Çuditë e vlonjatëve me turistët e huaj

Aktualitet

vlTuristi nga Holanda: “Ne u ulëm për të konsumuar një darkë të thjeshtë, por mbetëm të habitur nga mënyra sesi na trajtoi kamerieri, i cili u mundua të na shiste çdo gjë që donte ai. Në këtë vend nuk gjen meny. Kamerieri ju thotë çfarë pjatash përgatiten dhe në fund përballeni me një faturë me çmime surprizë”…

Vlora është një destinacion që tërheq vëmendjen e turistëve të huaj për natyrën, detin e pastër dhe ushqimin, por pika më e dobët mbetet shërbimi, komunikimi i burimeve njerëzore.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Një turist nga Britania shkruante kështu në komentin e tij në TripAdvisor për një nga hotelet përgjatë bregdetit të Vlorës: “E gjeta hotelin teksa udhëtoja me familjen nga Tirana në Vlorë. U impresionova nga pamja që kishte ndaj vendosa të qëndroja katër ditë. Natën e parë konstatova se ishte shumë zhurmë. Mund të dëgjoje edhe muzikën që vinte çdo makinë që kalonte aty pranë. Na u desh të mbanim derën e ballkonit hapur, sepse ajri i kondicionuar nuk punonte. Kemi një fëmijë të vogël dyvjeçar dhe mund ta imagjinoni se çfarë tmerri ishte. Mëngjesi na u servir i ftohtë.

Në kthim i kërkuam stafit që të rregullonte kondicionerin dhe teksa u kthyem në dhomë gjetëm dyshekun e lagur nga uji, i kërkova që ta ndërronin menjëherë. Pronari i hotelit na kërkoi të paguanim për dënimin pasi e kishim lënë kondicionerin hapur. Por, ajo që na mërziti më shumë ishte fakti se ai donte që ne të paguanim 20 euro pasi bëmë daljen nga dhoma me dy orë vonesë. Ishte e pabesueshme. Bëmë gati valixhet dhe ikëm nga hoteli. Gjetëm një tjetër me çmime më të arsyeshme dhe shumë herë më të mirë. Njerëzit punojnë fort për disa ditë pushime dhe nuk meritojnë të trajtohen kështu. E meqë ra fjala, në atë hotel nata ishte 80 euro”.

Ndërsa për një nga hotelet më të njohur të zonës mes Ujit të Ftohtë dhe Radhimës, komenti i një turisti danez ishte i tillë: “Hoteli gjendet mbi shkëmbinj dhe pamja nga dhoma ishte fantastike. Një vend romantik ku mbizotëronte qetësia, pasi zhurmat armotizoheshin nga shkëmbinjtë. Stafi ishte miqësor dhe i mirëtrajnuar. Mëngjesi ishte i bollshëm dhe dhoma e pastër. Krevati madje ishte më komod edhe sesa ai që kam në shtëpi. Ky nuk është hoteli i vetëm që pëlqej në Shqipëri, por nëse standardet janë të tilla, atëherë vendi ka një të ardhme të sigurt si një destiancion historik”.

Për një tjetër hotel, një turist italian do të rendiste avantazhet dhe dizavantazhet. Aspektet pozitive, sipas tij, kishin të bënin me faktin se hoteli gjendej shumë afër detit, stafi fliste mirë anglisht, çmimet ishin të arsyeshme dhe shezlongët falas. Pjesa negative kishte të bënte me mosfunksionimin e kondicionerit, stafi nuk mori masa për ta rregulluar situatën deri sa ata i kërkuan guidës turistike që të ndërhynte.

Ushqimi. Të huajt duket se e dashurojnë ushqimin shqiptar veçanërisht atë të detit, për freskinë, por edhe për çmimet e favorshme që i krahasojnë me vende të tjera në Europë.

