Do i djegin apo jo mandatet? Zbardhet diskutimi brenda PD-së

Aktualitet

Zbardhet diskutimi në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, mbajtur sot lidhur me propozimin e kryedemokratit Basha për djegien e mandateve.

Gjatë diskutimeve, anëtarët e grupit kanë shprehur qëndrimet e tyre lidhur me këtë propozim, si më poshtë:

“Ne jemi në borxh me qytetarët. Ata na dhanë besimin ne duhet të jemi me ta. Gjendja është emergjencë kombëtare. Ky është hap nga pozitat e dominimit të forcës popullore na takon ne të udhëheqim shqiptarët”, mësohet të jetë shprehur kreu i PD, Lulzim Basha.

Flamur Noka: “Duhet djegie e mandateve të bashkohemi me qytetarët. Ky është një regjim, nuk mund të sillemi normalisht, të jemi opozitë fasade”.

Merr lajme ekskluzive në Whatsapp

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.

Andon Frrokaj: “Pro djegies, ne i paraprijmë me sakrificë. Ne duhet të dalim t’i themi qytetarëve jemi si ju, pa asnjë ndryshim. Është koha për veprim. Ajo pjesëmarrje është miratim për ne, ne jemi shumicë sot me qytetarët. Unë jam i gatshëm, por përballemi drejtperdrejtë me të. Ai ka votuar çfarë ka dashur, me në parlament”.

Edmond Spaho: “VOA ka dalë edhe ka pranuar që zgjedhjet janë vjedhur dhe ja kapur nga Rama. Nuk duhet kaloj kaq lehtë. Akuza që na kanë vënë është qe nuk i çojmë gjërat deri në fund. Kështu që nuk duhet të lëvizim nga djegia e mandateve. Zgjedhje me Ramën nuk hyjmë se ai prapë do na i vjedhë. Kështu që djegia është presioni më i mirë dhe dalja në krah të vullnetit të qytetarëve”.

Agron Shehaj: “Largimi i Ramës nuk është garancia e vetme për zgjedhjet e lira. Ne duhet të vëmë kusht hetimin e Ramës dhe arrestimin e atyre që kanë vjedhur në 2017. Unë jam dakord që mandatet duhen djegur, kjo është gjëja e duhur. Çështjet teknike i zgjidhni ju”.

Klevis Balliu: “Pro djegies së mandateve, është sakrificë minimale për qytetarët. Mandatet tona nuk kanë vlejtur në parlament. Kauza është më e rëndësishme sesa mandatet. Rama është rrezik kombëtar, t’i bashkohemi shqiptarëve pa mandate siç janë ata”.

Florion Mima: “Njerëzit na thonë ju rrogat i merrni, ne vdesim për bukë. Unë jam për ndjekje mandatesh në mënyre absolute. Nuk jam për asnjë skenar tjetër, kjo është rruga e vetme. Bashkë me qytetaret aty”.

Oriola Pampuri: “Akti më sublim që mund të bëjmë. Do mbahet mend gjatë dhe mbështes propozimin tuaj për djegie mandatesh”.

Gent Strazimiri: “Kemi gjithçka në parlament, por politikë nuk kemi bërë dot. Aty nuk arrihet të bëhet politike. Kështu që jam pro. Nuk ka moment më të mirë pas përgjigjes që na dha populli në 16 shkurt. Ata që na dhanë mandatin, i themi ne nuk bëjmë dot politikë në atë parlament, ja mandati jau kthejmë juve. Është fillimi i një rruge për demokraci”.

Aldo Bumçi: “Djegie mandatesh në mënyrë të qartë dhe të shoqërohet me përshkallëzim në terren. Të jemi me qytetarët, rruga të jetë politika jonë. Nuk futemi në asnjë lloj zgjedhje”.

Valentina Duka: “Gjithë njerëzit në rrjetet sociale ishin pro nesh. Kështu që në mënyre absolute jam me njerëzit, jam për djegien e mandateve. Dhe të vendosim hapat teknike dhe politike. Ne të faktorizohemi politikisht sipas vullnetit të njerëzve”.

Ervin Salianji: “E kam kërkuar më parë djegien e mandateve. Duhet të gjejmë hapësirat ligjore dhe t’i djegim që sot. Kam reaguar i pari që dje në mbështetje të këtij propozimi”.

ME TE LEXUARAT