Rreth 14 familje, banesat e të cilave janë përmbytur nga ujrat e lumit Vjosë, në fshatrat e komunës Novoselë(Vlorë), janë evakuar përmes një operacioni ku u përfshinë efektiva dhe mjete të Forcave të Armatosura, policisë e shërbimit zjarrfikës.
Aktualisht, në fshatrat e kësaj komune situata paraqitet problematike. Më e rëndë vlerësohet gjendja në fshatrat Bishan, Poro e Fitore, për shkak edhe të çarjes dhe dëmtimit të një argjinature, ndërkohë që përplasja e ujrave të lumit me ato detare në grykëderdhjen e Vjosës, është shoqëruar me pasoja të tjera të rënda në zgjerimin e hartës së përmbytjes. Janë rreth 1000 hektarë tokë bujqësore që aktualisht ndodhen nën pushtetin e plotë të ujrave të lumit, ndërkohë që rrezikohen nga përmbytjet edhe mjaft banesa të tjera.
Prefektja e Qarkut të Vlorës, Etjona Hoxha, tha për ATSH-në se, po bëhen përpjekje maksimale për të minimizuar pasojat e kësaj situate të rëndë. Sipas saj, në terren ndodhen të gjitha strukturat e nevojshme dhe po ndiqet situata në vazhdimësi, për të ndërhyrë në shpëtimin e jetës së njerëzve. Hoxha theksoi se, kjo situatë është e njëjtë me atë të dimrit të vitit 2005, kur ujrat e lumit Vjosë përmbytën qindra hektarë tokë bujqësore e dhjetra banesa