Drafti i Arsimit të Lartë është kundërshtuar nga disa këshilla fakultetesh. Në senatin e Tiranës u paraqitën vërejtjet dhe u dhanë rekomandimet. Rektori i Universitetit të Tiranës Dhori Kule tha se ky projekligj vetëm për arismin e lartë nuk mund të jetë sepse cënon autonominë dhe financimin. Ndërsa Ministria e Arsimit tregohet e hapur për të pritur të gjitha sugjerimet dhe sipas këtij institucioni do të gjendet një e mesme e artë.
Drafti i arsimit të lartë është diskutuar në senatin e Universitetit të Tiranës ku këshillat e fakulteteve kanë bërë vërejtjet dhe rekomandimet e tyre. Senati për orë të tëra ka vijuar mbledhjen për shkak të kundërshtimeve që ka ky projekligj.
Rektori i universiteti të Tiranës Dhori Kule pas përfundimit të mbledhjes së parë tha se ky draft nuk është për universitetet, i cënon ato dhe nuk shërben në reformën e arsimit të lartë.
Propozimet për ndryshim do t’i paraqiten ministrisë së Arsimit. Zv Ministri Arbjan Mazniku i informuar për diskutimet dhe zëra kundër për këtë draft është i gatshëm të mirëpresë rekomandimet.
Mazniku tha se do të gjendet një e mesme e artë por autonomia e universiteteve, thotë ai, është e garantuar.
Ky është hera e dytë që drafti rikthehet edhe një herë tek grupet e interesit, akademikët dhe senati. Edhe përgjatë 2014 përmbajtja e këtij drafti u kritikua në nivel departamentesh e këshilla fakultetit. Minsitria e Arsimit tha se do të zhvillojë dhe një diskutim të hapur publik për të bërë ndryshimet e nevojshme përpara se drafti të shkoj në parlament.