Lajmi Fundit
Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqiperia, informacionet e fundit, lajmeshqip, lajmet, lajm nga vendi, lajme nga kosova, lajme rajoni, bota, live te fundit news 24

Nishani sfidon mazhorancën, kthen mbrapsht ligjin e ri për Gjykatën e Lartë

nishani-2014Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka vendosur të kthejë mbrapsht ndryshimet në ligjin nr. 177/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”. Kjo padyshim do të thellojë edhe më tej përplasjen e tij me mazhorancës, marrëdhënie e cila është futur tanimë në një rrugë pa krye.

Arsyetimi i plotë i dekretit të Nishanit për ta kthyer mbrapsht ligjin:

Të nderuar deputetë,

Në seancën plenare të datës 18 Dhjetor 2014, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 177/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”. Ky ligj është paraqitur për shpallje më datë 23 dhjetor 2014.

Grupi i deputetëve propozues të ligjit në relacionin shoqërues të projektligjit në fjalë ka vlerësuar se ligji nr. 151/2013, i miratuar me shumicë të cilësuar prej 3/5 të anëtarëve të tij, solli ndryshime të rëndësishme në ligjin organik të Gjykatës së Lartë, ku përmes atyre ndryshimeve u synua që nëpërmjet detajimit të kushteve dhe kritereve në seleksionimin e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë, rritjes së transparencës në tërësinë e procesit dhe orientimit të procesit konsultues mes Presidentit dhe Kuvendit, që kryhet para nxjerrjes së dekretit të emërimit, të gjenin pasqyrim në ligj qëndrimet e jurisprudencës legjislative të Gjykatës Kushtetuese në vendimet e saj nr. 2/2005 dhe nr. 24/2011 për të siguruar një përbërje sa më cilësore, profesionale dhe me integritet të Gjykatës së Lartë. Më tej, grupi i deputetëve propozues ka justifikuar propozimin për ndryshimet ligjore, me arsyen se objektivi për të normuar sa më saktë dhe ekuivoke këtë proces të rëndësishëm, rezulton të mos jetë përmbushur plotësisht dhe se konkretisht nga koha e miratimit të ligjit nr. 151/2013 e deri më sot, në 5 raste, procesi i konsultimit mes Presidentit të Republikës dhe Kuvendit, edhe pas ndryshimeve ligjore më të fundit nuk ishte konstruktiv referuar të shkuarës. Grupi i deputetëve në relacion i referohet dhe progresraportit më të fundit lidhur me vendet e paplotësuara në Gjykatën e Lartë, si rezultat i rrëzimit të dekreteve presidenciale për emërimin e tre anëtarëve të saj. Në vijim të kësaj, deputetët propozues kanë propozuar ato ndryshime ligjore me qëllim që të përforcojnë rolin e kritereve objektive dhe shtesë në përzgjedhjen e kandidaturave për t’u emëruar në detyrën e anëtarit të Gjykatës së Lartë, si dhe të shmangë në maksimum ndikimet e mundshme politike, duke parashikuar një trupë këshillimore pranë Presidentit të Republikës siç është Këshilli për Emërimet në Gjykatën e Lartë, përveç ndërhyrjeve të karakterit parimor dhe teknik, që synojnë rritjen dhe forcimin e kritereve objektive që do të duhet të plotësohen nga ana e kandidaturave potenciale për Gjykatën e Lartë.  (1)

Në bindje të Kushtetutës së Shqipërisë dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës kam vlerësuar se ky ligj, i cili nuk është konsultuar më parë me Presidentin e Republikës sikur pretendohet, duhet kthyer për rishqyrtim Kuvendit mbështetur në arsyet dhe argumentet e mëposhtme.

