Presidenti i BE Donald Tusk: Arritëm marrëveshjen me Greqinë

Aktualitet

tuskPas 17 orë bisedimesh në Samitin urgjent të liderëve të Eurozonës, më në fund Greqia ka siguruar një marrëveshje të re shpëtimi prej 50 miliard eurosh, por me një çmim që bie ndesh me premtimet me të cilat qeveria e Aleksis Tsipras erdhi në pushtet në muajin janar.

Në këmbim të shumës së konsiderueshme, Greqia duhet të dorëzojë si kolateral asete shtetërore me këtë vlerë, të cilat do të privatizohen apo jepen me konçesion nën mbikqyrjen e një mekanizmi europian.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

25 miliard prej këtyre të ardhurave do të përdoren për të rikapitalizuar bankat greke, ndërsa pjesa tjetër për të ulur më tej borxhin e Greqisë.

Në fjalën e parë për mediat pas përfundimit të Samitit, kryeministri grek, Aleksis Tsipras tha se kishte luftuar një betejë të ashpër dhe ishte detyruar të merrte vendime të vështira.

“Arritëm të ristrukturonim borxhin dhe të siguronim një financim afatmesëm. Greqia do të vazhdojë luftën për t’u rikthyer te rritja ekonomike”, tha Tsipras.

Ndërsa kancelarja Angela Merkel, më në fund pranoi se kishte rifituar disi besim te pala greke, por i bëri thirrje Parlamentit helen që të miratojë sa më shpejt marrëveshjen, në mënyrë që ajo të vihet në zbatim.

Thirrje kjo që u përforcua edhe në konferencën e përbashkët për shtyp të presidentit të Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, atij të Këshillit Europian, Donald Tusk dhe shefit të Eurogrupit, Jerun Dajselblum.

Liderët e eurozonës ranë dakord unanimisht për një plan të ri ndihme për Greqinë, deklaroi presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk në Twitter.

“EuroSamiti arriti njëzëri marrëveshje. Gjithçka gati për një program ndihme për Greqinë me reforma serioze dhe mbështetje financiare”, shkruajti Tusk duke iu referuar fondit të shpëtimit të eurozonës, i ashtuquajturi Mekanizmi Evropian i Stabilitetit.

 

ME TE LEXUARAT