Inspektorati Shtetëror Shëndetësor në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit kryen të enjten në Durrës një sërë inspektimesh në kuadër të zbatimit të vazhdueshëm të ligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”.
Inspektimi i sotëm ishte pjesë e planit të punës të inspektimeve të përbashkëta që kanë filluar me Tiranën dhe do të shtrihen në të gjithë territorin e vendit nga ana e institucioneve të sipërpërmendura, njofton AKU.
Në inspektimin e sotëm u morën 4 masa administrative me vlerë 350 000 lekë të reja për 4 lokale, ku nuk zbatohej ligji në fjalë. Inspektimi u ndoq nga afër nga kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Eltar Deda dhe Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Afrim Bakaj, të cilët theksuan vendosmërinë e institucioneve për zbatimin e ligjit “antiduhan” në mënyrë konstante në të gjithë vendin.
Deda u shpreh se, ngritja dhe funksionimi i strukturave lokale të ISHSH do të thotë përmirësim i mëtejshëm i një pune të filluar mirë në të gjithë vendin. “Për shkelësit e ligjit toleranca do të jete zero dhe zbatimi i ligjit është i njëjtë për të gjithë”, theksoi ai