Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, priti në takim dhe zhvilloi bisedime me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, Nikola Poposki, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.
Gjatë takimit, Ministri Bushati, e siguroi homologun e tij se Shqipëria mbështet integritetin, sovranitetin, stabilitetin dhe prosperitetin e Maqedonisë, dhe i shprehu Ministrit Poposki vëmendjen dhe rëndësinë e veçantë që Shqipëria i kushton zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona fqinje.
Duke vlerësuar dhe mbështetur aspiratat demokratike dhe rrugën e zhvillimit dhe të integrimit euro-atlantik të Maqedonisë, Ministri Bushati e cilësoi zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit në interesin jetik të stabilitetit të brendshëm të Maqedonisë, si busullën e shtet ndërtimit demokratik dhe integrimit euro-atlantik të Maqedonisë.
Ministri Bushati u shpreh se “zbatimi i plotë dhe rigoroz i saj i shërben ndërtimit të besimit reciprok ndërmjet komuniteteve dhe të ardhmes Evropiane dhe euro-atlantike të Maqedonisë”. Për këtë arsye ai kërkoi një angazhim më të madh nga ana e Qeverisë së Maqedonisë në këtë drejtim.
Nga ana e tij, Ministri Poposki vlerësoi mbështetjen që Shqipëria ka treguar në drejtim të bashkëpunimit dypalësh dhe integrimit euro-atlantik të Maqedonisë, duke theksuar angazhimin e qeverisë së vendit të tij për të vijuar intensifikimin e reformave që çojnë drejt këtij qëllimi.
Të dy ministrat shprehën kënaqësinë për ecurinë e bashkëpunimit dypalësh politik dhe konkluduan se mundësitë dhe realizimi i bashkëpunimit ekonomik nuk i përgjigjet nivelit të atij politik. Për këtë qëllim ministrat e vunë theksin në intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën ekonomike.
Dy Ministrat biseduan edhe për angazhimin e dy qeverive tona, në frymën e Konferencës së Berlinit, për të identifikuar projekte të përbashkëta në fushën e infrastrukturës dhe energjisë si dhe gjetjen e rrugëve për financimin e tyre.
Ministrat shprehën shqetësim lidhur me ngjarjet e fundit në Francë, duke u theksuar se Shqipëria dhe Maqedonia do të jenë përkrah koalicionit anti-terror në luftën kundër terrorizmit.
Në fund të takimit dy Ministrat iu referuan përgatitjeve për mbajtjen në Tiranë, më 23-24 shkurt 2015, të takimit të Ministrave të Jashtëm të vendeve të SEECP-se, proces që këtë vit kryesohet nga Shqipëria.