Greqi, ish-kryeministri Papandreu shpall sot partinë e tij të re

Bota

papandreuSot pasdite, në ora 17:30 ish-kryeministri grek dhe ish-kreu i PASOK, Jorgos Papandreu shpall zyrtarisht partinë e tij. Në një deklaratë me shkrim, Papandreu thekson: “Vit i ri, fillim i ri. Erdhi ora për hapin tjetër të madh të forcave progresive të vendit. Të ndërtojmë të gjithë së bashku shtëpinë e re politike që do të strehojë vlerat tona progresive, vlerat që na bashkuan dhe na bashkojnë. Që nesër, marrim pjesë në nisjen e një lëvizjeje, që mundet dhe duhet t’u përgjigjet esencialisht imperativave të mëdha që preokupojnë vendin dhe popullin grek”.

Shpallja e partisë së krijuar nga ish-kryeministri dhe ish-kryetar i PASOK-ut, Jorgos Papandreu, bëhet në një kohë kur Greqia ndodhet në ethet e zgjedhjeve të parakohshme të 25 janarit, dhe kur SYRIZA mund të jetë forca fituese. PASOK i Evangelos Venizelos e cilësoi këtë hap një akt politik të pamoralshëm dhe absurd që konsiston në përpjekjen e ish-kryeministrit për të përçarë PASOK-un”. Lëvizja e Papandreut vjen pas përplasjeve brenda partisë PASOK, dhe e dëmton rëndë këtë të fundit.

ME TE LEXUARAT