Kumbaro: Aplikimi për hapësirën në plazhe deri më 27 shkurt

Aktualitet

Kumbaro: Aplikimi për hapësirën në plazhe deri më 27

Kumbaro: Aplikimi për hapësirën në plazhe deri më 27 shkurt, kusht zero detyrime dhe vrojtues

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro deklaroi sot në një takim me operatorët turistikë në plazhe që katër muaj para nisjes së sezonit do të nisë procesi i hartëzimit të stacioneve duke njoftuar edhe afatet e aplikimit. Kumbaro theksoi se 27 shkurt është afati i fundit dhe nuk do të ketë rihapje të dytë. Risi këtë vit është se çdo subjekt që aplikon për një hapësirë në plazh duhet të ketë shlyer çdo detyrim ndaj shtetit në sistemin e tatimeve.

“Katër muaj punë për të prodhuar hartëzimin e stacioneve të plazhit të miratuara nga komiteti për menaxhimin e sezonit turistik. Janë në total 380 parcela publike për sezonin e ri turistik, edhe 1359 parcela të disponueshme për aplikim. 30 ditë afati i aplikimit. Prandaj po e bëjmë këtë komunikim publik që të mos ketë keqkuptime.

Merr lajme ekskluzive në Viber

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Viber duke klikuar këtu.

Deri në 27 shkurt. Nuk do ketë rihapje të aplikimit. 10 ditë është afati i përcaktuar për shqyrtimin. Ka një risi këtë vit që e kemi miratuar me VKM. Çdo subjekt bashkë me aplikimin duhet të paraqesë edhe vërtetimin nga autoritetet tatimore që nuk ka asnjë detyrim te Tatimet. Edhe subjektet që kanë kontratë 2-5 vjeçare nuk kanë nevojë të aplikojnë por duhet të paraqesin vërtetimin që nuk janë debitorë në sistemin e tatimeve”, tha Kumbaro.


Ajo theksoi se kontroll do të ketë edhe për baret në plazhe duke theksuar se pjesa më e madhe e tyre janë pa leje. Kusht për subjektet që marrin një hapësirë në plazh është edhe punësimi i një vrojtuesi për pushuesit.

“Nuk mund të sillemi si kaubojs për të marrë një pronë publike në menaxhim dhe të kemi detyrime. Jemi mësuar të shohim struktura shërbimi që quhen “Beach bar”. E dimë që një pjesë e madhe nuk janë me leje. Ky është viti kur duhet të formalizojmë strukturat e shërbimit që ndodhen në plazhe. Të gjitha baret të vogla dhe të mëdha, qoftë ata që aplikojnë për herë të parë edhe ata që kanë kontratë duhet të marrin masa që projektet e strukturave të shërbimit t’i paraqesin pranë agjencisë së Zhvillimit të Territorit për miratim.

Ky moment është kusht i pashmangshëm sepse duhet t’i japim fund ndërtimeve pa leje në plazhe. Kemi bërë një koordinim të mirë sivjet me AZHT, duke marrë parasysh kërkesat. Afati i fundit për aplikimin e lejes është data 25 mars. Kontrolli do jetë shumë i rreptë. Nuk mund të lejojmë që në vitin 2022 ilegaliteti të bëjë ligjin në plazhe. Çdo subjekt që merr në menaxhim një hapësirë duhet të ketë të punësuar një vrojtues plazhi. Paraqitja e kësaj marrëveshje është kusht”, u shpreh ajo. /

ME TE LEXUARAT