Pavarësisht humbjes dhe eliminimit që pësoi në Kupën e Mbretit nga Barcelona, trajneri i Atleticos së Madridit Diego Pablo Simeone ndihet krenar për atë që dhanë futbollistët e tij në fushën e lojës.
Argjentinasi i stolit të Los Colchoneros edhe pse jo drejtpërdrejt thumboi arbitrin kryesor të sfidës Jesus Gil Manzano, i cili me vendimet e tij ja vështirësoi jo pak gjërat Atleticos në sfidën e Vicente Calderon.
“Zhvilluam një paraqitje shumë të denjë në këtë edicion të Kupës së Mbretit. Të eliminonim L’Hospitalet por mbi të gjitha Realin e Madridit ishte dicka e rëndësishme. Zhvilluam dy ndeshje të mira edhe ndaj Barcelonës. Në pjesën e dytë me këshillën time ekipi luajti pa presion dhe pa patur frikën se mund të pësonte një tjetër gol.
Gjithsesi unë mendoj se ndeshja e Vicente Calderon përfundoi në momentin që u mbyll edhe pjesa e parë, sepse më pas nuk kishte më histori. Dua të them që ndihem krenar për futbollistët e mi. Të dilnim kampion 1 vit më parë në kurriz të kësaj Barcelone ishte dicka fantastike për ne. Përjashtimi Gabit kushtëzoi ndeshjen tonë? Po është e vërtetë, e vetmja gjë që Gabi i tha arbitrit për të merituar kartonin e kuq ishte se i kërkoi një shpjegim, për penalltinë e padhënë në rastin e Griezmann”.