Sulmuesi me përvojë i Romës, Francesco Totti, i ka hedhur poshtë zërat se forma zhgënjyese e verdhekuqve në javët e fundit në Serie a është rezultat i një komploti kundër trajnerit, Rudi Garcia.
Skuadra e Romës ka vuajtur për të gjetur formën e saj më të mirë gjatë këtij muaji, pasi ka fituar vetëm një nga pesë ndeshjet e fundit në kampionat, duke ngecur madje 7 pikë me skuadrën kryesuese, Juventus.
Në media ditët e fundit është raportuar se rënia e formës së skuadrës ka ardhur si rrjedhojë e një konflikti ndërmjet Garcias dhe një numri të lojtarëve me ndikim, por kapiteni Totti këmbëngul se nuk ka asgjë të vërtetë në këto thashetheme.
“Nuk ekziston një gjë e tillë për një komplot kundër Garcias. Jemi të bashkuar si ekip dhe së shpejti do të dalim nga kjo situatë. Ka shumë pesimizëm për skuadrën tonë dhe mendoj se nuk e meritojmë këtë”, ka thënë Totti për “Corriere dello Sport”.
“Ne natyrisht që nuk po kalojmë një moment të mirë, por kampionati në Serie A është i gjatë dhe i vështirë. Është e vështirë për të luajtur ndeshje çdo tre ditë. Ju nuk mund të jeni gjithmonë në formë 100 për qind. Por unë jam i sigurt se ne së shpejti do të kthehemi fuqishëm. Ndodhemi në pozitën e dytë në Serie A tani kur jemi në gjysmën e rrugës së edicionit, kemi kaluar në çerekfinale të Kupës së Italisë dhe mund të kemi ndikim edhe në Ligën e Evropës”, ka përfunduar Totti.