Përmbytjet, Patozi: S’na duhet një qeveri stall dhensh, Parlament pularie e PD fabrikë mielli

Politikë

patoziDeputeti i Partisë Demokratike, ish kreu i grupit të PD-së Astrit Patozi ishte kritik jo vetëm ndaj qeverisë por dhe ndaj vetë PD-së për mënyrën si u ndërhy në zonat e përmbytura sa  i takon ndihmave.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Patozi duke kërkuar hartimin e një strategji afatgjatë për t’i dhënë një herë e mirë fund atyre tragjedive familjare që pothuajse përsëriten çdo vit dhe nënvizoi:

“Ne nuk kemi nevojë për një kryeministër që shpërndan dele, dhe as për një kryetar kuvendi që u çon fshatarëve zogj sepse nuk di që në qeveri të ketë ndonjë stallë dhensh dhe as në parlament të jetë hapur ndonjë pulari. E njëjta gjë vlen edhe për furgonët me ushqime që nisen nga selia e opozitës, dhe nuk di që atje të ketë ndonjë fabrikë mielli apo magazinë orizi.” tha Patozi.

Ja një pjesë nga fjalimi ne foltoren e kuvendit 

“Mua më shqetëson epidemia e shpërndarjes pa doganë të medaljeve si mentalitet qeverisës gjatë këtyre dy vjetëve. Pavarësisht se nuk është objekt i këtij ligji, kryeministri i vendit është në fakt medaljeshpërndarësi më i pakonkurrueshëm në Shqipëri. Praktikisht ne drejtohemi sot nga një qeveri e cila, në mungesë të punëve të mira në këtë vend, i jep medalje dhe dekorata vetes për vepra të pakryera ndonjëherë. Madje shefi i saj nuk e ka fare problem që shumicën e medaljeve t’i vendosë në xhaketën e vet njësoj si tre lapsat me ngjyra gjatë parakalimit “Je suis Charlie” në Paris. Vetëm ditët e fundit ne kemi marrë pjesë, edhe pse në mënyrë pasive, në ceremonitë e akordimit të disa medaljeve. Ato si gjithmonë shfaqen live në ekrane. A nuk e patë kryeministrin se si para një jave, në vend që të dekoratës kish vënë në gjoks një qingj të njomë, kur po mburrej se kishte shkëputur nga tufa e tij 200 krerë dele për t’ia zëvendësuar një fshatari që humbi kopenë nga përmbytja. Disa ditë më pas, të njëjtën gjë bëri dhe kryetari i kuvendit, i cili ndoshta për të mos imituar plotësisht, ose ndoshta për t’u treguar më kreativ, në vend të deleve, dërgoi në Ferras 5000 zogj pulash. Përveç se irrituese, inskenime të tilla janë fyese, jo thjesht për banorët e përmbytur, por për çdo qytetar të këtij vendi që pret gjë tjetër nga qeveria e vendit të vet. Qindra familje të përmbytura në Vlorë, Fier, Berat, Gjirokastër kanë nevojë sot për mbështetje të barabartë dhe reale nga shteti i tyre dhe jo për filantropi zyrtarësh të lartë. Mbi të gjitha ata kanë nevojë për garanci, se përmbytjet do të kthehen në fatkeqësi kronike për ta sa herë që të zemërohet qielli. Nëse do të shkosh si burrë shteti në Novoselë apo Levan, merr me vete vendimin e qeverisë që dëmshpërblen në mënyrë të plotë çdo dëm të shkaktuar nga përmbytja dhe ke kryer detyrën ndaj njerëzve në fatkeqësi. Sepse delet e mbytura atje janë shumë më tepër se 200, po ashtu dhe pulat, zogjtë, lopët, frigoriferët apo dëmet e tjera të shkaktuara nga vërshimi i lumenjve. Sepse ata qindra e mijëra të tjerë që kanë pësuar fatkeqësi të ngjashme nuk gëzohen dot me delet e bashkëfshatarit të tyre të cilit iu kthyen nga pseudo-bujaria e kryeministrit vetëm për ta nxjerrë në televizor. Ne nuk kemi nevojë për një kryeministër që shpërndan dele, dhe as për një kryetar kuvendi që u çon fshatarëve zogj sepse nuk di që në qeveri të ketë ndonjë stallë dhensh dhe as në parlament të jetë hapur ndonjë pulari. Dhe që të jemi të drejtë deri në fund, e njëjta gjë vlen edhe për furgonët me ushqime që nisen nga selia e opozitës, dhe nuk di që atje të ketë ndonjë fabrikë mielli apo magazinë orizi. Që t’i ndihmojmë ata njerëz duhet që në këtë sallë të miratojmë një strategji afatgjatë për t’i dhënë një herë e mirë fund atyre tragjedive familjare që pothuajse përsëriten çdo vit”.

ME TE LEXUARAT