Përmbytjet, 5 mijë hektarë tokë nën ujë, evakuohen 420 familje

Aktualitet

permbytje-ushtriMinistria e Brendshme ka bërë një bilanc të situatës së përmbytjeve për ditën e sotme duke pohuar se janë rreth 5 mijë hektarë tokë nën ujë ndërsa janë evakuuar  nga banesat e tyre për ti shpëtuar rrezikut të përmbytjes 420 familje.

Ministria e Brendshme thotë se në zonat e përmbytura ka nisur edhe shpërndarja e pakove me ushqimeve. “250 pako me ushqimet më të domosdoshme janë duke u shpërndarë në Novoselë të Vlorës, ndërsa 250 të tjera do të shpërndahen në Levan të Fierit. Drejtoria e Rezervave të Shtetit ka përgatitur edhe 80 pako të tjera më ushqime që do të dërgohen në Urën Vajgorure.”

Numrin më të madh të banesave që janë nën ujë e ka qarku i Vlorës me 602 banesa, më pas qarku i Fierit më 220 banesa.

MB: Situata sipas qarqeve

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

QARKU FIER. 

Lumi Seman mbetet në nivele kritike. Në komunat Frakull, Levan dhe Darëzezë ka prezencë të ujit. Situata po monitorohet e po bëhen matjet e nivelit të ujërave.

Të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 220 banesa. Të evakuara janë 160 familje. Sipërfaqe tokë të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 3500 ha.

QARKU VLORË.

Niveli i prurjeve të ujrave të lumit Vjosë ka patur rënie. Në rrethin e Vlorës të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 602 banesa. Të evakuara janë 200 familje. Sipërfaqe toke të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 100 ha.

Aksi rrugor Vlorë – Selenicë është përmbytur në disa segmente nga dalja e ujrave të lumit Vjosë. Në rrethet Sarandë dhe Delvinë, sipërfaqe toke me prezencë uji janë rreth 165 ha.

QARKU BERAT.

Gjatë 3 ditëve të  fundit në territorin e rretheve Berat, Kuçovë dhe Skrapar, kanë rënë rreth 100 mm reshje shiu çdo ditë.

Prurjet e lumenjve Osum dhe Devoll kanë qenë të shumta. Për rrjedhojë ka patur dalje të ujërave nga shtrati i tyre, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në bashkitë Berat dhe Ura Vajgurore, si dhe në komunat Otllak, Poshnje dhe Perondi.

Sipërfaqe tokë të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 150 ha.Të evakuara janë 58 familje.Biznese të përmbytura janë 1.5 ha sera. Nga rrëshqitjet e tokës janë shfaqur problem në 3 pika të aksit rrugor Pronovik-Çorovodë.

Qarku i Gjirokastrës.

Në zonat malore, konkretisht në komunat Zagorie, Frashëri dhe Kurvelesh, kanë rënë gjatë natës e deri sot në mëngjes rreth 20cm reshje dëbore. Qarkullimi i automjeteve për në këto komuna kryhet me zinxhirë. Sipas informacioneve të marra niveli i ujrave të lumit Vjosë në rrethin e Tepelenës ka qënë në ulje gjatë ditës së djeshme.

Aksi rrugor nacional Tepelenë-Gjirokastër nuk ka patur probleme nga rënia e inerteve.

Sipërfaqe toke të përmbytur janë rreth 1000 ha, kryesisht në komunat Lunxhëri, Antigone, Cepo, Dropull i Sipërm, Qesarat, Krahës, Qendër dhe Fshat Memaliaj. Në fshatin Karjan të komunës Lunxhëri është çarë argjinatura e lumit Drino që rrezikon përmbytjen e mëtejshme të sipërfaqes së tokës dhe një zonë të vogël banimi.

QARKU KORÇË.

Akset rrugore që qarkullohen me zinxhirë janë: Korçë-Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Qafë Plloçë-Qafë Thanë. Akset e tjera rrugore janë të hapura dhe qarkullohen normalisht.

QARKU SHKODËR.

Akset rrugore nacionale janë të gjitha të qarkullueshme pa zinxhirë.

Akset rrugore rurale, nga akset rrugore nacionale për në qendrat e komunave, janë të gjitha të qarkullueshme, me përjashtim të aksit rrugor Fushë Arrëz-Iballë që është i bllokuar nga dëbora. Firma kontraktuese ka punuar me një mjet për hapjen e këtij aksi.

Aksi Vermosh-Tamarë është i kalueshëm me vështirësi. Aksi Qafë Thore është i bllokuar pasi trashësia e dëborës është 1 metër.

QARKU KUKËS. 

Trashësia e dëborës në lartësitë mbi 400-600m varion nga 20-35 cm dhe mbi 800m lartësia e dëborës është 40-50 cm.

Autostrada e Kombit ka qënë e qarkullueshme pa zinxhirë. Në hyrje të Tunelit të Kalimashit trashësia e dëborës të rënë gjatë natës është 25 cm. Të gjitha akset rrugore kanë qënë të qarkullueshme pa zinxhirë.

Akset rrugore rurale: Nga akset nacionale për në qëndrat e komunave Kalis, Grykë-Çajë e Zapod, qarkullimi i automjeteve kryhet me zinxhirë. Në akset e tjera të komunave qarkullimi i automjeteve kryhet pa zinxhirë. Vazhdon të jetë i bllokuar aksi rrugor nga rruga nacionale për në qendrën e komunës Arrën.

QARKU DIBËR.

Gjatë 24 orëve të kaluara në territorin e qarkut ka patur reshje të dobta shiu dhe reshje pakta dëbore me trashësi rreth 5 cm. Akset rrugore nacionale dhe rurale janë të gjitha të qarkullueshme pa zinxhirë.

QARKU TIRANË.

Si rezultat i reshjeve të shiut dhe prurjeve në Ujëmbledhësin e Bovillës ka patur rritje të nivelit të ujit. Për këtë arësye u bënë shkarkime të detyrueshme nga porta e ujëmbledhësit, të cilat nuk sollën probleme në zonat poshtë tij.

Në aksin rrugor nacional Tiranë-Elbasan qarkullimi i automjeteve ka rifilluar gjatë mbasdites së datës 02.02.2015.

QARKU ELBASAN.

Gjatë pasdites së djeshme ka patur reshje dëbore në aksin rrugor nacional Prrenjas-Qafë Thanë dhe qarkullimi i automjeteve është kryer me zinxhirë. Aksi rrugor nacional Librazhd-Stëblevë ka prezencë të dëborës rreth 60 cm. Po punohet nga firma kontraktuese për pastrimin e rrugës për normalizimin e qarkullimit të automjeteve. Aksi rrugor nacional Elbasan-Gjinar është i bllokuar nga rrëshqitja e trupit të rrugës në segmentin Shelcan-Shelcan Katund si dhe nga dëbora e rënë gjatë natës me trashësi rreth 20 cm.

Në fshatin Rrenës të komunës Grekan, rrethi Elbasan, është evakuar një familje për shkak të përmbytjeve nga dalja e ujërave të lumit Devoll. Në komunën Lenie të rrethit Gramsh, për shkak të përmbytjeve, janë evakuar 12 familje me rreth 48 banorë.

ME TE LEXUARAT