Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Maqedoni, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u prit sot në Shkup nga Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Meta dhe Kryeministri i Maqedonisë z. Gruevski biseduan mbi intensifikimin dhe konkretizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve duke vënë theksin në forcimin e ndërlidhjeve infrastrukturore dhe energjetike, si dhe të shkëmbimeve tregtare e njerëzore mes dy vendeve fqinje si një domosdoshmëri ekonomike e kulturore.
Në këtë kuadër, z. Meta dhe z. Gruevski vunë theksin në rëndësinë e realizimit sa më të shpejtë të hekurudhës që lidh Shqipërinë me Maqedoninë duke e konsideruar atë si një emergjencë strategjike si për Tiranën ashtu edhe për Shkupin, dhe si një hallkë të fortë të Korridorit 8 që i shërben tërë rajonit.
Kryetari i Kuvendit, z. Meta u shpreh se në kuadër të rritjes së cilësisë së bashkëpunimit dypalësh dhe të avancimit me projektet ndërkufitare, Kuvendi i Shqipërisë mbështet mbledhjet e përbashkëta dhe bashkërendimin e punës mes dy Qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë, që do t’i shërbejë procesit të integrimit evropian të të dy vendeve fqinje.
Në përfundim, Kryetari i Kuvendit Meta rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe ndau bindjen e përbashkët me Kryeministrin Gruevski se sfidat e terrorizmit ndërkombëtar në Evrope kërkojnë një bashkërendim më të madh mes të gjitha vendeve të rajonit të Evropës Juglindore, ku Shqipëria dhe Maqedonia kanë një peshë të veçantë.