Marrëdhëniet Shqipëri-Itali, brenda vitit mbledhje e përbashkët qeveritare

Politikë

bushatiBrenda vitit 2015, qeveritë e Shqipërisë dhe Italisë pritet të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët për të intensifikuar me tej marrëdhëniet dypalëshe.

Një vullnet të tillë e ka shprehur kreu i diplomacisë italiane Paolo Gentiloni gjatë takimit me Ministrin Bushati në Itali.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Nga ana e tij, Ministri Bushati vlerësoi dialogun intensiv politik mes dy vendeve, ndërsa theksoi nevojën për një prani më të madhe të investimeve italiane në Shqipëri.

“Ka ardhur momenti për një prani me të madhe të biznesit italian në vendin tonë, sidomos për praninë e kompanive të mëdha si dhe për investime italiane në sektorët strategjikë. Ndërkohë, është e nevojshme të mos humbim kohë për të konkretizuar gatishmërinë e qeverisë dhe angazhimin e Kryeministrit Renzi për njohjen e pensioneve si dhe për zgjidhjen e çështjes së taksës rrugore për auto transportuesit shqiptarë që udhëtojnë drejt Italisë”.

Ministri Bushati e informoi homologun italian për zhvillimet politike në vend, prioritetet dhe reformat e ndërmarra dhe shprehu bindjen që mbështetja e pakushtëzuar e Italisë do të vijojë edhe për hapin e ardhshëm të hapjes së negociatave.

Ministrat e Jashtëm Bushati dhe Gentiloni gjatë takimit biseduan edhe për rolin dhe përpjekjet e Shqipërisë dhe Italisë për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon e më gjerë, si dhe për krijimin e një klime të re mirëbesimi e bashkëpunimi me interes reciprok të gjithanshëm.

Ministrat diskutuan gjithashtu për çështje të bashkëpunimit në kuadrin e projekteve të Nismës Adriatiko-Joniane (AII) për Makrorajonin Adriatiko-Jonian dhe nismave të tjera rajonale, si dhe në kuadrin e projektit TAP, i cili në vijim të zhvillimeve të fundit merr një vlerë të shtuar si për vendet tona ashtu edhe për rajonin e madje edhe për vetë Evropën Perëndimore, në përpjekjet e saj për diversifikimin e burimeve energjetike.

Ministrat shprehën shqetësimin e përbashkët për aktet e rënda e të shëmtuara terroriste që tronditën Francën dhe gjithë komunitetin ndërkombëtar dhe vendosmërinë për dënimin më të ashpër të këtyre akteve, që dëshmojnë qartë se terrorizmi është kërcenim për të gjithë popujt e shtetet, që mund të godasë këdo e në çdo kohë, dhe që duhet luftuar me të gjitha forcat dhe pa kompromise.

Dy Ministrat shprehën kënaqësinë për krijimin së shpejti të grupit të përbashkët të punës për luftën kundër terrorizmit, për më tepër që kjo tematikë do të marrë një trajtim të veçantë gjatë kryesisë shqiptare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

ME TE LEXUARAT