Opozita, ISa Mustafës: Merr masa ndaj Jabllanovicit!

Kosovë&Rajon

opoDeklarata fyese e ministrit serb në Qeverinë e Kosovës për nënat e Gjakovës ka nxitur reagime të shumta. Partitë opozitare e kanë ftuar Qeverinë e Kosovës të marrë masa ndaj ministrit serb për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq, i cili i ka fyer nënat e personave të zhdukur të Gjakovës, duke i quajtur ato egërsira, pasi nuk i lejuan pelegrinët serbë të hyjnë në kishën e qytetit. Sipas tyre, kjo deklaratë është fyese për qytetarët e Kosovës.

AAK-ja dhe Nisma presin që kabineti qeveritar dhe kryeministri Isa Mustafa të distancohen nga deklarimet e tilla, kurse Lëvizja Vetëvendosje! pret reagim qytetar. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ministri Jabllonoviq duhet të kërkojë falje.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

“Qeveria ka hierarki. Janë përgjegjësi e qeverisë deklarimet e secilit. Nuk është mirë që asnjë zyrtar i zgjedhur të ofendojë, e veçanërisht t’i ofendojë nënat e viktimave. Kjo nuk është në rregull. Është mirë t’u kërkohet falje nënave. Është mirë të tërhiqet një deklaratë e tillë. Është mirë të distancohen institucionet e cilido nivel nga deklarimet e tilla”, ka deklaruar Haradinaj të enjten, pas takimit që ka zhvilluar me përfaqësuesit e Partisë Shqiptare Qendrore për Integrim të Malit të Zi.

Kreu i AAK-së ka vlerësuar se shqiptarët nuk përdorin gjuhë të urrejtjes ndaj askujt, andaj edhe minoritetet duhet të kenë kujdes në këtë drejtim. “Ne si shqiptarë kemi shumë kujdes, nuk përdorim gjuhë të urrejtjes, gjuhë fyese ndaj komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Prandaj, askush nuk duhet ta bëjë këtë”, është shprehur Haradinaj.

Ndërsa deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka deklaruar për “Epokën e re” se soji i Jabllanoviqit nuk do të kërkojë falje por, sipas tij, kryeministri Mustafa duhet të marrë masa ligjore ndaj vartësit të tij.

“Nuk pres që soji i Jabllanoviqit të kërkojë falje, por nëse pak ka ndjenja njerëzore Isa Mustafa duhet të marrë masa ndaj Jabllanoviqit, pasi është i emëruar i tij në pozitën e ministrit, konform Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Kjo nuk është hera e parë që ai e përmend Kosovën me terma të politikës shoviniste serbe, duke thënë Kosova dhe Metohija”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, nga strukturat kriminale serbe që janë instaluar së fundi në Kuvend dhe Qeveri nuk pritet diçka ndryshe.

“Bisedimet e Hashim Thaçit me Serbinë kanë për produkt legalizimin e forcave kriminale të Serbisë që për 15 vjet e kanë kriminalizuar Kosovën. Me vetë faktin se ato struktura kriminale tash gjenden në polici, parlament dhe qeveri, nuk pritet diçka më mirë nga ta. Përndryshe, kjo është një deklaratë që u përngjan deklaratave të politikës shoviniste serbe shumë të hershme në raport me Kosovën”, ka deklaruar Berisha.

Nga këto dy subjekte politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje! nuk pret ndonjë reagim të Qeverisë së Kosovës ndaj Jabllanoviqit. Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, Zgjim Hyseni, ka deklaruar për “Epokën e re” se reagimi mund të vijë vetëm nga qytetarët e Kosovës.

“Ne nuk presim që qeveria Thaçi-Mustafa-Vuçiq të bëjë diçka në këtë drejtim. Ata kanë qenë krejtësisht të vetëdijshëm që Lista Serbe është e themeluar dhe kontrollohet nga Beogradi dhe i kanë futur në koalicion. Nëse do të duhej të kishte reagim, atëherë presim që reagimi të vijë nga qytetarët e Kosovës, përkundër Qeverisë së Kosovës dhe qëllimeve hegjemoniste të Serbisë”, ka thënë Hyseni.

Ai ka deklaruar se Jabllanoviqi është ministër i Serbisë në Kosovë.

“Ai i mbron interesat e Republikës së Serbisë, i mbron qëllimet hegjemoniste të Serbisë në Kosovë. Në këtë drejtim, kur ai thotë se protesta e nënave gjakovare është e egër, kjo është krejt në përputhje me qëndrimin që ka Serbia për Kosovën dhe për luftën e fundit në Kosovë, e kurrsesi me të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë. Nëse ka diçka të egër në këtë drejtim, atëherë janë krimet që i ka pësuar popullsia e Gjakovës dhe Kosovës në përgjithësi prej forcave militare e paramilitare të Serbisë”, ka deklaruar Hyseni.

Ndaj deklaratës së Jabllanoviqit ka reaguar edhe Partia Liberale e Kosovës (PLK). Nëpërmjet një komunikate për medie, kjo parti ka vlerësuar se egërsira nuk janë nënat gjakovare, por ata të cilët atyre ua vranë fëmijët.

“Partia Liberale e Kosovës e vlerëson fashiste dhe skandaloze deklaratën e ministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Jabllanoviq, për nënat gjakovare dhe protestuesit në Gjakovë, të cilët nuk lejuan pelegrinët serbë ta vizitojnë kishën ortodokse në qytetin e Gjakovës, me dyshimin se në mesin e pelegrinëve serbë ka të dyshuar për krime lufte, përfshirë edhe ish-kryetarin e Gjakovës, Gjokica Stanojeviq, i cili gjatë luftës ishte kryetar i dhunshëm i Gjakovës dhe mbante përgjegjësi për krimet makabre në këtë qytet e rrethinë”, është thënë në komunikatën e PLK-së, duke shtuar se Jabllanoviqi duhet ta tërheqë deklaratën e tij skandaloze dhe t’u kërkojë falje publike nënave të Gjakovës. Në një aktivitet në Komunën e Rahovecit të mërkurën, ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq, nënat e personave të zhdukur nga Gjakova, të cilat nuk i kishin lejuar pelegrinët serbë të hyjnë në kishën e qytetit, i kishte quajtur egërsira. Përveç kësaj, Jabllanoviqi iu ka referuar Kosovës me termin shovinist: “Kosova dhe Metohija”.

Komuna e Gjakovës: Deklarata e Jabllanoviqit ishte fyese

Ndaj deklaratës së Jabllanoviqit ka reaguar edhe Komuna e Gjakovës. Në një komunikatë për medie kjo komunë ka bërë me dije se një deklaratë e tillë tregon se ka politikanë që nuk kanë lidhje me realitetin e krijuar që 16 vjet në Kosovë. Komuna e Gjakovës ka vlerësuar se një deklaratë e tillë nuk kontribuon në paqe dhe përmirësim të marrëdhënieve. “Përkundër të gjitha këtyre, Komuna e Gjakovës, ashtu sikur kupton ushtrimin e së drejtës fetare, njëjtë respekton edhe të drejtën e protestës dhe të pakënaqësisë që shprehet në mënyrë demokratike, pasi kjo e drejtë u sigurohet qytetarëve edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Konsiderojmë se avancimi i urrejtjes nëpërmjet kësaj gjuhe do të garantoj vështirësi të reja, në të njëjtën kohë do prodhojë tensione të tjera të panevojshme”, është thënë në reagimin e Komunës së Gjakovës./epoka e re/RTK

ME TE LEXUARAT