Së shpejti linja hekurudhore Kosovë-Shqipëri

Kosovë&Rajon

haxhinastoMinistrat e Transportit dhe Infrastrukturës të Kosovës dhe Shqipërisë, gjatë një takimi që zhvilluan sot në Prishtinë, shprehën angazhimin e tyre për një bashkëpunim me hapa të shpejtë dhe konkretë. Të dy ministrat e transportit dhe infrastrukturës i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, theksuan se bashkëpunimi ndërmjet dy qeverive po bëhet me hapa konkret. Ministri i Infrastrukturës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, tha se sot është rikonfirmuar vullneti për të ecur me shpejtësi në mënyrë konkrete në zbatimin e marrëveshjes mes dy qeverive. Ai tha se kryetema e bisedës së sotme me ministrin Zharku ishte Rruga e Kombit që kërkon koordinim dhe shërbim nga të dyja palët.

“Sfidë e madhe është që t’i japim sa më shumë vitalitet, qarkullim kësaj arterie të rëndësishme mes dy vendeve. Gjithashtu kemi folur për mundësitë për shërbimet portale të Shqipërisë. Jemi në fazën e ri-vlerësimit, kemi rënë dakord që ekspertët tanë të përgatisin së shpejti një paketë të posaçme për t’i shërbyer biznesit të Kosovës në portet e Shqipërisë, me qëllim që ta lehtësojmë atë sa më shumë”, tha ai.

Një nga temat e rëndësishme gjatë takimit mes dy ministrave ishte edhe ajo e hekurudhës. Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Kosovës, Lutfi Zharku, tha se shumë shpejt do të fillojë punën grupi i ekspertëve.

“Shprehëm gatishmërinë tonë dhe interesimin e jashtëzakonshëm për lidhjen me një vijë hekurudhore mes Kosovës dhe Shqipërisë. Natyrisht pjesa jonë është vetëm 17 kilometra dhe që pjesa më e madhe e punës i mbetet qeverisë shqiptare, por që jemi të gatshëm të gjejmë mekanizma për financim dhe të fillojmë me studimin e fizibilitetit nga të dyja qeveritë”, tha ai.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Lidhur me Rrugën e Kombit, ministri Zharku, tha se është biseduar për mënyrën e menaxhimit dhe të operimit në rrugën e kombit pas paralajmërimeve për koncensionimin në pjesën shqiptare. Ai gjithashtu theksoi se janë në fazën fillestare për vazhdimin e rrugës së kombit nga Prishtina për Gjilan e deri në Dheun e Bardhë. Të dy ministrat thanë se bashkëpunimi në mes dy qeverive do të vazhdojë edhe në çështjet e legjislacionit. Ministri Haxhinasto tha se do të bëjmë përpjekjet tona që Kosova të integrohet sa më shpejtë në të gjitha platformat dhe organizatat ndërkombëtare në rajon e përtej tij.

ME TE LEXUARAT