Së pari: Presidenti i Republikës është plotësisht i angazhuar në zbatimin e Kushtetutës, jurisprudencës së saj dhe për më tepër në plotësimin e rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Bashkimit Europian, përfshirë këtu reformën në gjyqësor. Në këtë drejtim, në funksionin që ushtroj i kam kërkuar të gjitha palëve një reformë tërësore dhe gjithëpërfshirëse referuar ekspertizës së partnerëve ndërkombëtarë, duke filluar nga Bashkimi Europian përmes  misionit Euralius IV dhe për t’u certifikuar në fund nga ana e Komsionit të Venecias.  Progres Raporti i fundit të cilit i referohen deputetët propozues të ligjit përcakton se: “Shqipëria duhet të ndjekë fuqimisht reformën në drejtësi me bashkëpunim konstruktiv mes të gjitha palëve të interesuara, duke angazhuar vazhdimisht Komisionin e Venecias, ashtu si për Strategjinë e reformës në drejtësi 2014-2020 e cila po përgatitet, si edhe duke kryer rishikim gjithëpërfshirës të kuadrit legjislativ të zbatueshëm.”(2) Në lidhje me sistemin gjyqësor ka konkluduar se: “Në korrik u miratuan ndryshimet në Ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, në Ligjin për Gjykatat Administrative dhe në Ligjin për Shkollën e Magjistraturës, në një mënyrë të përshpejtuar, pa një proces gjithëpërfshirës dhe tërësor reformash bazuar në konsultime të gjera dhe nën orientimin e Komisionit të Venecias. Duhet të miratohen aktet ligjore kyçe për reformimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë si edhe të Prokurorisë.” Ndërsa, në lidhje me Gjykatën e Lartë, referuar pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqësorit ka konkluduar se: “Statusi i Gjykatës së lartë dhe procesi i emërimit të anëtarëve të saj mbeten shqetësuese në kuptimin e politizimit të mundshëm, për sa kohë dispozitat kushtetuese përkatëse nuk ndryshohen.” (3)

Në këtë kuadër, si President i Republikës evidentoj se iniciativa më e fundit në hartimin e ndryshimeve të tilla ligjore ndaj ligjit për Gjykatën e Lartë, nuk është në kuadrin e pritshmërive të Komisionit të Bashkimit Europian, referuar progresraportit më të fundit.
Konstatoj se edhe në këtë rast, ashtu si edhe me tre ligjet në fushën e drejtësisë të miratuara nga Kuvendi në muajin Korrik të këtij viti, iniciativa është e përshpejtuar dhe jo e konsultuar paraprakisht herët në kohë nga Euralius, OSBE dhe për më tepër Komisioni i Venecias. Progresraporti thotë qartë se reforma në Gjykatën e Lartë duhet të paraprihet nga ndryshimet kushtetuese dhe për më tepër është i nevojshëm një rishikim gjithëpërfshirës i kuadrit legjislativ të zbatueshëm.

Misioni Euralius IV në opinionin e tij të datës 15 Dhjetor 2014 ka konkluduar se ndryshimet ligjore nuk përmbushin pritshmëritë e reformës në drejtësi sa i takon Gjykatës së Lartë të përcjella nga faktori ndërkombëtar, përsa kohë janë të nevojshme të bëhen ndryshime në Kushtetutë dhe në ligje në kuadrin e reformës në drejtësi. (4)

Pra, është e vërtetuar katërcipërisht që ky ligj i kaluar në mënyrë të përshpejtuar, nuk i shërben qëllimit për të cilin u draftua dhe për më tepër krijon një imazh negativ para partnerëve ndërkombëtarë referuar pritshmërive të tyre sa i takon reformës në drejtësi.

