Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Serbisë akuzohet për krime lufte në Kosovë

Kosovë&Rajon

serbiNjë organizatë joqeveritare serbe ka akuzuar shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, gjeneralin Ljubisha Dikoviç, për krime lufte në Kosovë gjatë konfliktit të armatosur të fundviteve ’90 të shekullit të kaluar, akuza të ngritura edhe më parë dhe të refuzuara nga Ministria serbe e Mbrojtjes.

Sandra Orloviç, shefe e Qendrës Ligjore Humanitare (FHP) u tha gazetarëve se posedon dokumente që provojnë përgjegjësinë e Dikoviçit në vrasjen e kosovarëve në vitin 1999.

Në atë kohë, gjenerali ishte në krye të Brigadës së 37-të të Motorizuar të ushtrisë jugosllave, e konsideruar përgjegjëse për vrasjen e kosovarëve, eshtrat e të cilëve u zhvarrosën nga një varr i përbashkët në Rudnicë, vitin e kaluar.

Ministri serb i Mbrojtjes, Bratislav Gashiç, në një sqarim publik foli për një sulm të llogaritur kundër Dikoviçit duke thënë se bëhej fjalë për të njëjtat akuza të ngritura në vitin 2011, kur Dikoviç mori postin e shefit të ushtrisë.

Dikoviç nuk është shprehur ende për këto akuza, ndërkohë që në mbrojtje të tij kanë dalë kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç.

Vuçiç e ka konsideruar këtë ngjarje si ”fushatë kundër forcave të armatosura nga ana e disa politikanëve që duan të shkatërrojnë atë çka Serbia ka pozitive”.

”Por, nuk do t’ia arrijnë”, ka theksuar ai.

ME TE LEXUARAT