Një turist nga Mali (Bamako), shtet në Afrikë e konsideroi ushqimin në bregdetin shqiptar edhe më të mirë se ai i provuar në Itali. “Ne kemi udhëtuar për vite me radhë përgjatë Italisë, por nuk kemi ngrënë në ndonjë vend ushqim më të mirë. Çmimet ishin mjaft të arsyeshme”.

Ndërsa një turiste nga Turkmenistani komentin e saj e kishte përqendruar te mungesa e sinjalistikës dhe tabela orientuese: “Fotot më ndihmuan më shumë sesa lokaliteti, emri i rrugës. Më vonë mësova se kjo vlente për një pjesë të madhe të destinacioneve në Vlorë”.

Mjaft i këndshëm ishte edhe komenti i një turisti parisien për të njëjtin restorant:

“Ne u gjendëm në këtë restorant pasi pamë që kishte shumë njerëz, ndërsa të tjerët ishin bosh. Ia kaluam shumë mirë. Patëm fatin të na shërbente një djalë i cili fliste mjaft mirë anglisht dhe na trajtoi si mbretër”.

 

Himara, ku kamerieri “zgjedh” për klientët

Në Himarë, pjesa më e madhe e njësive akomoduese janë të tipit “B&B”, ndërsa hotelet vuajnë shërbimin e dobët. Të huajt që zgjedhin të vizitojnë këtë destinacion mbeten të mrekulluar nga natyra, por të zhgënjyer nga çmimet dhe komunikimi.

Për një nga resortet më të njohura në këtë qytet, një turist nga Holanda shkruan në TripAdvisor: “Ne u ulëm për të konsumuar një darkë të thjeshtë, por mbetëm të habitur nga mënyra sesi na trajtoi kamerieri, i cili u mundua të na shiste çdo gjë që donte ai. Në këtë vend nuk gjen meny. Kamerieri ju thotë çfarë pjatash përgatiten dhe në fund përballeni me një faturë me çmime surprizë. Por, nuk mbaron me kaq, pasi ju keni zgjedhur pjatën që do të konsumoni, kamerieri do t’ju sjellë një tërësisht të ndryshme. E njëjta gjë ndodh edhe me verën. Ju zgjidhni një shishe, ndërsa në tavolinë ju sjellin një tjetër me çmim edhe më të lartë.

Shërbimi është skandaloz, por buzëqeshja nuk do të mungojë. Mbi të gjitha kjo ndodh në Dhërmi”.

Ndërsa një turist anglez shkruan kështu për qëndrimin e tij në të njëjtin hotel:

“Vendndodhja është e mrekullueshme. Dhomat janë të përshtatshme për një familje të vetme apo edhe më shumë, pra ka të përmasave të ndryshme. Tek të gjitha funksionon sistemi i ajrit të kondicionuar, por problem mbeten mushkonjat. Aspekti tjetër negativ ka të bëjë me një element tërësisht shqiptar, dushin, i cili nuk ka as perde dhe as xham, kjo bën që ambienti të jetë gjithmonë me lagështirë”.

Të huajt rekomandojnë Dhërmiun për ushqimin, sepse në Himarë çmimet janë shumë të shtrenjta dhe shërbimi i varfër. Një turist finlandez shkruan: “Plazhet janë të pastra, uji si kristal dhe shezlongët të këndshëm dhe komodë. Gjatë gushtit, muzika nga lokalet e natës është e lartë dhe mund të jetë e vështirë të gjeni pak qetësi gjatë këtyre orëve”.

Ndërsa një tjetër nga Bosnja konstaton se stafet nuk janë miqësorë dhe ndihmës.

“U ndiem të trajtuar jo mirë. Ndoshta e gjithë kjo mund të ishte e pranueshme për një çmim më të ulët, por për 80 euro në natë është e papranueshme. Gjithashtu duhet të paguhet shtesë për aksesin në plazh, por edhe për kafenë në mëngjes. Vendi ka shumë potencial, pasi natyra është magjike dhe uji i pastër kristal, por shërbimi duhet të përmirësohet në mënyrë të ndjeshme”.

/MONITOR/

ME TE LEXUARAT