Së dyti: Deputetët propozues të ligjit referuar Relacionit të projektligjit kanë arritur në konkluzionin se ligji 151/2013, i cili  synonte që nëpërmjet detajimit të kushteve dhe kritereve në seleksionimin e kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë, rritjes së transparencës në tërësinë e procesit dhe orientimit të procesit konsultues mes Presidentit dhe Kuvendit, që kryhet para nxjerrjes së dekretit të emërimit për të siguruar një përbërje sa më cilësore, profesionale dhe me integritet të Gjykatës së Lartë, nuk i arriti pritshmëritë dhe objektivi nuk është përmbushur plotësisht nga koha e hyrjes në fuqi të tij.
Deputetët duke treguar faktin e rrëzimit të dekreteve të Presidentit kanë kthyer në argument për nevojën e ndryshimeve ligjore në drejtim të krijimit të një Këshilli të detyruar pranë Presidentit për përzgjedhjen e kandidaturave dhe në ndërhyrje të tjera të karakterit parimor dhe teknik sa i takon kritereve objektive të përzgjedhjes, duke pretenduar se po zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese në drejtim të Gjykatës së Lartë.

Presidenti i Republikës edhe më parë në letrën nr. 1138/2 prot, datë 08.07.2014 në përgjigje të letrës nr 2208/1 prot, datë 27.06.2014 të kryetarëve të dy grupeve parlamentare PS-LSI, ka sqaruar se ‘e gjithë praktika e deritanishme e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga Institucioni i Presidentit të Republikës është konsideruar si një proces bashkëpunimi midis Gjykatës së lartë (me bërjen e njoftimit për vakancë), Presidentit të Republikës (me shpalljen e konkurrimit, verifikimin e dokumentacionit të konkurrentëve, publikimin e listës së kandidatëve, konsultimet me grupet parlamentare deri në dekretet e emërimit) dhe Kuvendit( nëpërmjet konsultimit dhe dhënies së pëlqimit), një tërësi procedurash të vërtetuara dhe të njohura nga çdo deputet dhe të bëra publike për mbarë opinionin qytetar’ . (5)

Ashtu siç kam informuar përmes asaj shkrese, në zbatim të Kushtetutës, jurisprudencës së saj dhe ligjit nr. 151/2013, kam përfshirë në këtë proces të përzgjedhjes edhe ekspertë konstitucionalistë dhe të botës akademike, të cilët me ekspertizën e tyre kanë kontribuar në vendimmarrjen për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë, të bëra tashmë publike.

Në çdo rast për dekretet e përcjella në Kuvend, kam arsyetuar në lidhje me kushtet ligjore, kriteret objektive dhe vlerësimit të kritereve të tjera shtesë, referuar ligjit të kohës në fuqi dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 40, datë 07.07.2014. Ndërkohë që vendimet respektive të Kuvendit për rrëzimin e dekreteve nuk kanë ardhur të arsyetuara.

Në vendimin e saj nr. 2/2005 Gjykata Kushtetuese, referuar edhe Komisionit të Venecias, ka arritur në përfundimet se sistemi i emërimit i adoptuar nga Kushtetuta, i vë subjektet që përfshihen në të, para kërkesës së respektimit të parimit të luajalitetit kushtetues, ku si Presidenti edhe Kuvendi në zgjedhjen e gjyqtarit duhet të udhëhiqen nga i njëjti objektiv- për të siguruar një përbërje cilësore dhe të përshtatshme të Gjykatave. (6)
Referuar amicus-curiae të paraqitur nga Komisioni i Venecias lidhur me interpretimin e neve 125 dhe 136 të Kushtetutës, kuptohet se pushteti ekskluziv në propozimin e kandidatëve i takon Presidentit të Republikës, i cili ka detyrimin e arsyetimit të dekreteve të tij dhe bërjes publike të tyre, ashtu sikundër Kuvendi ka të drejtën e vetos dhe të kontrollit procedural dhe substancial të tyre, por në çdo rast Kuvendi është i detyruar të arsyetojë dhe të bëjë publike shkaqet e refuzimit të dekreteve. Në çdo rast Kuvendi duhet të paraqesë para Presidentit udhërrëfyesin të cilit i referohet në vendimmarrjet e tij në lidhje me këtë proces. (7)
Rezulton se në asnjë nga rastet nuk ka ndodhur që të ketë një vendim të arsyetuar lidhur me rastet e refuzimit dhe për më tepër të bërë publike. Gjithashtu, nuk rezulton që Kuvendi referuar propozimeve të Presidentit të ketë paraqitur një udhërrëfyes në lidhje me kriteret objektive dhe ato shtesë që duhen vlerësuar në rastin e përzgjedhjes së një kandidati për anëtar të Gjykatës së Lartë.

