Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Mustafa: Trepça nuk mbrohet nga ata që e vandalizojnë Prishtinën

mustafaKryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në mbledhjen e sotshme të kabinetit qeveritar prezantoi Deklaratën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, pas protestës së djeshme, e cila mori mbështetjen e anëtarëve të saj.

Po e japim në vazhdim të plotë tekstin e kësaj Deklarate:

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për të lënduarit dhe përkrah policinë në garantimin e pronës publike dhe pronës private.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për të gjithë të lënduarit si nga radhët e policisë, ashtu edhe nga ana e protestuesve, në protestën e ditës së martë në Prishtinë, në kryeqytetin tonë, në protestën e organizuar e cila kishte qëllime kryekëput politike.

Qeveria e Republikës së Kosovës respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar, por tendenca e përdorimit të protestave për të dëmtuar pronat publike dhe private, për të sulmuar Policinë dhe Shtetin, është e papranueshme në një shoqëri demokratike.

Policia e Kosovës, si një institucion i pavarur kushtetues, e ka mbështetjen e plotë të Qeverisë, për të mbrojtur objektet shtetërore dhe pronat publike nga partitë politike, të cilat po keqpërdorin qytetarët për përfitime politike, me qëllim që të krijojnë trazira dhe të vijnë në pushtet me forcë.

Shkaktar i dhunës së djeshme në qendër të Prishtinës, ishte ultimatumi i dhënë nga ana e organizatorëve të protestuesve, për t’u hequr kordonët e policisë që mbronin institucionet shtetërore. Meqenëse protestuesit nuk u lejuan nga policia që të dëmtojnë ndërtesat shtetërore, sikur ditën e shtunë, të orkestruar nga organizatorët, ata sulmuan policinë me gurë dhe gjësende të forta. Në një vend ku sundon ligji, ultimatumet ndaj institucioneve të pavarura janë të patolerueshme.

Sulmi i opozitës ndaj Policisë së Kosovës, është sulm kundër shtetit të së drejtës, është sulm kundër vlerave më të larta të demokracisë, dhe është sulm kundër institucioneve të pavarura. Policia janë burrat dhe gratë e përkushtuara të Kosovës, që nuk kursejnë dhe nuk kursyen asgjë nga vetja, për të garantuar funksionimin e shtetit, pronën publike, private dhe qytetarët në përgjithësi.

 

Policia nëpërmes planit operativ të publikuar të martën në mëngjes ka deklaruar se “zbatimi i ligjit, garantimi i rendit dhe qetësisë publike, lëvizja e lirë dhe mbarëvajtja e qetë e kësaj proteste është prioritet i planit të Policisë së Kosovës, mirëpo nuk do të tolerohet shprehja në çfarëdo forme e akteve të dhunës, sulmeve të mundshme ndaj personave fizikë, juridikë si dhe dëmtimit të pronës publike dhe asaj private”.

 

Në protestën e djeshme u pa qartë se organizatorët kishin qëllim çuarjen përpara të agjendës së tyre politike, synimin e qartë – pushtetin pa votën e popullit.

 

Institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë rrezikimin e funksionimit të rendit dhe ligjit, nga ata që dhunën e kanë mjetin e vetëm të tyre politik.

 

Në protestën e të shtunës qytetarët ishin thirrur që të protestojnë për Trepçën dhe shkarkimin e një ministri për shkak të një deklarate të pamatur, për të cilën ka kërkuar falje dhe me të cilën ne nuk jemi pajtuar. Protesta e së shtunës ishte dëshmia e qartë se synimi i tyre ishte dhuna, ardhja në pushtet nëpërmes trazirave dhe kishte për qëllim provokimin e situatës. Prandaj në protestën e djeshme, opozitës nuk iu bashkuan nënat e të pagjeturve, veteranët e luftës, minatorët e Trepçës dhe asnjë organizatë civile, për shkak se ato nuk përfaqësonin interesin qytetar, por vetëm atë politik të subjekteve që e organizuan protestën.

 

Trepça nuk mbrohet me dhunë ndaj policisë dhe shkatërrim të pasurisë shtetërore. Trepça tashmë është mbrojtur me Ligji që pamundëson likuidimin e saj dhe do të mbrohet përfundimisht me Ligjin e veçantë, për të cilin janë dakorduar Qeveria, minatorët dhe menaxhmenti i kompanisë. Trepça nuk mund të mbrohet nga ata që shkatërrojnë dhe e vandalizojnë zemrën e Prishtinës, kurse e kanë marrë mandatin ta ndërtojnë Prishtinën.

 

Qeveria i garanton të gjithë qytetarët e Kosovës, se situata e sigurisë është nën kontroll të plotë, nga ana e institucioneve të pavarura dhe kushtetuese, dhe nuk do të tolerojnë anarkinë dhe destabilizimin, që ju shkon në interes minuesve të shtetit ligjor.

 

Qeveria po ashtu kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos bien pre e partive politike, të cilat prapa kërkesave të tyre, fshehin dëshirën për pushtet. Qeveria kërkon nga opozita që kërkesat e tyre t’i ushtrojnë dhe t’i zgjidhin në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për çka e kanë hapësirën ligjore dhe kushtetuese.

 

Qeveria vlerëson rolin dhe pavarësinë e mediave, por njëkohësisht thekson se është edhe përgjegjësi e tyre që të angazhohen për stabilitet të vendit dhe jo që disa prej tyre të bëhen zëdhënëse dhe bashkorganizatore të rrënimit të shtetit. Këto përvoja i kemi të njohura sidomos nga viti 2004, prandaj nuk duhet të lejojmë që edhe më tutje të përsëriten.

 

Qeveria zotohet se do të përkrahë të gjitha institucionet shtetërore, për të garantuar një jetë normale për të gjithë qytetarët dhe prioriteti i saj nuk është demagogjia politike, por prioritet është zhvillimi ekonomik, përmirësimi i mirëqenies së qytetarëve, sundimi i ligjit në gjithë territorin e vendit, zhvillimi i gjithëmbarshëm i vendit.

 

Këto prioritete janë pjesë e Programit Kombëtar për Reformat në Ekonomi, të cilat u miratuan të hënën në mbledhjen e Qeverisë.

 

Qeveria ka një partneritet të fuqishëm ndërkombëtar me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet tjera mike, për të forcuar sovranitetin tonë të brendshëm dhe për të prodhuar paqe në rajon dhe për të qenë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për luftimin e kërcënimeve globale të sigurisë.

 

Shteti ynë, Republika e Kosovës, dhe populli ynë i shumëvuajtur, ka nevojë për paqe, qetësi, dhe ka nevojë për zhvillim që ofron jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit.

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet