Cila ishte fyerja ndaj Berishës në miting që i vuri zjarrin Tropojës në 1997?

Aktualitet

Izet Haxhia, i dënuar me 20 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit ka rrëfyer në librin e tij “Kronika e Dhimbjes”, situatën e vështirë të 1997 në Tropojë.

Ai ka folur për rolin e Azem Hajdarit dhe Dem Dollapit në atë kohë në Tropojë si dhe fyerja që iu bë Sali Berishës në miting.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Ky është rrëfimi i tij i plotë:

Fillimi i marsit 1997, Tropojën e gjeti në një udhëkryq të madh. Të gjitha institucionet ishin djegur. Kudo dilte tym dhe flakë. Repartet ushtarake dhe Komisariati i policisë ishin plaçkitur plotësisht, duke marrë gjithçka që dikush mendonte se i nevojitej.

Kudo shikoje njerëz të të gjitha moshave e gjinive të mbartnin mbi kurriz armë dhe arka me municion. Nëpër rrugë shikoje edhe policë me uniformë të ngarkuar me thasë mielli, apo ushqimesh të tjera të marra në komisariatin e policisë ku punonin. Tek njerëzit kudo kishte hyrë frika se do të fillonte lufta. Po çfarë lufte? Nuk dihej se kush ishte armiku e kundër kujt do të luftohej.

Njerëzit, të trembur nga përkeqësimi i situatës, filluan të blinin gjithçka gjendej nga produktet ushqimore në tregun e varfër atje, duke e boshatisur atë plotësisht. Rezervat në miell e grurë ishin aq të pakta, sa shumë shpejt qyteti mund të kërcënohej nga uria. Furrat e bukës kishin dhënë alarmin për mbarimin e rezervave të miellit.

Shumë familje nuk kishin mundur të siguronin asgjë që të mund të garantonin mbijetesën në të paktën disa ditë. Në njërën nga ditët e fundit të marsit 1997, në sheshin para këshillit të rrethit, takoj kryetarin e Këshillit të Rrethit.

Ai ishte një djalë shumë i mirë, që vinte nga shtresa e ish-të përndjekurve politikë. Ishte mjaft i mërzitur nga situata e krijuar në qytet, pasi gjithçka ngjasonte me një fushë beteje, ku nuk dihej se kush kishte humbur apo kush kishte fituar. Në fakt kishin humbur të gjithë.

* * *

Godina e Këshillit të Rrethit ishte djegur plotësisht. Në prani të tij ishin kryetari i degës së financës dhe përgjegjësi i administratës. Pjesa tjetër e administratës prej rreth 40 vetësh nuk ishte bërë e gjallë që prej dy javësh. “Kam vënë njerëz të të kërkojnë, – më thotë, – pasi kam nevojë shumë që të bashkëpunosh për të përballuar këtë situatë”. “Këto gjëra do t’i kishim biseduar duke pirë nga një kafe, – më thotë, – por më vjen turp të më shikojë dikush në ndonjë lokal”.

“Urdhëro, – i them unë, – me se mund t’ju ndihmoj?” “Kam mendimin që ju të vini për të punuar në administratën e Këshillit të Rrethit”. “Për rrogën, – më thotë, – nëse do të paguhem unë ndonjëherë do të paguhesh edhe ti!” “Siç e shikon, – më thotë ai, – me përjashtim të këtyre dy personave nga administrata që ndodhen këtu, askush nuk po angazhohet për t’u përballur me situatën e krijuar”.

Duke qenë së unë në atë kohë isha anëtar i Këshillit të Rrethit, si dhe bëja pjesë në strukturat drejtuese të Partisë Socialiste atje, i them: “Më duhet të pyes për të marrë leje nga drejtuesit e partisë sime. Personalisht unë jam dakord të bashkëpunoj me Ju për të mirën e punës”.

“Dakord, – më thotë, – veç sa të mundesh shpejt, sepse na duhet të fillojmë sa më shpejt nga punët”. Mora menjëherë kontakt me kryetarin e partisë, i cili më thotë se: “Në këtë kohë të gjithë duhet të japim kontribut në përmirësimin e punëve, pasi gjithçka është paralizuar”.

Menjëherë kontaktova me Kryetarin e Këshillit të Rrethit dhe i bëra të ditur vendimin tim; që në atë moment vendosëm të organizonim një takim të zgjeruar të nesërmen e asaj dite. Në këtë takim, menduam që të marrin pjesë anëtarët e Këshillit të Rrethit, të Këshillit Bashkiak, drejtuesit e të gjitha institucioneve qendrore të Rrethit, si dhe Kryetarët e Komunave. Ftuam gjithashtu edhe Komitetin e Shpëtimit, i cili, me gjithë përpjekjet, kishte arritur të mbante disi në ekuilibër situatën, por pa arritur të zgjidhë asgjë konkrete.

Mbledhja u zhvillua në mjediset e shkollës së mesme të qytetit, i vetmi institucion që i kishte shpëtuar djegies në atë kohë. Aty pati shumë debate. Shumë prej drejtuesve të zgjedhur kërkonin t’u shma-ngeshin përgjegjësive dhe t’ua kalonin ato Komitetit të Shpëtimit.

E kundërshtuam me forcë këtë ide dhe unë këmbëngula, që situatën në dorë ta merrnin institucionet, pasi të ashtuquajturat Komitete të Shpëtimit, nuk e kishin forcën ligjore për të vepruar. Në këto kushte, veprimtaria e tij duhet të pushojë. M’u desh të përballesha me një dallgë të fortë kundërshtimesh, nga ithtarë të forcave të ndryshme politike, duke fituar edhe urrejtjen e ndonjërit prej tyre.

Pas shumë debatesh arritëm në marrjen e disa vendimeve. Më i rëndësishmi ndër ta, ishte ai për organizimin brenda dy ditëve të tregtarëve dhe mjeteve për furnizimin e Rrethit me miell, grurë dhe produkte të tjera të nevojshme ushqimore! Të pasnesërmen e mbledhjes, gjithçka kishte shkuar mirë. Ishin siguruar rreth 40 mjete, si kamion, furgon etj., të cilat do të udhëtonin drejt Tiranës.

Një pjesë i nisëm me traget, ndërsa 22 kamionë që ishin më mirë nga gjendja teknike, i nisëm nga Qafa e Malit. Në çdo makinë vendosëm ndonjë polic që kishim mundur të gjenim, apo persona të tjerë të armatosur. Rruga ishte e vështirë dhe mjaft e rrezikshme. Kudo kishin filluar të shfaqeshin grupe të armatosura grabitësish.

Në krye të autokolonës që udhëtonte nga Qafa e Malit, ishin vënë Kryetari i Këshillit të Rrethit, Kryetari i Bashkisë dhe disa persona të tjerë që shoqëronin autokolonën atë ditë. Rruga vajtje-ardhje na kaloi pa ndonjë incident dhe pas tri ditëve tregu i qytetit ishte kthyer në normalitet. Kishin hequr një barrë të rëndë.

Gjatë udhëtimit nga Gjegjani i Pukës deri në Fushë-Arrëz, në të dyja anët e rrugës, shikoje fshatarë që kishin reklamuar lloj-lloj armësh e municioni për t’i shitur. Në këtë zonë ishte grabitur depoja më e madhe e armëve në veriun e Shqipërisë. Aty thuhej se kishin qenë të magazinuara rreth dyqind mijë armë të ndryshme si rezervë shtetërore.

I gjithë ky armatim në pak orë do të kalonte në duart e fshatarëve, më pas në ato të trafikantëve, për t’u trafikuar jashtë kufijve të Shqipërisë. I njëjti treg por në përmasa më të vogla ishte krijuar edhe në qendrën e Komunës së Tropojës, i cili do të vazhdonte si i tillë deri në fundin e vitit 1998.

Në këtë treg furnizoheshin kosovarët, të cilët, pasi i provonin në luginën e lumit aty afër, merrnin njërën prej atyre që do t’u pëlqente. Ky treg funksiononte në mënyrë legale dhe askush nuk kishte tentuar ta pengonte atë, megjithëse për të kishin dijeni të gjithë, përfshi edhe përfaqësuesit e shumë institucioneve ndërkombëtare që ushtronin aktivitetin e tyre në Tropojë asokohe.

* * *

Me gjithë ndonjë përmirësim të vogël, gjendja në Rrethin e Tropojës ishte kaotike. Komisariati i Policisë nuk funksiononte fare. Nga mesi i prillit 1997, emërohet si shef Komisariati një oficer i Gardës së Republikës me origjinë nga Mirdita.

Ai sapo shkel në qytet, i shoqëruar nga një eskortë e madhe forcash speciale, u akomodua në hotelin, ish-Turizmin e qytetit dhe në pak minuta ata do të ndodheshin nën breshërinë e plumbave të njerëzve të Fatmir Haklajt, i cili, pas negociatash me ndërmjetësimin e pronarit të hotelit, do iu jepet vetëm pak orë kohë deri në mëngjesin e së nesërmes, për t’u larguar prej nga kishin ardhur.

Krahas me këto veprime, iu vu zjarri dhe u dogjën plotësisht zyrat e Partisë Demokratike, si dhe një karakatinë që shërbente si zyrë e Partisë Socialiste, tek magazinat e bazës ekonomike të arsimit, pasi kishte kohë që ishin lëvizur nga zyrat që ato kishin pasur më parë.

Kjo ishte faza e dytë përmbyllëse e djegieve nga ato pak çka kishte mbetur nga institucionet e Rrethit. Më pas, për të emëruar shefin e Komisariatit, në mënyrë joinstitucionale, do të kërkohej gjetja e një mirëkuptimi me Fatmir Haklajn, i cili, në këmbim të kësaj do të kërkonte futjen në strukturat e policisë, të mjaft prej atyre personave problematikë që ai kontrollonte. Periudha maj-qershor 1997, ishte fushata elektorale për zgjedhjet politike të qershorit 1997.

Në Tropojë thuajse nuk u ndje fare kjo fushatë. Azem Hajdari, kandidati për deputet i PD-së, erdhi vetëm një herë në Tropojë, i cili, me disa prej deputetëve të PD-së që e shoqëronin, bëri një vizite ngushëllimi në familjen e oficerit të Shërbimit Informativ i vrarë në mars të 1997-ës në Vlorë dhe, prej aty, u kthyen për të zhvilluar mitingje elektorale në Fushë-Arrëz dhe Pukë.

Ishte 14 qershori i vitit 1997; Azem Hajdari i kishte kërkuar njërit prej vëllezërve të mi që në atë kohë punonte në RENEA, repart i forcave speciale, që ta shoqëronte për në Tropojë.

Mua më njoftuan për t’i pritur së bashku me një polic sektori të policisë rrugore; dola dhe i prita në Miliska të Pukës, rreth 30 km larg qytetit Bajram Curri.

Gjatë atyre pak orëve që ata ndenjën në Bajram Curri dhe Cërrnicë nuk pati asnjë incident. Megjithëse në detyrën e shefit të policisë rrugore, unë e kisha për detyrë të shoqëroja deputetët pavarësisht nga përkatësia politike, ithtarë të politikës që atëherë i përkisnin krahut opozitar, do më thoshin: “ǒdeshe ti me Azem Hajdarin?”.

Kjo do të ndikonte tek unë për të krijuar bindjen se, pavarësisht se kush do të drejtonte vendin, nuk do të jetë e lehtë për t’u larguar nga veprime absurde, në raport me kundërshtarin politik.

* * *

Më datë 20 qershor 1997, në Tropojë do të mbahej një miting i madh në qendër të qytetit nga Partia Demokratike. Në këtë miting, veç shumë drejtuesve të tjerë shtetërorë e partiakë, do të merrte pjesë dhe Presidenti i Republikës. Në qytet ishte përkeqësuar shumë gjendja.

Persona të hipur mbi makina kishin filluar të lëviznin me shpejtësi, mes njerëzve që prisnin për zhvillimin e mitingut, duke i larguar ata nga sheshi. Shkëlqim Haklaj, nëpërmjet breshërive të kallashnikovit do të shkatërronte plotësisht fronin e instaluar në ndihmë të realizimit të këtij mitingu.

Të ardhurit nga Tirana, si rezultat i kësaj gjendjeje, detyrohen të qëndrojnë në tragetin e ankoruar në kalatën e trageteve në Fierzë. Për të parë gjendjen e krijuar në qytet, niset Azem Hajdari, bashkë me një grup personash që e shoqëronin atë.