Pra, edhe në planin  praktik të zbatimit të ligjit rezulton se nuk ka asnjë arsye objektive që justifikon ndryshimin e përshpejtuar të ligjit jashtë reformës tërësore dhe gjithëpërfshirëse në sistemin gjyqësor. Përkundrazi, Kuvendi duhet të respektojë parimin e luajalitetit kushtetues në këtë proces të rëndësishëm, ashtu siç është orientuar edhe nga Komisioni i Venecias dhe vendimet 2/2005 dhe 24/2011 i Gjykatës Kushtetuese.

Së treti: Përmes ligjit të ri në nenet 2 dhe 3 të tij është parashikuar ngritja, mënyra e funksionimit të Këshillit për Emërimet në Gjykatën e Lartë, si organ këshillimor pranë Presidentit të Republikës. Deputetët propozues pretendojnë se në këtë propozim të tyre i referohen traditës institucionale që de facto Presidenti i Republikës është këshilluar nga një këshill, i cili ka patur për funksion të bëjë përzgjedhje dhe t’i rekomandojë Presidentit kandidatët potencialë. Duke ushtruar funksionet e ligjvënësit ata kanë menduar se ky ‘organ’ i cili funksionon de facto duhet të ngrihet në nivelin e një strukture ligjore.

Ky Këshill që krijohet si strukturë ligjore cënon nenin 136/1 të Kushtetutës dhe vendimin    nr. 2/2005 të Gjykatës Kushtetuese që ka bërë interpretimin e këtij neni. Sipas dispozitave 2 &3 të ligjit 177/2014, vlerësimi i kandidatëve dhe përzgjedhja e kandidatëve do të bëhet nga Këshilli për Emërimet, ndërkohë që kjo është kompetencë ekskluzive e Presidentit të Republikës.

Komisioni i Venecias në dhënien e opinionit të tij në vitin 2004 ka bërë një analizë të hollësishme të funksionit ekskluziv kushtetues të Presidentit në propozimin e kandidatëve për Gjykatën e Lartë. Kështu sipas këtij opinioni, referuar Kushtetutës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës ka pushtet ekskluziv në përzgjedhjen e kandidaturave për Gjykatën e Lartë duke konsideruar kushtet ligjore dhe kriteret objektive të përcaktuara në ligj dhe për më tepër emërimet e Presidentit nuk janë të bazuara në propozime të detyrueshme të bëra nga ndonjë kabinet/këshill të nevojshme për vlefshmërinë e atyre emërimeve. (8)

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr. 24/2011 ka bërë të qartë se:

‘20. Gjykata vëren se në procedurën për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese përfshihen dy organe të përcaktuara shprehimisht në Kushtetutë: Presidenti, i cili shqyrton kandidaturat, dekreton kandidatët e përzgjedhur dhe i paraqet ato për miratim, dhe Kuvendi, i cili merr vendimin për dhënien ose jo të pëlqimit për kandidaturat përkatëse të përzgjedhura nga Presidenti.

21. Në këndvështrimin e Gjykatës kualifikimi i gjyqtarëve është së pari një vlerësim kriteresh dhe vlerash i bërë nga Presidenti dhe më pas edhe nga Kuvendi. Është mision dhe përgjegjësi e Presidentit që mes kandidaturave, që plotësojnë kriteret kushtetuese/ligjore, të bëjë përzgjedhjet që ai mendon se janë më të përshtatshme dhe që paraqesin vlera për të ushtruar funksionin e një gjyqtari kushtetues. Pas përzgjedhjes së bërë nga Presidenti, Kuvendi ka, gjithashtu, kompetencën ekskluzive të vlerësojë faktet e paraqitura, me qëllim të vlerësimit jo vetëm të plotësimit të kushteve formale, por edhe të meritës së kandidaturës përkatëse.

23. Gjykata vlerëson se Presidenti dhe Kuvendi, gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre kushtetuese janë interpretuesit e parë të normës kushtetuese dhe përcaktimi, nga ana e Gjykatës, i kritereve që duhet të plotësojë një kandidaturë, çon në marrjen, nga kjo e fundit, të kompetencës kushtetuese të secilit prej këtyre organeve. Në këtë kuptim, Presidenti dhe Kuvendi, bazuar në parimin e luajalitetit kushtetues, duhet të bashkëpunojnë për përcaktimin e kritereve ligjore, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë, në funksion të sigurimit të një përbërjeje cilësore të Gjykatës Kushtetuese.’

Sipas pikës 1 të nenit 3/1, Këshilli për Emërimet krijohet si organ këshillimor për Presidentin e Republikës, por nga përmbajtja e vetë dispozitave të ligjit rezulton se është një organ tërësisht vendimmarrës dhe detyrues për Presidentin, pasi siç u shprehëm më lart, i heq atij çdo të drejtë vlerësimi dhe përzgjedhje të kandidatëve.

Organet këshillimore, si në çdo rast, edhe për Presidentin e Republikës krijohen dhe funksionojnë me iniciativën e këtij të fundit sipas nevojës dhe vlerësimit përkatës për çështje të caktuara. Është tërësisht e papranueshme që pushtete të tjera të krijojnë organizma këshillimore për Presidentin e Republikës, në një kohë që vetë ky institucion nuk e shikon të nevojshme dhe aq më shumë të detyrueshme krijimin dhe funksionimin e tyre.
Kjo është shfaqur si shqetësim edhe nga Prezenca e OSBE-së në opinionin e dhënë sipas kërkesës së Komisionit të Ligjeve, përveçse është haptazi kundër jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese të referuar më sipër dhe për më tepër opinioneve të dhëna nga Komisioni i Venecias.

Si rezultat, referuar sa më sipër Neni 2, Neni 3 i ligjit 177/2014 në lidhje me krijimin, organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Gjykatën e Lartë janë në kundërshtim të hapur me nenin 136/1 të Kushtetutës, vendimet 2/2005 dhe 24/2011 të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë linjë edhe ndryshimet e tjera të bëra përmes nenit 4 të ligjit 177/2014, të cilat ekzistojnë në funksion të krijimit të strukturës ligjore “Këshilli i Emërimit” nuk do të kenë më asnjë kuptim.

Së katërti: Ndryshimi në nenin 3, pika 2, gërma “a”, nënndarja “v”, në të cilin së bashku me vlerësimin në përfundim të arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 si  dhe vlerësimi përfundimtar në shkollën e magjistraturës si kritere objektive detyruese në përzgjedhjen e tyre në Gjykatën e Lartë, kufizon numrin e gjyqtarëve që do të kandidojnë si anëtarë të Gjykatës së Lartë.
Vërej se brezi i parë i magjistratëve është diplomuar në vitin 2000, kurse neni 3 i ligjit kërkon që kandidati të ketë eksperiencë pune si gjyqtar jo më pak se 13 vjet. Pjesa më e madhe e trupës gjyqësore si në gjykatat e rretheve gjyqësore ashtu edhe në gjykatat e apelit nuk kanë përfunduar shkollën e magjistraturës, por ky fakt nuk mund të përbëjë pengesë për këta individë me eksperiencë të gjatë pune dhe nivel të lartë profesional që të kandidojnë për një post të tillë. Sistemi gjyqësor shqiptar është ndërtuar duke patur ‘karrierën’ si elementin themelor të promovimit të gjyqtarëve, qëndrim i cili është sanksionuar edhe në vendimin nr. 40 datë 7.7.2014 të Gjykatës Kushtetuese e cila ka konkluduar se :

’22…Gjykata vlerëson se karriera është një nga përfitimet që gjyqtarët e gëzojnë për shkak të detyrës që kryejnë dhe, si e tillë, përfshihet në sferën e garancive që burojnë nga neni 138 i Kushtetutës. Të gjitha këto garanci janë të lidhura ngushtësisht ndërmjet tyre. Mbi këto standarde kushtetuese duhet të orientohet veprimtaria ligjvënëse me qëllim moscenimin e statusit të gjyqtarëve, të drejtave dhe përfitimeve që ata duhet të gëzojnë për shkak të detyrës që kryejnë.

23. Parimi i sigurisë juridike mbron garancitë që rrjedhin nga neni 138 i Kushtetutës, ku përfshihet edhe e drejta e karrierës, si pjesë përbërëse e statusit të gjyqtarit dhe një nga përfitimet e tjera që gjyqtarët gëzojnë, për shkak të funksionit. Gjykata ka theksuar se siguria juridike është ndër elementet thelbësore të shtetit të së drejtës. Qëllimi i parimit të sigurisë juridike është të sigurojë besimin e personave te shteti e ligji dhe, vetë gjyqtarët, të cilët administrojnë drejtësinë duhet të gëzojnë një besim të tillë. Ligjvënësi ka detyrimin të rregullojë, në mënyrë më të hollësishme, të drejtat dhe garancitë e parashikuara në Kushtetutë. Në kuadrin e këtij rregullimi ai mund të vendosë dhe kufizime, por këto kufizime duhet të bëhen vetëm për një interes publik, për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve me mënyra dhe forma që të jenë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar ndryshimin dhe pa prekur thelbin e të drejtës dhe garancisë.

28. ….Edhe Karta Evropiane për statusin e gjyqtarit në parimet e përgjithshme
evidenton se statusi i  gjyqtarëve ka si qëllim garantimin e pavarësisë dhe paanshmërisë, të cilat, sipas relacionit shoqërues të Kartës, duhet të garantohen edhe në sferën e karrierës. Nëse nuk bazohet në vjetërsi, sistemi i promovimit është i bazuar ekskluzivisht në cilësitë dhe meritat që konstatohen gjatë ushtrimit të detyrës, nëpërmjet vlerësimeve objektive të organit përkatës.(9) Për këto arsye Karta përcakton si kritere promovimi vetëm cilësitë dhe meritat në ushtrimin e detyrës, të identifikueshme përmes vlerësimeve objektive. Rekomandimi Nr. R (94) 12 i Këshillit të Evropës, të cilit i referohet Karta Evropiane e statusit të gjyqtarit, tregon një preferencë shumë të qartë për një sistem promovimi të bazuar në merita: “Të gjitha vendimet lidhur me karrierën profesionale të gjyqtarëve duhet të bazohen në kritere objektive dhe zgjedhja dhe karriera e gjyqtarëve duhet të bazohet në meritë, duke pasur parasysh kualifikimet, integritetin, aftësinë dhe efikasitetin”. Neni 13 i Parimeve Themelore të Kombeve të Bashkuara mbi pavarësinë e gjyqësorit shprehet se “karriera e gjyqtarëve, aty ku ekziston një sistem i tillë, duhet të bazohet në faktorë objektivë, veçanërisht në aftësitë, integritetin dhe eksperiencën”. Po kështu edhe neni 9 i Kartës Universale të Gjyqtarëve parashikon se “përzgjedhja dhe emërimi i çdo gjyqtari duhet të bëhet sipas kritereve objektive dhe transparente bazuar në kualifikimin e përshtatshëm profesional”. Nisur nga jurisprudenca kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare të sipërcituara, Gjykata vlerëson se karriera është një element mjaft i rëndësishëm i statusit të gjyqtarit dhe vetëm një sistem karriere i bazuar në kritere objektive garanton ushtrimin e funksioneve në mënyrë të pavarur dhe të paanshme nga ana e gjyqtarëve.

