ofrohen mbi 6.5 milion franga zvicerane për gazifikimin e Shqipërisë”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Ministri u ndal edhe tek investimet që janë bërë nga vet Koorporata Elektroenergjetike në drejtim të sigurisë së digave. “Qeveria shqiptare së bashku me donatorët, ka një program intensiv për sa i përket sigurisë së digave. Këtë vit do të investojmë gati 20 milion dollare për sigurinë e këtyre digave”, tha ministri.

Duke u ndalur tek reforma në energjetike, Gjiknuri sqaroi se KESH ka nisur të mirëmenaxhohet. “Mjafton fakti se për herë të parë, menaxhimi i kuotave, hapja apo mbyllja e portave, nuk bëhet më me urdhër politik, por respektohet një më një rregullorja. Atëherë kur ka prurje të caktuara vendoset të bëhen edhe eksporte të energjisë, por edhe hapje të shkarkimeve të kontrolluara që të mos shkaktojnë përmbytje. Më parë urdhëroheshin me telefon që të mbaheshin kuota të caktuara për arsye gjoja të gjuajtura ekonomike”, nënvizoi ministri.

Ai garantoi qytetarët shqiptarë se deri më tani kaskada është menaxhuar mjaft mirë. “Nuk besoj të kemi përmbytje apo rreziqe që mund të vinë nga shkarkimet e pakontrolluara. Siç po e shikoni këtu, shkarkimet janë të kontrolluara, agregatët po punojnë me fuqi të plotë. Pra, po punojnë dhe po shitet energjia ditën dhe natën, një energji ose ujë që do të ikte dëm. Nga ana tjetër, po bëhet një shkarkim i kontrolluar që është i mjaftueshëm për të mbajtur balancën e pjesës së rezervuarit që të ngrihet në nivele shumë të vogla që janë të pranueshme. Sot jemi në kuotën 292.80 m dhe çdo gjë po menaxhohet e kontrollohet në ditë pas dite dhe orë pas ore nga KESH-i. Moti ka dhe të papriturat e tij por KESH po e monitoron situatën dhe autoritetet kanë marrë masat e tyre”, u shpreh ministri Giknuri.

Ndërkaq, ambasadori zviceran, Christoph Graf, përmendi disa rezultate të punës së bërë në kaskadën e Drinit me fonde dhe ekspertizë zvicerane përfshirë një gati 4% rritje të efiçiencës së turbinave të Fierzës, përmirësime në shpërndarje, reduktimin e ndërprerjeve, dhe investime në sigurinë e digave. Graf gjithashtu preku bashkëpunimin në vazhdim ku Zvicra vijon të asistojë në përmirësimin e monitorimit të digave përmes pajisjeve të avancuara dhe në diversifikimin e furnizimit energjetik duke zhvilluar një treg të gazit në kuadrin e projektit të Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP).

“E përgëzoj qeverinë e Shqipërisës për përfshirjen e fortë në reformën e energjisë. Kjo reformëmka nisur të japë rezultate të qarta në kuadër të sigurimit të furnizimit të vazhdueshëm për qytetarët. Une e mirëpres përkushtimin për të nxitur një ndryshim të sjelljes tek popullata. Gjithashtu, vlerësoj masat e shënuara për të mbrojtur grupet e prekshme. I inkurajoj autoritetet të ndjekin veprimet dinamike të kesaj reforme, në përputhje të plotë me rregullat, proçedurat dhe standardet e qeverisjes së mirë. Ne jemi gati për mbështetje të mëtejshme të autoriteteve shqiptare dhe institucioneve përkatëse për të kontribuar në përmirësime të sektorit energjetik”, tha ambasadori.

Një pjesë e madhe e takimeve dhe diskutimeve gjatë vizitës prekën bashkëpunimin e ardhshëm midis Zvicrës dhe Shqipërisë. Një nga fushat me interes të përbashkët është diversifikimi i furnizimit me energji përtej mbështetjes vetëm tek hidro-energjia si dhe rritja e efiçiencës dhe kursimit të energjisë. Drejt këtyre synimeve përkushtimi zviceran për periudhën 2014-2017 parashikon një buxhet prej rreth 7 milion euro.

Zvicra ka mbështetur thelbësisht Korporatën Energjetike Shqiptare në të shkuarën përmes investimeve në sigurinë e digave që ka rezultuar në rritje të sigurisë për gati 250,000 banorë që jetojnë në rrjedhën e poshtme të kaskadës së Drinit

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet