Kosovarët ndjekin paranë nëpër zona të luftës

Kliko per me shume info

lu2Me largimin e SHBA-ve nga Afganistani, kontraktorët kanë filluar të kërkojnë çdo herë e më shumë punë me pagesa të majme nëpër Afrikë. Ora ishte rreth 4.30 e mëngjesit atë ditë korriku të vitit 2013, kur në Kabul, kryeqytetin afgan të mbuluar nga pluhuri, një zhurmë shpërthyese nxori nga shtretërit të gjithë banorët; një kamion i ngarkuar përplot me eksplozivë kishte arritur të thyejë portat e kompleksit të mbyllur ku shërbente Orhan Ismajli, duke lënë të vrarë së paku tetë të huajë dhe dy civilë afganë.

“Në atë moment më dukej si ëndërr,” rikujton Ismajli. “Kur u zgjova dëgjova thirrje: ‘dilni jashtë, dilni jashtë, jemi të sulmuar, jemi të sulmuar!”

Kliko per me shume info

Të gjithë sulmuesit vetëvrasës u vranë nga punonjësit e sigurimit, që kryesisht ishin kontraktorë civilë nga Amerika. Ismajli 28-vjeçar mbijetoi këtë sulm të kryengritësve talebanë mbi kampin e tij – Camp Pinnacle.

Ai veç ishte mësuar të dëgjonte për sulme nëpër vise tjera të Afganistanit, ku ishin të zakonshme sulmet me mortaja, por ky sulm në Kabul ishte më i madhi dhe më i frikshmi deri atëherë.

“Isha i vetëdijshëm se gjendesha në Afganistan, në një zonë të rrezikshme dhe se çdo moment mund të ndodhte diçka e tillë,” rikujton ai.

Përkundër rreziqeve ditore që karakterizojnë punën në një mjedis të rrezikshëm siç është Afganistani, ai mëtonte të qëndronte atje sa më gjatë që të jetë e mundshme.

Ai nuk ishte i vetëm atje. Ismajli ishte vetë njëri nga vala e madhe e kosovarëve që kanë shkuar nëpër vende të largëta dhe shpesh tejet të rrezikshme për të punuar për qeverinë dhe ushtrinë e SHBA-ve, kryesisht si përkrahje për Armatën e SHBA-ve.

Shumë prej tyre veç kishin punuar në kampin Bondsteel, i cili gjatë prezencës më të madhe të Armatës së SHBA-ve në Kosovë punësonte mbi 6,000 kosovarë. Ky kamp që ndodhet në një fshat pranë Ferizajit e ka ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik të këtij qyteti.

Shumë kosovarë që punonin në Bondsteel e që vinin nga zona e Ferizajit shkuan në Afganistan dhe Irak për të punuar me kontraktorë të mëdhenj të SHBA-ve siç janë DynCorp International, KBR, Fluor dhe AECOM.

Shumica punojnë në ndërlidhje me Programin e Augmentimit Civil të Logjistikës së Armatës së SHBA-ve (LOGCAP), i cili ofron përkrahje dhe logjistikë për trupat e SHBA-ve të stacionuara në Afganistan, Irak dhe Kuvajt, e të cilat tani po barten edhe nëpër Afrikë, përfshirë Republikën Qendrore të Afrikës, Ugandë, Çadi dhe Xhibuti, të cilat tani gjenden nën komandën e trupave të SHBA-ve në Afrikë.

Shumica e kontraktorëve kërkojnë nga punonjësit e tyre nënshkrimin e dokumenteve me të cilat vërtetohet se i kanë parasysh rreziqet e të punuarit në rrethana të rrezikshme. Në disa kontrata madje thuhet se në rast të vdekjes nuk ka garanci se trupi i punonjësve do të kthehet në shtëpi.

Përkundër këtyre rreziqeve, ka shumë kosovarë që me dëshpërim kërkojnë vende të tilla pune.

