Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

INUK kallëzon penalisht kreun e komunës Petrelë, shpërdoroi detyrën

inukInspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar kallëzon penalisht kryetarin e Komunës Petrelë, Ylli Kupi, si dhe anëtarët e Këshillit Teknik të kësaj Komune, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim”.

Lajmin e ka bërë të ditur Kryeinspektoria e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Dallëndyshe Bici. Sipas saj, gjatë vëzhgimit të bërë nga INUK në komunën Petrelë, ka vërejtur dy leje të dhëna për ndërtimin e një fshati turistik në këtë zonë, të cilat shkelin ligjet në fuqi të Shqipërisë. Lejet zhvillimore janë dhënë për: “Grup banimi dhe Rekrecion. Ndërtesa individuale banimi 2 dhe 3 kat, me 1 kat nëntokë, Mullet”, me një sipërfaqe të përgjithshme rreth 24 mijë e 500 metër katror.

Të dyja Lejet zhvillimore të ndërtimit dhënë nga kryetari i komunës Petrelë, nuk janë të botuara në Regjistër, as si akte ligjore, as si aplikim online për leje ndërtimi.

Nga ana e kryetarit të Komunës Petrelë nuk është hartuar, konsultuar e miratuar dhe nuk është botuar në Regjistrin e Planifikimit të Territorit, sipas parashikimit ligjor, asnjë Plan i Detajuar Vendor (PDV) për Njësinë administrative (zonën) ku janë dhënë lejet zhvillimore. Po ashtu nga kjo Komunë nuk është botuar as rregullorja përkatëse e këtij plani.

Me anë të këtyre mos- veprimeve të kryetarit të komunës Petrelë, të gjitha subjektet e interesuara janë privuar nga e drejta e informimit dhe e drejta për të ushtruar  ankimet, apo kundërshtimet e tyre sipas parashikimeve ligjore, që rregullojnë fushën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit.

Për shkak të mos botimit ende në regjistër, Plani i Detajuar vendor për zonën ku janë dhënë dy lejet e ndërtimit, konsiderohet NUL dhe pa fuqi juridike, për shkak se ende nuk ka hyrë në fuqi, sipas parashikimeve ligjore.

Nisur nga këto shkelje ligjore, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar kallëzon penalisht kryetarin e Komunës Petrelë, zotin Ylli Kupi, si dhe anëtarët e Këshillit Teknik të kësaj Komune, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i kodit penal.

Ata nuk kanë marrë asnjë nga masat e parashikuara nga ligji, në kuadër të mbrojtjes së territorit, si dhe drejtimin e zhvillimit të territorit, përmes kontrollit të strukturave administrative, në kuadër të një zhvillimi sa më optimal të territorit.

Në këtë kallëzim Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar kërkon edhe pezullimin e këtyre personave nga funksioni i tyre publik.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet