Meta, kritika të forta qeverisë

Politikë

Presidenti Ilir Meta ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj qeverisë sot për shkarkimet e padrejta nga puna, që janë reflektuar në numrin e madh të çështjeve që janë dërguar pranë Gjykatës Administrative dhe dëmin e madh që duhet ta paguajnë qytetarët shqiptarë.

“Taksapaguesit shqiptarë vetëm për vitet 2017-2018, do të duhet të paguajnë 15 milionë euro më shumë për të shlyer dëmin që kanë shkaktuar administratorët publikë përmes shkarkimeve të padrejta nga puna, - tha Presidenti në takimin e posaçëm që u mbajt sot në Tiranë. - Referuar këtyre të dhënave është evidente që veprimtaria shtetërore nuk ka ndjekur shinat që cakton ligji për marrëdhëniet e punës.”


Nga fjala e Presidentit Ilir Meta:

‘E drejta për punë është një e drejtë universale, - tha Presidenti, - sepse pa punë nuk ka zhvillim, nuk ka mirëqënie. Vetë qëllimi për të cilin shteti ekziston është krijimi i mirëqënies.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Legjislacioni ynë që rregullon marrëdhëniet e punës është i plotë, por cilësia e zbatimit të tij në sektorin publik është ende shumë problematike.

Ne miratojmë ligje dhe raportojmë para organizatave ndërkombëtare se ligjet e Shqipërisë janë me standarte europiane, por nga ana tjetër zbatimi i tyre bëhet nga interesi i ngushtë dhe kalimtar.

Shqipëria realizoi një reformë të gjërë në administratën publike; miratoi statusin e ri të nëpunësit civil dhe përmirësoi ndjeshëm Kodin e Punës. Megjithëse legjislacioni u përmirësua ndjeshëm dhe u krijuan standarte për garantimin dhe mbrojtjen e marrëdhënieve të punës, praktika e analizuar nga rezultatet që na sjellin sot na çojnë në konkluzionin se: sektori publik këto ligje nuk i ka zbatuar siç duhet për të mos thënë që në shumë raste i ka neglizhuar në mënyrë të vazhdueshme.

Në nëntor 2013, fillimi nga funksionimi i Gjykatës Administrative ishte hapi i parë pararendës i Reformës në Drejtësi. Gjykatat Administrative u bënë argjinaturat garantuese të të drejtave të punës. Ndaj duhen mbështetur me trupën e nevojshme të gjyqtarëve dhe personalin ndihmës.

Nga analizimi i të dhënave rezulton se rastet e heqjes së padrejtë nga puna qoftë për administratën e shërbimit civil, qoftë për pjesën tjetër të sektorit publik, janë një realitet konkret, që është i lidhur. Numri në rritje i konflikteve gjyqësore i kombinuar nga ana tjetër me trupë gjyqësore ende të paplotësuar ka krijuar vonesa në shërbimin gjyqësor …

Studimi sot reflekton se gjatë viteve 2017-2018 në Gjykatën e Apelit Administrativ , shqyrtimi i çështjeve të punës u bë 30% i totalit të vendimarrjes së kësaj gjykate.

Një tjetër e dhënë që rezulton nga ky studim është fakti se taksapaguesit shqiptarë vetëm për vitet 2017-2018, do të duhet të paguajnë 15 milionë euro më shumë për të shlyer dëmin që kanë shkaktuar administratorët publikë përmes shkarkimeve të padrejta nga puna.

Referuar këtyre të dhënave është evidente që veprimtaria shtetërore nuk ka ndjekur shinat që cakton ligji për marrëdhëniet e punës,“ nënvizoi Presidenti

ME TE LEXUARAT