Së paku një kontraktor kosovar, një grua nga Ferizaji, u vra në Afganistan në vitin 2011, ndërsa një grua tjetër u raportua të ketë qenë kidnapuar por u lirua më vonë. Një tjetër kosovar i cili punoi me Ismajlin në Kabul u kthye në Kosovë pak pas sulmit nga talebanët.

Ai u traumatizua nga ngjarja në fjalë dhe nuk mund të jetonte më në një zonë lufte.

Ismajli, i cili vjen nga Gjilani nga ku në Afganistan kanë shkuar edhe shumë kosovarë tjerë, kishte fituar rreth 70,000$ (60,000€) në vit, pagë kjo e paparamendueshme në Kosovë, ku paga mesatare është pak më e ulët se 400 euro në muaj.

Ai atje punonte si mbikëqyrës i sigurimit të cilësisë dhe logjistikës për DynCorp, e cila udhëhiqte programin e trajnimit të policisë së Afganistanit.

DynCorp kishte përfituar 69% të fondeve të Departamentit të Shtetit për rindërtimin e Afganistanit (nga shuma e gjithmbarshme prej 2.8 miliardë dollarë), duke fituar kësisoj epitetin e përfituesit më të madh të fondeve të rindërtimit.

DynCorp ka implementuar një program ngjashëm edhe në Kosovë pas luftës. Ismajli udhëtonte me helikopterë nëpër Afganistan për të inspektuar qendrat e shumta të trajnimit të DynCorp, por edhe për të mbikëqyrë mbylljen e tyre me rastin e dorëzimit tek policia afgane.

“U përgatita [për tu kthyer në shtëpi] duke qenë se të gjitha kampet po mbylleshin,” na tha Ismajli. Në fund atij iu dha paralajmërimi prej dy javësh dhe u kthye në Gjilan në fund të vitit 2013.

Ai tani kalon kohën duke kërkuar në internet vende të punës nëpër kompani të ndryshme, në Afganistan dhe gjetiu.

“Dua të shkoj prapë e të fitoj para, ngase më duhet të mendoj për të ardhmen,” tha ai.

Përveç pasigurisë me të cilën çdo ditë përballej në Afganistan, nëpër baza ushtarake ka edhe rreziqe tjera. Fatmir Ferati, hidraulik 47-vjeçar nga Ferizaji, la Kosovën në nëntor të vitit 2006 për të punuar në Afganistan, fillimisht për KBR e mandej me Fluor.

Ai qëndroi atje për gjashtë vite, deri në aksidentin i cili i ndodhi duke punuar në fushën ajrore Bagram.

“Pritja në zonën e parkingut pranë portës kryesore kur ai më goditi nga prapa, për pak shpëtova,” tregon Ferati duke përshkruar aksidentin i cili duket se u shkaktua me pirunar nga një ushtar 20-vjeçar amerikan.

Aksidenti e lëndoi atë rëndë në shpinë. Pas këtij aksidenti ai u detyrua të kthehej në Kosovë e të merrej me procese gjyqësore dhe të fillonte terapinë fizike. “Kurrë nuk kisha menduar të kthehem nga Afganistani,” tha ai.

Të tjerët që punojnë në Afganistan shpresojnë të qëndrojnë atje sa më gjatë që të jetë e mundur. Ylber Sahiti filloi punën si vozitës i taksisë në qytetin e tij të lindjes, në Ferizaj, pasi që u kthye në Kosovë nga Austria në vitin 1999.

Ai kishte klientë të rregullt, por paratë që i fitonte nuk i mjaftonin për të mbajtur familjen e tij e cila po rritej vazhdimisht.

Në verë të vitit 2012 ai e shiti veturën e tij për 800 euro, sepse ajo nuk do t’i nevojitej më – ai po përgatitej për jetë të re në Afganistan.

Sahiti 47-vjeçar tani është i mbyllur në fushën ajrore Bagram, bazën më të madhe amerikane në Afganistan, të vendosur rrëzë maleve Hindu Kush, rreth 40km në veri të kryeqytetit.