Deputetët propozues në relacionin shoqërues të projektligjit e kanë justifikuar vendosjen e këtyre kritereve shtesë objektive si nota mesatare 8 dhe vlerësimi i Shkollës së Magjistraturës, si kritere të cilat ndikojnë në rritjen e cilësisë së trupës së gjyqtarëve të Gjykatën e Lartë, por nuk ekziston asnjë arsyetim apo argument bindës që justifikon kufizimin e kriterit kufizues përmes notës mesatare 8 apo vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës me objektivin që ligjvënësi synon të arrijë. Edhe Prezenca e OSBE –së ka shfaqur dyshimet e saj në lidhje me këto kritere objektive të shtuara përmes ligjit 177/2014.

Së pesti: Në nenin 3, pika 2, gërma “a”, në nëndarjen “viii” të shtuar me ligjin objekt shqyrtimi, përfshirja e kriterit kufizues “deklarimi i …..konfliktit të interesit” bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 40/2014, i cili e ka shfuqizuar këtë kriter kufizues nga dispozita përkatëse në ligjin që është aktualisht në fuqi. Konflikti i interesit është një element që vlerësohet rast pas rasti në çështje konkrete dhe nuk mund të jetë një kriter kufizues në momentin e përzgjedhjes së kandidatëve. Nga ana tjetër, në nenin 22 të ligjit nr. 9877 datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” janë përcaktuar papajtueshmëritë me detyrën e gjyqtarit dhe kjo dispozitë është e zbatueshme edhe për ligjin nr. 8588 datë 15.03.2000, siç e përcakton edhe neni 31, fjalia e dytë e këtij ligji, ndryshuar me nenin 6 të ligjit nr. 177/2014.

Së gjashti: Në nenin 3, pika 2, gërma “b”, përmbajtja e nënndarjes “i” të ndryshuar, që bën fjalë për përbërjen e trupës gjyqësore duke synuar balancën ndërmjet përvojave personale të anëtarëve është e njëjtë me përmbajtjen e nënndarjes “iii”, e cila me ndryshimet e paraqitura mbetet e paprekur. Nga ana substanciale sërish referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese vendimit 40/2014, kjo mund të përbëjë një kufizim në karrierën e gjyqtarëve dhe për më tepër mund të shërbejë si një pengesë për rekrutimin e juristëve shumë të mirë.

Të nderuar deputetë,

Në përfundim, referuar sa më sipër kërkoj mirëkuptimin Tuaj në rishqyrtimin e ligjit nr. 177/2014 pasi shumica e dispozitave të tij bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe jurisprudencën me fuqi detyruese të Gjykatës Kushtetuese.

Me respekt,      

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

BUJAR NISHANI

Anetaresohuni ne Forumin e LajmiFundit.al dhe diskutoni e postoni lirisht per te gjitha temat qe deshironi!
3 Comments
  1. ah moj shqipni.... says

    o gjytyrym muti…me cte drejte,kthen ligjet mbrapsht,sepse je i prapte vete? fuck you! popull…urgjent REFERENDUM! te hiqet plehu i sales….dhe bajgat e tjera….

  2. tokesori says

    kur u be dhe ky gjysmak te ktheje ligjet. Kur nuk ngrihet populli para presidences dhe ti japi nje shqelm bytheve ketij gjytyrymi se po e merr me qafe nje shtet te tere….

  3. syke says

    ky nuk pjerdh…as per qeveri,as per shtet……..bravo…..,,,loje e bukur!

Pergjigju

Adresa juaj e-mail nuk publikohet