Vlorë, bie niveli i ujrave, banorët bëjnë bilancin e dëmeve

Aktualitet

permbytje-darezezeSituata të martën, në fshatrat e komunës Novoselë, që u përmbytën nga dalja nga shtrati e lumit Vjosë, ndryshoi ndjeshëm.

Niveli i ujrave të këtij lumi, gjatë orëve të paradites ra me rreth 2 metra, ndërkohë që ujrat u tërhoqën nga një pjesë e madhe e tokës bujqësore.

Deri në mesditë, në fshatin Novoselë, qendër e komunës, u çliruan nga uji më shumë se 70 përqind e banesave.

Qarkullimi në rrugën e vjetër Vlorë-Fier, që përshkon këtë zonë, pothuajse është normalizuar, me përjashtim të një segmenti në dalje të këtij fshati, ku niveli i ujrave është pothuajse 40 cm.

Probleme nga ende, në fshatrat Fitore, Bishan e Poro, megjithëse duhet theksuar se, situata ka ndryshuar ndjeshëm krahasuar me një ditë më parë.

Mungesa e reshjeve të shiut dhe moti me diell, konsiderohet si një faktor pozitiv në përmirësimin e mëtejshëm të gjendjes në fshatrat e kësaj komune. Banorët nisën të bëjnë bilancin e dëmeve, si dhe të punojnë për të normalizuar kushtet në banesat e përmbytura, ku niveli i ujit arriti edhe në 1.5 metra lartësi.

Në katin e parë të vilës 3 katëshe të Sulejman Shenës, në fshatin Fitore, pasojat janë të dukshme. Balta është e pranishme ngado, ndërkohë që muret e lagura, dallohen qartë.

“Katastrofë, ja shikoje shtëpinë se çfarë dëmesh që pësoi. Shikoje lagështinë në mure, orenditë e prishura”, thotë Shenaj për ATSH-në. Por, dëmin më të madh, ai e ka pësuar në biznesin e fidanëve. “Janë 10 mijë fidanë ulliri që u dëmtuan plotësisht”, thotë 45 vjeçari, që me këtë biznes siguron të ardhurat për jetesë.

Vetëm në dëmtimin e fidanëve dëmi llogaritet në 2 milionë lekë(të reja), pa përfshirë këtu të tjerat.

E njëjta situatë është edhe në subjektin e grumbullimit dhe përpunimit të bimëve medicinale.

Pëllumb Ismaili, një prej punonjësve të këtij subjekti thotë se, vlera e dëmit llogaritet në rreth 20 milionë lekë të reja. “Është biznesi më i madh në këtë zonë dhe me këto dëme, është shumë e vështirë të vazhdojmë më tej”, thotë ai.

Ndërkohë, shtabi i emergjencës vazhdon të jetë në terren. Efektiva të policisë, të FNSH-së dhe të Forcave të Armatosura, po ndihmojnë në rikthimin e normalitetit.

Burime nga Prefektura bënë të ditur për ATSH-në se, paralelisht me punën që po bëhet për normalizimin e plotë të gjendjes, do të punohet edhe për vlerësimin e dëmeve.

ME TE LEXUARAT