Sahiti punon shtatë ditë në javë si mekanik në një garazh ku riparohen veturat e tipit MaxxPro MRAP dhe kamionët tjerë ushtarakë. Ai punon me dhjetë burra tjerë, gjashtë prej të cilëve janë kosovarë nga Ferizaji.

Supozohet se kontraktorë si AECOM dhe Fluor kanë punësuar mbi 8,000 kosovarë që nga fillimi i luftës në Afganistan. Të njëjtit fitojnë dhe sjellin në vend mes 50 dhe 55 milionë euro në vit, sipas një raporti të hartuar nga Instituti për Studime të Avancuara – GAP, nga Prishtina.

Por, me tërheqjen e trupave të SHBA-ve nga Afganistani, numri i atyre që po humbin vendet e punës sa vjen e rritet.

Sahiti, të cilin miqtë e tij amerikanë e thërrasin “Rainbow”, që është përkthimi në anglisht i emrit të tij, është i vetëdijshëm se gjatë këtij viti shumë ushtarë do kthehen në shtëpitë e tyre. “Ata e kanë përfunduar punën e tyre këtu,” na tha ai.

Më 28 dhjetor 2014, Presidenti Obama shpalli përfundimin zyrtar të luftës më të gjatë që Amerika e ka zhvilluar dhe inicimin e një misioni të ri në Afganistan, të quajtur Përkrahja e Qëndrueshme, përmes një misioni të udhëhequr nga NATO i cili do të përbëhet nga mbi 12.500 trupa që për qëllim kryesor do ta kenë këshillimin dhe trajnimin e forcave afgane të sigurisë.

Shumica e trupave do të vendosen në Bagram, duke qenë se shumica e bazave tjera veç i janë dorëzuar prapa forcave afgane.

Vetëm gjatë javëve të fundit, Sahiti tha se rreth gjashtë veta janë kthyer në Kosovë nga Bagrami. Njëkohësisht, rreth 15 tjerë janë njoftuar se do të largoheshin nga puna brenda një muaji, përfshirë 10 indianë dhe 5 kosovarë.

Kontraktorët joamerikanë, të njohur edhe si ‘shtetas të vendeve të treta’ (SHVT), thonë se paguhen dukshëm më pak se kolegët amerikanë të tyre, dhe se kushtet e kontratave të tyre të punësimit janë më të pafavorshme.

“Nga ata prej nesh që vijnë nga Kosova dhe India, është fare e parëndësishme nëse kenë nënshkruar kontratë apo jo,” tha Sahiti nga Bagrami në një intervistë në Skype.

Ai ka brenga lidhur me sigurinë e vendit të tij të punës dhe shpreson se mund të rrijë në Afganistan së paku deri në korrik, por ska fare siguri lidhur me këto kontrata, thotë ai.

Sahiti ka një familje të madhe të cilën e përkrahë, me gjashtë fëmijë të moshës nga 5 deri 19 vjeç. Ai thotë se në Afganistan mund të fitojë deri në dhjetë herë më shumë se sa në Kosovë.

Ai veç është duke planifikuar se si të kthehet në Afganistan apo edhe në Irak, nëse e dërgojnë në shtëpi para përfundimit të kontratës. “Unë do të kthehem prapë nëse mundem, për një apo dy vite tjera,” thotë ai.

Sahiti mund të joshet sikur edhe shumë bashkëkombas të tij që të kërkojë mundësi të reja punësimi në një rajon tjetër të panjohur – në Afrikë, ku prania ushtarake e SHBA-ve sa vjen e rritet.

LOGCAP tani i ka shtuar operacionet atje. Fluor, kompania që ka punuar në Bondsteel, Afganistan dhe Irak, ka nisur një sërë projektesh në Afrikën perëndimore, duke përkrahur Komandën e SHBA-ve në Afrikë “në mbrojtjen e interesave të Amerikës dhe ngritjen e aftësive mbrojtëse në regjionin e Afrikës,” sipas komunikatës për shtyp të nxjerrë nga Fluor.

