Ambasada gjermane dhe ajo franceze në një deklaratë të përbashkët deklarojnë se nuk do të ulet numri i fluturimeve për riatdhesimin e shqiptarëve që shkelin rregullat e Shengenit.
Deklarata vjen një ditë pasi në aeroportin e Rinasit u ktheyn 50 shqiptarë, që kishin shkelur rregullat.
“Këta persona përpiqen të emigrojnë për arsye ekonomike, po Kjo arsye është e papranueshme për Francën e Gjermaninë” thuhet në deklaratën për mediat të dy ambasadave.
Më tej theksohet se numri i këtyre fluturimeve të përbashkëta europiane për riatdhesim nuk është ulur dhe nuk do të ulet.
“Shqipëria është renditur tashmë nga organet e larta juridike franceze në listën e vendeve me origjinë të sigurt, ku themelet e demokracisë janë stabilizuar.
Nuk mund të keqpërdoret procedura për azil, e cila u rezervohet në mënyrë strikte vetëm refugjatëve politikë të vërtetë.
Statusi i refugjatit nuk do tu jepet të ashtuquajturve azilkërkues, arsyet e vërteta të të cilëve janë ekonomike” thuhet në deklaratë.
Dy ambasadat në njoftimin e tyre nënvizojnë se “liberalizimi i regjimit të vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të hapësirës Shengen, ku bën pjesë Franca dhe Gjermania është masë e drejtë dhe efikase, por ajo është shoqëruar me rregulla të cilat nuk lejojnë abuzimet dhe ne nuk do të lejojmë anashkalimin e këtyre procedurave, sepse kjo ëhstë në dëm të pjesës dërmuese të qytetarëve shqiptarë që i respektojnë këto rregulla, dhe është në dëm të interesave të Shqipërisë në përpjekjt e saj të konsiderueshme për tu integruar një ditë në bashkimin Europian”.
Kthimi një ditë më parë i 50 shqiptarëve, dy ambasadat e konsiderojnë tregues të vendosmërisë dhe bashkëpunimit të vendeve të hapësirën Shengen në luftën kundër emigracionit të parregullt.