Në momentin e mbërritjes atje, Haklajve iu vjen një lajm i hidhur te ura e Milotit: në një përpjekje me armë me një bandë grabitësish, kishin mbetur të vrarë djali i xhaxhait i Fatmir Haklajt dhe një shoku i tij. Bashkë me ta, në këtë udhëtim fatal kishte qenë dhe Fatmir Haklaj, i cili kishte vrarë dy nga pjesëtarët e kësaj bande, që kishte terrorizuar gjithë banorët e asaj zone për muaj të tërë.

Rreth kësaj prite vrasëse, thashethemexhinjtë ngritën shumë versione, duke u përpjekur ta motivonin si një vrasje kundërshtarësh politikë. Kjo patjetër që do të ndikonte shumë në irritimin e Haklajve.

Ky version ishte tejet i gabuar. Por një kategori njerëzish intrigantë do ta keqinterpretonin këtë vrasje, si edhe shumë të tjera në Tropojë, duke sajuar lloj-lloj motivesh, deri edhe banale.

Pas këtij lajmi të hidhur për ta, Haklajt do të largoheshin nga sheshi dhe të organizuar do të nisnin udhëtimin drejt Mirditës.

Pas kësaj, njerëzit grumbullohen përsëri, për të bërë mitingun pas më shumë se dy orë vonesë.

Oratorët që do të merrnin fjalën në atë tribunë të sajuar rishtazi, natyrshëm që do të flisnin me mllef, si dhe të ndikuar nga gjendja emocionale e situatës së krijuar të pak minutave më parë. Nga kjo gjendje emocionale nuk do të mund të largohej as Presidenti i Republikës, i cili mban një fjalim të ashpër duke përmendur ata që kishin synuar prishjen e mitingut të PD-së.

Dem Dollapi, i ndodhur në krah të presidentit, e incizon këtë fjalim dhe në shtatorin e atij viti ua dorëzon atë Haklajve. Ky fakt është për t’u nënvizuar, pasi katër vjet më vonë, gjatë zhvillimit të procesit “Hajdari”, në njërën nga seancat e këtij pseudoprocesi, do të deklarohej se: “Azem Hajdari kishte kërkuar takim me Haklajt për t’i dorëzuar pikërisht këtë kasetë”. Ky ishte një deponim i stisur, i cili nuk kishte asnjë lidhje me realitetin.

Këtë veprim ne e demaskuam përballë personit që ua kishte dhënë këtë kasetë Haklajve. Medias nuk i shpëtonte asnjë detaj nga zhvillimet e procesit, ku të intriguar me lloj-lloj titujsh qesharakë do i servirnin lexuesit edhe fakte të pavërteta, të shkruara në zyrat e SHIK-ut dhe Prokurorisë.

Për këtë fakt u mbajt heshtje e plotë, çka tregonte se, pikërisht ata që kishin stisur këtë informacion të rremë, kontrollonin rreptë çdo gjë që shkruhej gjatë procesit gjyqësor.

Në Tropojë gjatë vitit të trazuar 1997 pati fare pak vrasje, rreth tri të tilla; dy brenda fisit për çështje pronësie dhe një në zonën e Lekbibajt për një gjakmarrje të vjetër.

Në këtë periudhë tropojanët ishin treguar mjaft të kujdesshëm, duke mos ndodhur edhe atje si në shumë qytete të tjera të vendit, ku baza e vrasjeve ishte thjesht rënia në duart e kujtdo e armatimi i shtetit.

Në atë kohë, konfliktet e çastit apo mllefet e trashëguara, të pazgjidhura deri atëherë, do të gjenin zgjidhje me grykën e kallashnikovëve. Një fjalë e urtë e jona thotë: “Mos i qëndro para atij që martohet rishtazi dhe atij që merr armë për herë të parë”.

Në atë kohë, ku kudo kishte pllakosur zia, askujt nuk i shkonte mendja për t’u martuar, ndërsa, për sa i përket pjesës së dytë të kësaj fjale të urtë, çdonjëri do ta kishte të vështirë të pozicionohej i sigurt në atë mjedis tërësisht kriminal.

ME TE LEXUARAT