Për momentin, detyrat e këtij grupi janë puna humanitare dhe adresimi i përhapjes së Ebolas.

“Njerëzit që i kemi rekrutuar këtu [në Kosovë] kanë pasur përvoja të mira në llojet e punëve që ne i kryejmë për Armatën e SHBA-ve,” tha zëdhënësi i korporatës nga Teksasi Fluor, lidhur me planet për të kontraktuar kosovarë dhe ballkanas tjerë për projektet e reja në Afrikë.

“Ne e kemi pasur këtë mundësi dhe i kemi rekrutuar ata për punët që na presin në Afrikë perëndimore.”

Valmir Gashi 27-vjeçar ka punuar në baza të ndryshme në Kandahar të Afganistanit jugor që nga viti 2010.

Ai aktualisht punon për Ecolog si mbikëqyrës i depos në fushën ajrore të Kandaharit, që përbën një nga fare pak baza ushtarake amerikane të mbetura në Afganistan, por nuk e di edhe sa do të mund të qëndrojë atje.

“Projektet po tkurren, njerëzve po u shkëputen kontratat,” tha ai në një intervistë të mbajtur në Ferizaj gjatë vizitës së tij të fundit në shtëpi gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar.

Menaxheri i tij i kishte thënë se do të fillohet me demobilizim të stafit nga Kandahari dhe është duke e rekomanduar kalimin e tij në Republikën e Afrikës Qendrore, RAQ, për të kryer të njëjtën punë atje.

Gashi është i bindur se do të shkojë në RAQ pasi të mos ketë më punë në Afganistan. Ai po planifikon që në RAQ të shkojë drejtpërsëdrejti nga Afganistani pas disa muajsh, përkundër faktit se do të punojë në një vend me trazira ku ka pasur luftë civile muajin e kaluar.

Pagën atje do ta ketë më të mirë pasi që, siç thotë ai vetë, atje do të paguhet në euro.

Nëse gjërat shkojnë siç i ka planifikuar Gashi, ai atje do t’i bashkëngjitet një numri të madh kosovarëve që po fitojnë bukën e gojës në kontinentin afrikan. I tillë është Adnan Dermaku.

Duke bashkëbiseduar me ne nga një shator në Gbdeiah, qytet ky i vendosur thellë në territorin e Liberisë, ai rikujton odisejadën e tij 15-vjeçare të punës me amerikanët, nga posti i rojës së sigurimit në kampin Monteith në vitin 1999, si përkthyes me UNMIK-un, punës së shkurtë në kampin Bondsteel, turneun trevjeçar me Fluor në Afganistan dhe dy angazhime të ndryshme në Irak, i fundit prej së cilëve përfundoi në dhjetor të vitit 2014.

“Për 15 vite fëmijët e mi janë ushqyer nga të hyrat që vijnë nga Amerika. Me një fjalë, Amerika na ka mbajtur gjallë,” tha bashkëshortja e tij Lira duke përshkruar punën e vazhdueshme të burrit të saj për kompani amerikane.

Megjithatë, kohëzgjatja e kontratave të Dermakut nuk është e garantuar, pasi që SHBA-të kanë filluar të tërheqin trupat nga Afganistani.

“Ne e kemi ditur që do të vjen dita kur duhet të kthehemi për shkak të shkurtimit të trupave,” tha ai. Kur ku kthye në Kosovë në vitin 2013 ai mezi priste të kthehej prapa për arsye të ekonomisë së Kosovës e cila ishte në rënie e sipër. Ai gjeti një vend pune si kamerier ku fitonte 200 euro në muaj. Por, ato nuk i mjaftonin.

