Një prej gazetarëve të Al Jazeera-s, të cilët kaluan më shum se një vit në burgun egjiptian, sot është falur dhe është liruar, sipas një burim të sigurtë.
Australiani Peter Greste, i cili u fal nga presidenti i Egjiptit, aktualisht është në aeroportin e Kajros, duke pritur që të fluturojë për në Australi, tha për AA zyrtari në kushte anonime.
Presidenti Abdel-Fatah al-Sisi mori vendim për falje dhe dëbim të gazetarit, shton zyrtari.
Në qershor të vitit të kaluar, Greste, Mohamed Fahmi dhe Baher Mohamed, që të tre gazetarë të Al Jazeera, për shkak të përhapjes së informatave të rreme dhe mbështetje të terroristëve u dënuan me burgim nga shtatë deri në dhjetë vjet.
Greste, Fahmi dhe Mohamed u arrestuan në dhjetor 2013 në një hotel në Kajro.
Al Jazeera ka nisur fushatë ndërkombëtare për lirimin e tyre, të cilës iu bashkuan një numër i qeverive perëndimore.
Presidenti egjiptian kohët e fundit lëshoi një dekret, me të cilin lejon ekstradimin e të burgosurve të huaj nga Egjipti.