Haxhinasto: Hekurudha Shqipëri-Kosovë, pjesë e infrastrukturës rajonale me standarde evropiane

Aktualitet

haxhinastoHekurudha Shqipëri-Kosovë do të ketë një të ardhme për gjithë rajonin tonë me infrastrukturë evropiane, tha sot në Prishtinë ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i pyetur nga ATSH, ndërkohë që po zhvillon takime në kryeqytetin kosovar.

I pyetur për vlerësimin një vit pas mbledhjes së parë historike të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës në Prizren dhe dy muaj para mbledhjes së dytë në Tiranë, ministri Haxhinasto i vlerësoi të shkëlqyera ecjet në marrëdhëniet mes dy shteteve.

“Tradita tashmë e vendosur për mbledhje të përbashkëta mes qeverive është në rrugë të mbarë, u krijua dhe po jep frutet e saj, po ecim edhe në marrëveshje të përbashkëta midis institucioneve respektive”, theksoi ministri shqiptar Haxhinasto, pas takimit me ministrin e Infrastrukturës të Kosovës, Lutfi Zharku.

“Biseduam sot edhe me kolegun, ministrin Zharku, që të fokusohemi vetëm në hapa konkretë, të ecim sa më shpejtë përpara dhe të fokusohemi në zgjidhjen e çështjeve konkrete”, tha ministri shqiptar.

“Kjo është përqasja, besoj më e mirë, për të ecur dhe për t’i dhënë sukses bashkëpunimit tonë”, theksoi ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto në vizitën në Kosovë.

Ministri Haxhinasto i pyetur po ashtu nga korrespondenti i ATSH në Prishtinë edhe për projektin e hekurudhës që do lidhë Kosovën e Shqipërinë theksoi se infrastuktura që ne ndërtojmë do jetë pjesë e infrastrukturës së rajonit dhe me standarde evropiane.

“Ndërsa, sa i takon hekurudhës, ne menjëherë do fillojmë nga një studim parafizibiliteti për të parë mundësinë e realizimit sa më të shpejtë të kësaj hekurudhe, por sigurisht ne do të shikojmë edhe në mënyrë strategjike, duhet të shkojmë edhe rrjetin rajonal, sepse ne jemi pjesë e një rajoni. Dhe, hekurudha besoj se do të ketë një të ardhme për gjithë rajonin tonë, pasi rajoni jonë është i tillë që duhet të integrohet sa më shumë mes vete dhe sa më shumë me Evropën”, tha ministri Haxhinasto.

“Dhe, instrastuktura që ne ndërtojmë në rajon duhet të jetë pjesë, me të njëjtin standard, me infrastrukturën e Evropës me qëllim që të jemi faktikisht ashtu siç jemi historikisht pjesë e Evropës”, theksoi ministri i Transportit dhe Infrastrukturës të Republikës së Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, i cili po vijon vizitën sot në Kosovë.

“Do të përgatitet projekti për lidhjen hekurudhore me Shqipërinë”, ka paralajmëruar kryeministri i Kosovës Isa Mustafa duke folur për bashkëpunimet mes dy vendeve në prezantimin e programit qeverisës me rastin e zgjedhjes së qeverisë së re në Kuvendin Kosovar. Ky projekt hekurudhe dhe të gjitha bashkëpunimet Kosovë-Shqipëri do jenë temë edhe e takimeve të tjera.

ME TE LEXUARAT