“Nuk mund t’i mbajë pesë, gjashtë apo shtatë anëtarë të familjes me 200, 300 apo 500 euros, andaj duhet të mendojmë për misionin e radhës, për punën e radhës, për hapat në vijim, në mënyrë që të fitojmë më shumë,” tha Dermaku 41-vjeçar.

Pas nëntë muajsh në Gjilan ai aplikoi për një vend pune tek Ecolog në Irak. Kjo do të ishte hera e dytë e tij në Irak, pasi që mes viteve 2006 dhe 2008 kishte punuar në Bagdad me KBR, me të njëjtin kontraktor që kishte operuar kampin Bondsteel. Kur iu dha mundësia për të punuar në Afrikën perëndimore, mundësi kjo që ia kishte gjetur gruaja e tij, ai e pranoi me të dyja duart.

“Në krahasim me raketat që të fluturojnë mbi kokë në Irak dhe Afganistan, këtu është më mirë,” thotë ai për jetën e tij të re në Liberi ku punon për një projekt të financuar nga USAID për luftimin e Ebolës.

“Unë nuk dua ta vë veten në rrezik,” tha ai kur u pyet lidhur me rrezikun për të marrë Ebolën. Ai thotë se është i sigurt duke qenë se i ndërmerr të gjitha masat e sigurisë përditë, duke mos i prekur kolegët e tij dhe duke kontrolluar çdo ditë temperaturën trupore, e cila monitorohet nga stafi mjekësor ndërkombëtar.

Duke qenë se situata ekonomike në Kosovë mbetet e nderë, janë të shumtë ata që duan t’i ndjekin hapat e Dermakut e të shkojnë në Afrikë apo në zona tjera lufte.

“Kosovarët janë duke kërkuar mundësi të ngjashme të punës në Lindje të Mesme, në Siri apo në vende tjera, vetëm e vetëm për të punuar diçka,” tha Agron Demi, Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Studime të Avancuara – GAP, të njëjtës organizatë e cila e ka hartuar raportin e vitit 2011 mbi remitancat nga Afganistani dhe Iraku.

Ilir Marveci 34-vjeçar që ka punuar dy vite në Bondsteel para se të transferohej për pesë vite në Irak dhe dy vite në Afganistan.

Ai kujton se si kontraktorët si KBR po rekrutonin kosovarët për të shkuar në Irak në vitin 2005. Marveci ishte mes grupit të fundit të punëtor[ve ndërkombëtarë që qëndruan në Irak deri në përfundim të misionit në vitin 2011. Ai kujton të ketë parë mijëra njerëz në radhë nëpër aeroporte gjatë ditëve të fundit të prezencës së SHBA-ve atje.

Me kursimet e akumuluara jashtë vendit, ai arriti të blinte një banesë dhe një dyqa në Ferizaj, për të cilat shpenzoi kati 200,000$. Ai dhe familja e tij tani jetojnë nga kursimet dhe qiraja e dyqanit, e cila ia sjell rreth 400 euro në muaj. Por, ai ka nevojë për më shumë para.

“Po përpiqem të kthehem, nëse arrij të kthehem… kudo, Afganistan, Afrikë, kudo,” tha ai duke shtuar: “Të gjithë po flasin për të [Afrikë].” Ai veç ka aplikuar për disa vende pune në Senegal me Fluor, e ngjashëm si shumë të tjerë është duke pritur thirrje nga ta.

Me ekonominë e Kosovës e cila nuk është premtuese, kosovarët e papunë e kuptojnë se e kanë të vështirë të gjejnë vend pune në Evropën perëndimore, prandaj janë të gatshëm të shkojnë në Afrikë e Lindje të Mesme, nëse për këtë gjejnë përkrahje tek amerikanët.

Sipas Demit, shumë Kosovarë “pyeten nëse SHBA-të do të hyjnë në Siri apo Libi apo ndonjë vend tjetër, duke e ditur se atje mund të ketë punë për ta siç kishte në Afganistan dhe Irak.”/GazetaJNK/

loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here