Aurel Plasari: Për ata që e mbajnë në gojë....21 Janarin

Aktualitet

plasariNga Aurel Plasari

Konstatoj që 21 janarin e mbajnë ende në gojë do anëtarë të PS-së, militues të PS-së ose edhe simpatizues të PS-së. Do të ishte në të mirën e tyre të mos vijonin e ta mbanin kaq gjatë në gojë. Sepse me veprimet e veta politike dhe organizative vetë PS-ja 21 janarin e saj e ka nxjerrë blof (bluff). Nuk i ka lënë kujtesa qytetarët shqiptarë që të harrojnë se 21 janari u bë për të ashtuquajturin “bllok të Ilir Metës”. Me aleancën parazgjedhore që PS-ja bëri më mbas me Ilir Metën dhe Lëvizjen që ai drejton, madje tanimë me bashkëqeverisjen me të dhe Lëvizjen përkatëse, 21 janarin e organizuar kundër “bllokut” të tij PS-ja e ka zhvlerësuar si kauzë. Për të mos thënë që e ka vlerësuar “të gabuar”: le të marrin e të zgjedhin mes këtyre dy interpretimeve. Prandaj mbajtja me të tepërt në gojë e një çështjeje të shkrehur nuk mendoj që u bën mirë për shëndetin e gojës, ndonëse kjo varet edhe nga shijet. Imja është vetëm një këshillë miqësie dhe respekti: in keeping with social standards.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Për viktimat e 21 janarit nuk më duket e përshtatshme shprehja e ndonjë kolegu të PS-së që ata “vanë për dhjamë qeni”: nuk është shprehje njerëzore. Juridikisht i qëndroj mendimit që 21 janari do të duhet hetuar më seriozisht dhe më profesionalisht duke filluar prej organizatorëve të tij dhe mandej me radhë në vargun e përgjegjësive përkatëse. Drejtuesit e PS-së nuk e deshën asnjëherë një hetim të tillë. Kështuqë kur të më përmendin mua bëjnë mirë ta heqin nga goja 21 janarin ose le ta ngrehin atë përsëri me gojën e tyre siç do të duhej në një shtet demokratik.

Meqë e zura ngoje z. Ilir Meta, e kam detyrë të them që kam pasur rastin të bashkëpunoj me të, vite më parë, kur ka qenë kryeministër. Atëherë kam dalluar prej tij korrektesë administrative. E konstatoj edhe këto ditë një korrektesë të ngjashme me qëndrimin që po mban ai dhe Lëvizja që ai drejton – ndoshta e keni venë re – ndaj protestës së 8 dhjetorit. Kaq. Dhe kush ka veshë, merr vesh vetë.

ME TE LEXUARAT