Lajmi Fundit
Lajmi i Fundit, Lajme Shqip, Gazeta, Informacione nga Shqiperia

Skema shmang tregtaret, OSHEE do të blejë energjinë nga KESH

oshePas situatës absurde të krijuar me shitblerjen e energjisë mes dy kompanive shtetërore dhe tregtarëve privatë, KESH dhe OSHEE kanë rënë dakord që të tregtojnë energji drejtëpërdrejtë me njëra-tjetrën. Në bazë të ligjeve në fuqi, KESH i shet energji Operatorit të Shpërndarjes vetëm për të përballuar nevojat e konsumatorëve të rregulluar, si familjarët dhe pjesa më e madhe e bizneseve.

Ndërsa pjesën humbjeve në rrjet, Operatori i Shpërndarjes është i detyruar ta zëvendësojë duke blerë nga importi. Por këto rregulla në raste të veçanta si ai i javës së fundit kur vendi ka rezerva të larta hidrike çojnë në një situatë absurde, e cila shkakton humbje të mëdha financiare për dy kompanitë shtetërore dhe rrjedhimisht qytetarët.

Ditët e fundit për shkak të rritjes së nivelit të ujit në kaskadën e Drinit, veç sasisë që furnizon për OSHEE, KESH u detyrua të shesë me urgjencë edhe tek privatët. Por përmes një çmimi deri në 30 euro për megavat. Ndërkohë që pak ditë para ankandit të KESH, vetë OSHEE për të mbuluar humbjet e bleu energjinë nga të njëjtat kompani me çmim 20 euro më të lartë. Përmes kësaj skeme vetëm për energjinë që është parashitur në dy javët e shkurtit, dy kompanitë shtetërore kanë humbur mbi 3 milionë dollarë, të cilat u fituan nga tregtarët privatë. Dhe në vetëm dy javë kjo humbje është sa 20 për qind e gjithë fondit vjetor që Qeveria u dha familjarëve për kompensimin e rritjes së çmimit të energjisë.

Përballë kësaj situate, me ndërmjetësimin e Ministrisë së Energjisë dy kompanitë shtetërore kanë vendosur të tregtojnë drejtpërdrejt me njëra-tjetrën për të shmangur privatët.

Top Channel ka mësuar se marrëveshja detyron Operatorin e Shpërndarjes që përpara se të hapë tender për të blerë energjinë me të cilën mbulon humbjet të kontaktojë fillimisht KESH dhe jo privatët. Po kështu edhe kesh përpara cdo shitje energjie është e detyruar që të kontaktojë në fillim OSHEE dhe më pas nëse kjo e fundit nuk ka nevojë, atëherë mund ta shesë tek privatët.

Marrëveshja paracakton edhe çmimin me të cilin KESH do ja shesë energjinë e tepër shpërndarjes. Sipas saj, çdo sasi do të kuotohet me çmimin mesatar të bursës hungareze në ditën që kryhet lëvrimi i energjisë. Megjithatë përara se të hyjë në fuqi marrëveshja mes dy kompanive duhet të marrë edhe miratimin e Entit Rregullator.

Leave A Reply

Your email address will not be published.