Përgjimet që zbuluan autorët e atentatit të dyfishtë ndaj vëllezërve Bilali

Aktualitet

Ibrahim Lici, djali i anëtarit të Këshillit Bashkiak në Shkodër, dyshohet se është autori kryesor i vrasjes së dy vëllezërve Bilali.

26-vjeçari, në bazë të hetimeve të Policisë, dhe Prokurorisë është personi që ka qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të Ibrahim dhe Astrit Bilalit, ngjarje e ndodhur më 30 mars. Gjithçka dyshohet se është shkak i një konflikti mes dy familjeve në Shkodër, Lici dhe Bajri. Djali i Mustafa Licit është shpallur në kërkim bashkë me personin që e ka ndihmuar të largohet nga vendi i ngjarjes me makinë.

Ndërkohë, Policia ka marrë në pyetje dy të arrestuarit, Arsen Stojku dhe Mislim Rama. Këta dy persona dyshohen si bashkëpunëtorë në krim, por ende nuk është i qartë nëse kanë luajtur rol direkt. Gjatë dëshmisë së tyre, dy të rinjtë kanë mohuar akuzën “vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”.

Si Stojku dhe Rama, gjatë pyetjeve të shumta nga hetuesit, kanë mohuar të kenë lidhje me ekzekutimin e babait dhe xhaxhait të Astmer Bilalit, i arrestuar si anëtar i grupit “Bajri”. Prokuroria e Shkodrës ka dyshime se dy të rinjtë kanë lyer me bojë makinën, e cila është përdorur në vrasjen e Ibrahim dhe Astrit Bilalit. Pas vrasjes së dy vëllezërve në lagjen “Kiras”, pak metra më tutje, Policia gjeti një makinë që po digjej.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Zjarrfikëset bënë të mundur shuarjen e flakëve dhe makina nuk u dogj në brendësi. Pas akteve të ekspertizës në mjet u zbuluan gjurmë, sipas Prokurorisë, të Arsen Stojkut dhe Mislim Ramës. Ata janë të afërm të Ibrahim Licit, i cili në mjetin e sekuestruar nga Policia nuk janë gjetur gjurmë të tij. Por ai dyshohet si autor i vrasjes nga përgjimet telefonike dhe ambientale.

Tri javë pas ngjarjes së rëndë, Policia e Shkodrës, ndryshe nga herët e tjera, arriti të zbardhë autorët.

Në operacionin e koduar “Livadhe”, pas hetimeve dhe përgjimeve të kryera, u ndaluan Arsen Stojku 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë të Vaut të Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me Paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Policia arrestoi dhe Mislim Ramën, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë të Vaut të Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Policia, përveç dy të ndaluarve, ka shpallur në kërkim shtetasin Ibrahim Lici 26 vjeç, si i dyshuar kryesor për veprën penale të vrasjes së dy vëllezërve Bilali si dhe shtetasin D.B 29 vjeç për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Ibrahim Lici është djali i anëtarit të Këshillit Bashkiak Mustaf Lici, një familje kjo e përfshirë në një përplasje që vijon prej kohësh me grupin tjetër “Bajri” në qytetin e Shkodrës. Në njoftimin e saj, Policia e Shkodrës tregoi se vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim.

Pas hetimeve intensive të kryera në drejtimin e Prokurorisë Shkodër, rezulton se shtetasit e lartpërmendur kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim vrasjen e Astrit dhe Ibrahim Bilalit. Si rezultat i punës së vazhdueshme intensive me metodat speciale të hetimit, nga grupi i posaçëm hetimor, u bë sigurimi i provave materiale dhe shkencore, të cilat çuan në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.

Gjatë veprimeve hetimore u bë sekuestrimi i një automjeti, tri aparateve telefonike celulare, të cilët janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprimeve të tyre. Ndërkohë, Policia vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bilali./Panorama/

ME TE LEXUARAT