Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Forcat e ushtrisë së Kosovës, operacion humanitar në zonat e përmbytura

kosoveNjë kontigjent i Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC), të Forcës së Sigurisë së Kosovës u nis sot për në Republikën e Shqipërisë, për të ndihmuar në përballimin e situatës së krijuar nga përmbytjet në disa rrethe.
Dërgimi i kontigjentit të FSK-së u bë pas vendimit të ministrit Haki Demolli dhe me urdhër të Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, të cilët iu përgjigjën ftesës së qeverisë të Republikës së Shqipërisë, përkatësisht ministrisë së Mbrojtjes.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Kastrati ka angazhuar Regjimentin e Mbrojtjes Civile, që së pari si ndihmë fillestare të dërgojë një kontingjent në mbështetje të Ushtrisë Shqiptare për përballimin e situatës së krijuar pas vërshimeve në disa rrethe të Shqipërisë së mesme dhe të jugut.
Njësiti i FSK-së përbëhet nga pjesëtarë të specializuar dhe të stërvitur në mënyrë të shkëlqyer për Kërkim shpëtim në ujëra, si dhe të pajisur me mjete dhe teknikë speciale për t’u përballur me situata të tilla.
Në Ministrinë kosovare theksohet se ushtria shqiptare ka marrë të gjitha masat për pritjen e kontingjentit të FSK-së në pikëkalimin në Vërmicë-Morinë. “Kontingjenti ynë do t’i bashkohet operacionit në fshatin Merkuras të rrethit të Kavajës dhe aty ku e kërkon nevoja sipas vlerësimeve të ekspertëve ushtarakë të ushtrisë shqiptare”, bën të ditur Ministria FSK-së.

Kjo është përgjigja fillestare e FSK-së në ndihmë autoriteteve shqiptare, gjithashtu FSK-ja shpreh gatishmërinë që të mbështesë edhe më tutje me kontingjente të tjera të nevojshme, nëse kjo kërkohet nga qeveria Republikës së Shqipërisë.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme duke vlerësuar gjendjen emergjente në Republikën e Shqipërisë, pas vërshimeve të ditëve të fundit, aprovoi vendimin për dërgimin e një Kontingjenti të Forcës së Sigurisë për operacione humanitare në Republikën e Shqipërisë. Vendimi i është dërguar Presidentes së Kosovës për autorizim të operacionit sipas ligjit.
Ndërsa, ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, do të mbajë nesër një takim në Prishtinë me donatorë të ndryshëm për të siguruar ndihma për zonat e prekura nga përmbytjet e ditëve të fundit në Shqipëri.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet